Irani: Do ta mbyllim Ngushticën e Hormuzit nëse sulmohemi sërish nga SHBA

8 Korrik 2026, 20:50Bota TEMA
Irani: Do ta mbyllim Ngushticën e Hormuzit nëse sulmohemi sërish

Irani do të mbyllë Ngushticën e Hormuzit në rast të ndonjë sulmi të ri amerikan, ka deklaruar një burim iranian i sigurisë për televizionin shtetëror Press TV.

Ky paralajmërim erdhi pasi presidenti amerikan Donald Trump, gjatë samitit të NATO-s në Turqi, deklaroi se SHBA-ja do të “godasë përsëri fuqishëm sonte” Iranin, shkruan Sky News.

“Strategjia e re e Iranit është që pas çdo sulmi, Ngushtica e Hormuzit do të mbyllet plotësisht”, tha burimi.

Bëhet fjalë për një rrugë detare me rëndësi të jashtëzakonshme për ekonominë globale, përmes së cilës në kushte normale kalon rreth një e pesta e furnizimeve botërore me naftë dhe gaz natyror të lëngshëm.

Përveç mbylljes së Ngushticës, burimi paralajmëroi se Irani, pas çdo sulmi amerikan, do të kryejë goditje ndaj “të paktën dyfishit të numrit të objektivave”. Ai dërgoi gjithashtu një kërcënim të tërthortë ndaj aleatëve të SHBA-së në rajon.

“Çdo kërcënim do të përballet me një përgjigje të fuqishme. Irani nuk bën dallim mes SHBA-së dhe partnerëve të saj rajonalë”, shtoi ai.

Ndërkohë, si përgjigje ndaj sulmeve të fundit amerikane, Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit njoftoi gjatë natës se kishte goditur 85 pika ushtarake amerikane në Bahrein dhe Kuvajt.

Kërcënimi i ri për mbylljen e Ngushticës së Hormuzit vjen pavarësisht deklaratës së presidentit amerikan se Irani “nuk mund të bëjë asgjë” për të ndaluar sulmet e mëtejshme.

Megjithatë, zhvillimet e deritanishme të konfliktit kanë treguar se pikërisht presioni ekonomik përmes Ngushticës së Hormuzit, në të kaluarën, e ka detyruar SHBA-në të ulet në tryezën e negociatave.

Lini një Përgjigje