Plani amerikan për paqe i bazuar në një dokument rus?

26 Nëntor 2025, 11:16Bota TEMA
Plani amerikan për paqe i bazuar në një dokument rus?

Plani i paqes me 28 pika i mbështetur nga SHBA-të për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, i bërë publik javën e kaluar, është bazuar në një dokument të hartuar nga Rusia dhe i është dorëzuar administratës Trump në muajin tetor. Të paktën kështu raporton Reuters këtë të mërkurë, duke iu referuar tre burimeve të paidentifikuara, të njohura me çështjen.

Rusët ndanë dokumentin, i cili përshkruante kushtet e Moskës për përfundimin e luftës, me zyrtarë të lartë amerikanë në mesin e tetorit, pas një takimi mes presidentit të SHBA-ve Donald Trump dhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskiy në Washington.

Dokumenti përmbante detaje që qeveria ruse e kishte paraqitur më parë në tryezën e negociatave, përfshirë lëshime që Ukraina i kishte refuzuar, si dorëzimi i një pjese të konsiderueshme të territorit në lindje.

Kjo është hera e parë që konfirmohet se dokumenti, ekzistenca e të cilit u raportua fillimisht nga Reuters në tetor, ishte një element kyç në planin e paqes me 28 pika.

Shtëpia e Bardhë nuk komentoi drejtpërdrejt mbi dokumentin, por citoi komentet e Trump-it se ai ishte optimist për ecurinë e planit me 28 pika.

“Në shpresën për finalizimin e këtij plani paqeje, kam udhëzuar të dërguarin tim special Steve Witkoff të takohet me presidentin Putin në Moskë dhe, në të njëjtën kohë, sekretari i ushtrisë Dan Driscoll do të takohet me ukrainasit,” shkroi Trump.

Nuk është e qartë pse dhe si administrata Trump u mbështet tek dokumenti rus për të ndihmuar në formësimin e planit të saj të paqes. Disa zyrtarë të lartë amerikanë që e shqyrtuan, përfshirë Sekretarin e Shtetit Marco Rubio, besonin se kërkesat e Moskës do të refuzoheshin menjëherë nga ukrainasit, thanë burimet.

Skepticizëm mbi ndikimin rus

Pas dorëzimit të dokumentit, Rubio zhvilloi një telefonatë me Ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov, gjatë së cilës u diskutua dokumenti, thanë burimet.

Duke folur për gazetarët në Gjenevë këtë javë, Rubio pranoi se kishte marrë një dokument të shkruar “dhe gjëra të kësaj natyre”, pa dhënë detaje.

Që kur plani i paqes u raportua për herë të parë nga Axios javën e kaluar, skepticizmi është rritur mes zyrtarëve dhe ligjvënësve amerikanë, shumë prej të cilëve e shohin planin si një listë pozicionesh ruse dhe jo si një propozim serioz.

Megjithatë, SHBA-të kanë ushtruar presion mbi Ukrainën, duke paralajmëruar se mund të kufizojë ndihmën ushtarake nëse Ukraina nuk e nënshkruan.

Plani u hartua të paktën pjesërisht gjatë një takimi mes dhëndrit të Trump, Jared Kushner, të dërguarit special Steve Witkoff dhe Kirill Dmitriev, kreut të një prej fondeve sovrane të pasurisë së Rusisë, në Miami muajin e kaluar. Pak persona brenda Departamentit të Shtetit dhe Shtëpisë së Bardhë u informuan për atë takim, thanë dy burime të njohura me çështjen për Reuters.

Të martën, Bloomberg raportoi se Witkoff kishte dhënë këshilla një ndihmësi të lartë të Kremlinit, Yuri Ushakov, mbi mënyrën se si Putini duhej të fliste me Trump. Sipas transkripteve të telefonatave të siguruara nga agjencia e lajmeve, Ushakov dhe Witkoff aluduan për një “plan me 20 pika” që më 14 tetor. Shtrirja e atij plani duket se u zgjerua gjatë bisedimeve të mëvonshme me Dmitriev, shtoi raporti.

Propozimi amerikan, i cili i befasoi zyrtarët në Washington dhe Evropë, shkaktoi një valë reagimesh diplomacie në tre kontinente. Plani fillestar ka ndryshuar ndjeshëm që atëherë: Nëntë nga 28 pikat origjinale janë hequr pas bisedimeve mes zyrtarëve të lartë amerikanë dhe ukrainas.

Lini një Përgjigje