Paradoksi i regresit demokratik

4 Mars 2026, 13:30Bota TEMA
Paradoksi i regresit demokratik

Nga Andrés Velasco, Project Syndicate

Përfytyroni sikur dikush t’iu kufizonte liritë tuaja dhe të niste t’iu thoshte se çfarë të bënit, ndoshta edhe t’iu lidhte duart pas kurrizit duke iu shkaktuar dhimbje. Sado e tmerrshme që të tingëllojë, ju e pëlqeni. Në sferën private, ky fenomen mban emrin e Leopold von Sacher-Masoch, një fisnik austriak i shek. të 19-të, letërsia erotike e të cilit ishte e prirur drejt dhimbjes. Një fenomen i ngjashëm ndodh edhe në sferën publike: udhëheqës populistë dhe autoritarë gërryejnë liritë qytetare, dobësojnë kontrollet dhe balancat demokratike, ndërsa kërcënojnë shtypin dhe gjyqësorin. Megjithatë, shumë votues, në vend që të dalin në rrugë për të protestuar, duket se e pëlqejnë të gjithë këtë.

Asnjë shtet nuk e ilustron këtë impuls mazokist më mirë se sa India. Maya Tudor nga Universiteti i Oksfordit shkruan se, nën kryeministrin Narendra Modi, “institucione kyçe demokratike janë formalisht në këmbë, ndërkohë që normat dhe praktikat në themel të demokracisë janë gërryer në mënyre substanciale.” Në vitin 2021, Freedom House ndryshoi renditjen e saj për Indinë nga një vend “i lirë”, në një vend “pjesërisht i lirë”, ndërsa projekti i Universitetit të Gothenburg-ut, Varieties of Democracy (V-Dem), e etiketoi Indinë si një “autokraci elektorale.” Pavarësisht kësaj, Modi mbetet një nga udhëehqësit e zgjedhur më popullorë, me një aprovim prej 67%, sipas një sondazhi të fundit.

Meksika nën ish-presidentin Andres Manuel Lopez Obrador (AMLO), është një tjetër shembull. Ai përndoqi opozitën, punësoi banditë në agjenci që deri atëherë kishin qenë të pavarura dhe organizoi një reformë, e cila vrau çfarëdo pavarësie që gëzonte gjyqësori i Meksikës. Sipas V-Dem, Meksika vuajti nga një “rënie në anti-demokraci” gjatë administratës së tij. Megjithatë, në momentin e largimit nga zyra, aprovimi për AMLO-n ishte thuajse 80%, dhe pasuesja e zgjedhur prej tij personalisht – Claudia Sheinbaum – u zgjodh me një shumicë të konsiderueshme.

Këto janë larg të qenit shembujt e vetëm. El Salvadori, Polonia, Hungaria, Turqia, Izraeli, Malajzia, Filipinet dhe Peruja, kanë patur të gjitha udhëheqës që kanë luajtur në mënyrë të papërgjegjshme me rregullat e demokracisë, pa iu cenuar popullariteti. Ish-presidenti brazilian, tashmë në burg, dërgoi mbështetësit e tij vandalë të sulmonin parlamentin në 2023-in, pasi humbi zgjedhjet, por ai vazhdon të jetë i dashur në shumë zona të vendit – aq sa sondazhet sugjerojnë se djali i tij Flavio mund të fitojë zgjedhjet e tetorit përballë Presidentit Luiz Inacio Lula da Silva. Është paradoksale, sikur gjelat e detit të gëzonin për ardhjen e Krishtlindjeve.

Po, përse ndodh kjo? Me zgjedhjet e mesit të mandatit që po afrohen në SHBA, kjo pyetje bëhet edhe më urgjente. Shumë Demokratë argumentojnë se, meqenëse Presidenti Donald Trump ka qenë kaq hapur autoritar, njerëzit do të votojnë masivisht kundër tij. Por, historia e kohëve të fundit sugjeron se ky optimizëm është i pabazë.

