Takimi i dytë mes Presidentit amerikan Donald Trump dhe homologut të tij ukrainas Volodymyr Zelensky në Shtëpinë e Bardhë mund të quhet miqësor, në krahasim me takimin e parë të ashtuquajtur katastrofik.
Këtë radhë botës iu shfaq një Zelensky më i heshtur, fjalëpak, kurse në anën tjetër një Trump që kishte përgjigje për secilën pyetje.
Trump e nisi duke thënë se “po bëhet përparim” për t’i dhënë fund luftës midis Rusisë dhe Ukrainës.
Sipas tij, pati një takim “shumë të mirë” me Presidentin rus Vladimir Putin dhe se ekziston “një mundësi e mirë që diçka të dalë prej tij”.
Madje ai tha se Rusia, Ukraina dhe SHBA-të do të kenë një takim trepalësh ku do të ketë një “shans të mirë” për t’i dhënë fund luftës.
Në një ndërhyrje të vogël, teksa u pyet nëse do të merrte në konsideratë lëshimin e territorit, udhëheqësi ukrainas tha se “ne duhet ta ndalojmë luftën, të ndalojmë Rusinë”.
Zelensky tha se ukrainasit janë të fortë dhe se mbështesin planet e Trump për t’i dhënë fund luftës në një “mënyrë diplomatike”.
Ai tha po ashtu se dëshiron të zhvillojë një takim trepalësh.
Ndërkohë Trump vazhdoi përgjigjen e tij në Shtëpinë e Bardhë në takimin me Zelenskyn dhe tha se “shumë njerëz” u vranë javën e kaluar.
Ai tha se ai dhe Zelensky duan ta shohin të përfunduar dhe thotë se beson të njëjtën gjë për Putinin.
Trump u pyet se cila palë, Rusia apo Ukraina ka kartat më të mira. Ai tha se nuk dëshiron të thotë dhe shton “kjo nuk është lufta ime”, duke fajësuar përsëri ish-Presidentin e SHBA-ve Joe Biden për mosndalimin e pushtimit të Rusisë në vitin 2023.
Ai përsërit se lufta duhet të përfundojë, duke thënë se dëshiron që ajo të përfundojë mirë për të gjithë.
Trump u pyet po ashtu nëse SHBA-të do të dërgojnë “paqeruajtës amerikanë” në Ukrainë për të siguruar një marrëveshje paqeje.
“Ne do të punojmë me Ukrainën, ne do të punojmë me të gjithë” për t’u siguruar që paqja është “afatgjatë”.
SHBA-të do të punojnë si me Rusinë ashtu edhe me Ukrainën për t’u “siguruar që ajo të funksionojë”, shtoi ai.
“Nëse mund të arrijmë paqen, e di që do të funksionojë. Nuk kam asnjë dyshim për këtë.”
Një gazetar e pyet Trump nëse do të ketë pasoja të rënda nëse nuk ka armëpushim.
“Nuk mendoj se keni nevojë për një armëpushim,” përgjigjet Trump.
Presidenti amerikan tha se “mund të jetë mirë të ketë”, por thotë se mund të mos jetë i nevojshëm për paqen.
Ai gjithashtu shton se, “strategjikisht”, një vend ose tjetri mund të mos dëshirojë një armëpushim.
Si kujtesë, ky është një ndryshim nga qëndrimi i Trump para takimit të tij me Putin javën e kaluar.
Trump kishte thënë para samitit të premten se donte një armëpushim “të shpejtë”, pasi kishte kërcënuar Rusinë me sanksione ekonomike nëse nuk bihej dakord për një të tillë.
Trump pyetet gjithashtu nëse do t’i japë Ukrainës garanci sigurie dhe mbrojtje të ngjashme me ato të NATO-s si pjesë e një zgjidhjeje paqeje.
Presidenti amerikan thotë se kjo nuk është diskutuar ende, por “ne do t’u japim atyre mbrojtje shumë të mirë, siguri shumë të mirë” Kievit.
Trump fajëson përsëri administratën e Joe Biden për luftën dhe pretendon se kjo nuk do të kishte ndodhur nëse ai do të ishte në pushtet gjatë pushtimit të plotë të Rusisë në vitin 2023.
Sakaq, në një tjetër ndërhyrje, Zelensky tha se Ukraina ka mundësinë të blejë armë nga SHBA-të me ndihmën e vendeve evropiane dhe programeve të tjera që e financojnë atë.
Ai tha se është shumë e rëndësishme të forcohet ushtria e vendit dhe të riarmatoset Ukraina.
“Kemi shumë nevojë për këtë,” thotë ai.
Një pyetje se çfarë i duhet nga SHBA-të për të garantuar sigurinë e Ukrainës, Zelensky iu përgjigj “gjithçka”.
Ai ka nevojë për një ushtri të fortë ukrainase. Bëhet fjalë për armë, njerëz, misione stërvitore, inteligjencë.
Lini një Përgjigje