Ofensiva ushtarake e Azerbajxhanit në Nagorno-Karabak ka rikthyer vëmendjen te Tony Blair, ish-krymeinistri britanik me lidhje të forta me qeverinë azere. Ilham Aliyev, presidenti i Azerbajxhanit që nga viti 2003, deklaroi fitoren të enjten pas operacionit dy-ditor, të cilin kryeministri armen e ka cilësuar “spastrim etnik”.
Blair ka krijuar lidhje të forta me Aliyev pasi la detyrën si kryeministër i Britanisë dhe nisi të punonte si këshilltar për qeveri dhe kompani të ndryshme shumëkombëshe, një punë nga e cila ka fituar miliona dollarë. Në vitin 2014, Blair u bë këshilltar për një konsorcium të drejtuar nga British Petroleum, i cili po kërkonte eksportin e gazit natyral nga Azerbajxhani në Europë, një projekt i Aliyev. Si rezultat u ndërtua TAP, një gazsjellës që përfundon në Apulia, Itali. TAP përfundoi në 2018 dhe u bë funksional në 2020. Projekti pati mbështetjen e gjerë të Britanisë dhe Bashkimit Europian, të cilat e panë si një opsion që do të diversifikonte furnizimin e Europës me gaz.
Sacha Deshmukh, nga Amnesty International në Britani, thotë se Blair duhet t’u përgjigjet disa pyetjeve mbi punën që ka bërë në këtë rajon:
"Shkelja e të drejtave të njeriut në Azerbajxhan është e njohur – duke përfshirë një goditje të vazhdueshme ndaj gazetarëve, arrestime arbitrare, ndjekje penale të motivuara politikisht të aktivistëve, shtypjen e protestave paqësore dhe pak përparim në nxjerrjen e kriminelëve të dyshuar të luftës para drejtësisë – dhe Tony Blair do të duhet të tregojë se ai u përpoq t’i përdorte këshillat dhe ndikimin e tij për të drejtuar qeverinë e Azerbajxhanit në trajtimin e duhur të këtyre shkeljeve të tmerrshme të të drejtave të njeriut.
Blair duhet të tregojë se roli i tij në këshillimin e qeverisë së Azerbajxhanit nuk përfshinte as përfshirje të drejtpërdrejtë në shkeljet e të drejtave të njeriut apo dhënien e këshillave që në çfarëdo mënyre synonin të shmangnin ose minimizonin përputhjen e pritshme të Azerbajxhanit me ligjet dhe standardet e të drejtave të njeriut".
Tony Blair Associates, kompani e konsulencës ndërkombëtare, e themeluar në vitin 2016, ka deklaruar si objektiv të saj punët bamirëse.
Lini një Përgjigje