Hungaria njoftoi të enjten se ka nisur procedurat për t’u tërhequr nga Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP), duke u bërë kështu vendi i parë anëtar i Bashkimit Evropian që ndërmerr një hap të tillë.
Vendimi u bë publik nga Gergelj Gulja, shef kabineti i kryeministrit Viktor Orban. Në një deklaratë të shkurtër për shtyp, ai theksoi se qeveria do të ndjekë procedurën ligjore për tërheqjen nga kjo gjykatë, në përputhje me kushtetutën dhe të drejtën ndërkombëtare.
Njoftimi vjen në të njëjtën ditë kur kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu mbërriti për një vizitë zyrtare në Budapest, pavarësisht urdhër-arrestit ndërkombëtar të lëshuar ndaj tij nga GJNP. Ai akuzohet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të lidhura me ofensivën ushtarake në Rripin e Gazës.
Hungaria e drejtuar nga qeveria konservatore e Viktor Orban e kishte ftuar shefin e qeverisë izralite që në muajin nëntor të vitit të kaluar, menjëherë pas shpalljes së urdhër-arrestit ndaj tij. Vendimi për të pritur një udhëheqës mbi të cilin rëndojnë akuza të rënda nga një institucion ndërkombëtar është pritur me reagime të ndryshme në skenën ndërkombëtare.
Tërheqja nga GJNP pritet të shkaktojë debate të ashpra në radhët e Bashkimit Evropian, ku shumica e vendeve anëtare mbështesin punën e kësaj gjykate në ndjekjen penale të krimeve të luftës dhe shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut.
Lini një Përgjigje