Nga Sudha David-Wilp dhe Liana Fix
Para se Friedrich Merz të fitonte zgjedhjet parlamentare në Gjermani në shkurt të këtij viti, vendi përballej me një dilemë financiare: stanjacioni ekonomik kërkonte reforma dhe investime të thella për të rigjallëruar industrinë, ndërsa Shtetet e Bashkuara kërkonin rritje të shpenzimeve për mbrojtjen kolektive. Mosmarrëveshjet buxhetore se si të përmbusheshin njëkohësisht këto prioritete kundërthënëse çuan në rrëzimin e qeverisë së kancelarit Olaf Scholz. Për të shmangur të njëjtin fat, ligjvënësit në koalicionin e gjerë të Merz-it, që përfshin Unionin Kristian Demokrat (qendër e djathtë), Partinë Socialdemokrate (qendër e majtë) dhe të Gjelbrit, ranë dakord të përdorin borxhin për të financuar këto dy detyrime. Papritur, Gjermania u gjend me shumë para në dispozicion.
Megjithatë, shtatë muaj më pas, qeveria e Merz-it ende nuk ka arritur të hartojë një drejtim të qartë për reformën ekonomike dhe as t’i bindë votuesit se ditë më të mira janë përpara. Lëvizjet e guximshme të Merz-it për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes kanë konfirmuar rolin udhëheqës të Gjermanisë në Evropë, por me koston e rënies së popullaritetit të tij brenda vendit. Angazhimi i madh politik në samite ndërkombëtare për të menaxhuar marrëdhëniet me presidentin amerikan Donald Trump dhe për të mbështetur Ukrainën e ka bërë Merz-in të cenueshëm ndaj akuzave se po fokusohet tepër në politikën e jashtme dhe jo mjaftueshëm në problemet e brendshme.
Partia e djathtë ekstreme, pro-ruse, Alternativa për Gjermaninë (AfD), po shfrytëzon ankthin ekonomik për të fituar terren në sondazhe, duke akuzuar qeverinë Merz se po shpërdoron pasurinë gjermane për të ndërtuar një “ekonomi lufte”. Dhe ndonëse përpjekjet e Merz-it në fushën e mbrojtjes i kanë sjellë vlerësime nga Shtëpia e Bardhë, administrata Trump po e minon gradualisht atë duke normalizuar AfD-në dhe, sipas Strategjisë së re të Sigurisë Kombëtare, edhe “partitë patriotike evropiane”.
Qeveria Merz nuk ka shumë kohë për të amortizuar pakënaqësinë në rritje të elektoratit. Mosndërmarrja e reformave për rigjallërimin dhe rritjen e ekonomisë gjermane mund të rrezikojë mbështetjen publike për koalicionin centrist. Nëse Kristian Demokratët dhe Socialdemokratët humbasin më shumë terren ndaj AfD-së, ata mund të humbasin edhe aftësinë për të ndërtuar koalicione të qëndrueshme në të ardhmen. Nëse koalicioni i madh dështon të ndjekë një rrugë reformash dhe rritjeje ekonomike, ai mund të shpërbëhet para kohe dhe të përmbysë rolin udhëheqës të shumëpritur të Gjermanisë në Evropë, në dëm të interesave amerikane.
Angela Merkel, ish-udhëheqësja e Gjermanisë dhe rivale kryesore e Merz-it, u bë kancelare në vitin 2005 duke e lënë atë dhe kandidatë të tjerë mënjanë. Ajo arriti të qëndrojë në pushtet për 16 vjet duke shmangur reformat potencialisht përçarëse. Kjo nuk është një formulë që Merz mund ta përballojë.
Lëvizjet financiare
Merz mori detyrën me mandatin për të forcuar kapacitetet mbrojtëse të Gjermanisë dhe për të përmirësuar ekonominë. Për të shmangur debatin klasik “armë apo mirëqenie”, ai theu preferencën tradicionale të partisë së tij për disiplinë fiskale dhe shtyu parlamentin të lehtësonte “frenën e borxhit”. E vendosur në vitin 2009, kjo frenë kufizon deficitin në 0.35 për qind të PBB-së. Pas zgjedhjeve federale, parlamenti ndryshoi rregullat për të lejuar shpenzime të pakufizuara për mbrojtjen dhe për të shmangur shkurtime të mëdha në fusha si mirëqenia sociale. Merz ra gjithashtu dakord të ndajë 500 miliardë euro, një shifër record, për investime në infrastrukturën e amortizuar të Gjermanisë.