Një shpjegim për kundërshtimin e demokracisë liberale është se, në shumë vende, politika është bërë jashtëzakonisht liberale dhe pamjaftueshmërisht demokratike. Tingëllon paradoksale, por lejomëni ta shpjegoj.

Një shpjegim i thjeshtë i demokracisë është se ajo është sundimi i shumicës. Demokracia liberale shton të drejtat e individit, si edhe kontrollet dhe balancat për të garantuar që sundimi i shumicës të mos kthehet në tirani. Gjykatat e pavarura, agjencitë qeveritare autonome dhe rregullatorët e specializuar mund të sprapsin vullnetin e shumicës. Masat mund të duan para me sa më pak kosto, por një bankë qendrore e pavarur mund të refuzojë të ulë normën e interest. Shumica mund të kërkojë të kufizojë të drejtat e adhurimit për një pakicë njerëzish që i përkasin një besimi tjetër, por gjykata me gjasë do ta konsideronte diçka të tillë si jokushtetuese. Por, kur këto gjëra ndodhin shumë shpesh, sipas teorisë, shumica zemërohet dhe është e gatshme të gjejë rrugë të shkurtra për të garantuar që vullneti i saj do të përkthehet në politikë.

Është një shpjegim i zgjuar, por tepër abstrakt. Votuesit nuk zgjohen në mëngjes duke menduar se duhet të luftojnë kundër kufizimit të preferencave të shumicës. Megjithatë, disa zgjohen duke menduar se zyrtarë të lartë, gjykatës, apo bankierë të bankës qendrore janë anëtarë arrogantë të një elite lehtësisht të urryeshme. Shtoji kësaj edhe një dozë të vogël populizmi dhe e gjitha tingëllon më e mundshme. Tensioni mes qytetarëve dhe burokratëve është edhe më akut kur burokratët janë t ëhuaj, siç ndodh në Bashkimin Europian.

Me një qasje paksa më ekstreme, një studim nga studiues izraelitë, argumenton se mbështetja ndaj bjerrjes së demokracisë mund të jetë rezultat i politikave personaliste dhe asaj çka shkencëtarët politikë e quajnë “polarizim afeksionues”: nëse lideri im i preferuar po lufton kundër elitave penguese që unë i përçmoj, atëherë kujt i intereson nëse ai thyen disa rregulla, apo injoron disa hollësi demokratike gjatë rrugës?

Kjo gjetje mund të tingëllojë si lajm i keq, por nuk është e tillë, sepse sugjeron se ajo çfarë po përjetojmë nuk është sulm ndaj vetë demokracisë. Institucionet demokratike janë më shumë se sa një set rregullash abstrakte. Ato drejtohen nga njerëz dhe janë këta njerëz, të cilët votuesit i urrejnë. Lajmi i mirë është se ne mund t’i ndryshojmë njerëzit në fjalë – duke i bërë më pak arrogantë dhe më pak të ftohtë – gjithë duke ruajtur rregullat bazë të jetës demokratike.

Demokracia ndoshta nuk po vuan për shkak të dështimeve të saj (si për shembull paaftësia e supozuar e saj për të sjellë rezultate), por për shkak të sukseseve. Kur demokracia përbënte kauzën e kryengritësve – si në Europën Lindore gjatë komunizmit, në Afrikën e Jugut gjatë apartheidit, apo në Amerikën Latine nën diktaturat e viteve ’70 dhe ’80 – ajo ishte e lehtë për t’u dashur nga njerëzit. Por, në momentin që kthye në sistemin e establishmentit, e administruar nga burokratë me costume të errëta dhe që flasin me një zhargon të pakuptueshëm, ajo u bë e lehtë për t’u urryer.

Kështu që, klisheja se kura për mangësitë e demokracisë është më shumë demokraci, është pjesërisht e gabuar. Bëni thirrje për një politike demokratike më plebeiane dhe do të keni oshëtimën e duhur të betejës

Lini një Përgjigje