Njëkohësisht, Berlini ka synuar të përmbushë detyrimet ndaj sigurisë evropiane. Në samitin e NATO-s në Hagë, Gjermania u zotua të rrisë shpenzimet e mbrojtjes në pesë për qind deri në vitin 2035, me 3.5 për qind për nevojat bazë të mbrojtjes. Nën presionin e Trump-it, Merz ka shpallur tashmë një rritje masive të shpenzimeve ushtarake, duke e çuar Gjermaninë drejt përmbushjes së angazhimeve të NATO-s përpara afatit. Buxheti i mbrojtjes, rreth 650 miliardë euro për pesë vitet e ardhshme, është tashmë më i madhi në Bashkimin Evropian. Rreth 8.5 miliardë euro në vit janë parashikuar për mbështetjen e Ukrainës.
Merz ndihmoi gjithashtu në sigurimin e shitjes së armëve amerikane për Ukrainën, pasi administrata Trump ndërpreu ndihmën ushtarake direkte. Ai arriti një marrëveshje sipas së cilës Gjermania dhe vende të tjera evropiane do të blinin sisteme Patriot nga SHBA dhe do t’ia dërgonin Kievit. Në korrik, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, vlerësoi lidershipin dhe vendosmërinë e Gjermanisë.
Djalli fshihet në detaje
Megjithatë, këto vlerësime nuk pasqyrohen në opinionin publik vendas. Edhe pse shumica e gjermanëve mbështesin rritjen e shpenzimeve ushtarake të financuara me borxh, shumë prej tyre kërkojnë që borxhi të përdoret edhe për industri, pensione dhe arsim. Rritja industriale ka stagnuar që nga viti 2019 dhe ekonomia gjermane pritet të rritet vetëm me 0.2 për qind në 2025 dhe 0.6 për qind në 2026.
Modeli ekonomik gjerman është dëmtuar nga mungesa e investimeve të brendshme, nga tarifat amerikane dhe nga mbikapacitetet kineze. Tani, me reformimin e frenës së borxhit, qeveria ka më shumë mjete financiare se çdo qeveri e mëparshme për të kombinuar mbrojtjen me reformat ekonomike. Por Merz duhet të justifikojë këtë kthesë dhe të tregojë se fondet nuk po shpërdorohen.
Plani i tij “Agjenda 2030”, që përfshin ulje taksash, deregulim dhe shkurtime të kufizuara në përfitimet sociale, deri tani nuk ka bindur elektoratin. Konfliktet brenda koalicionit mbi përdorimin e fondit të infrastrukturës kanë shtuar frikën se borxhi po përdoret për interesa elektorale, jo për zhvillim afatgjatë.
Dështimi për të dhënë rezultate ka forcuar AfD-në, e cila sot gëzon mbështetje rekord. Ndërkohë, elementë të lëvizjes MAGA në SHBA po afrohen me AfD-në, duke e dobësuar më tej pozicionin e Merz-it si lider transatlantik.
Merz përballet me rreziqe të mëdha: tërheqja amerikane, agresioni rus dhe presioni ekonomik nga Kina kërkojnë veprime të forta në politikën e jashtme. Por, siç tregoi edhe Helmut Kohl, suksesi në diplomaci nuk garanton fitore elektorale. Sipas sondazheve, 76 për qind e gjermanëve janë të pakënaqur me performancën e Merz-it.
Megjithatë, koalicioni po qëndron i bashkuar nga frika se zgjedhjet e parakohshme do t’i hapnin rrugë AfD-së. Nëse kjo parti fiton ndjeshëm në zgjedhjet e ardhshme federale, ndërtimi i koalicioneve qendrore do të bëhet edhe më i vështirë dhe roli udhëheqës i Gjermanisë në Evropë mund të jetë jetëshkurtër.
Gjermania ka kaluar më parë reforma të vështira dhe ka dalë më e fortë. Merz duhet tani të realizojë premtimin e tij për rinovim me “Agjendën 2030”. Me mbi një trilion euro të dedikuara për mbrojtjen dhe infrastrukturën, ai ka mjetet fiskale për të rilindur ekonominë dhe për të ruajtur qendrën politike. Pa këtë qasje, ekstremizmi i AfD-së rrezikon të zëvendësojë centrizmin që i nevojitet Gjermanisë dhe Evropës.
Foreign Affairs
Lini një Përgjigje