Tensionet mes Venezuelës dhe SHBA-së, Këshilli i Sigurimit i OKB-së mblidhet në një seancë urgjente

23 Dhjetor 2025, 12:54Bota TEMA
Tensionet mes Venezuelës dhe SHBA-së, Këshilli i Sigurimit i

Tensionet mes Venezuelës dhe SHBA-së po përshkallëzohen. Presidenti i SHBA-së, Trump i sugjeron presidentit Maduro të japë dorëheqjen. Këshilli i Sigurimit i OKB-së mblidhet sot në një seancë urgjente.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së mblidhet të martën (23.12.) në një takim urgjent për të diskutuar tensionet midis Venezuelës dhe Shteteve të Bashkuara.  Qeveria në Karakas kërkoi takimin me mbështetjen e Rusisë dhe Kinës.  Ndërkohë, retorika e qeverisë amerikane ndaj Venezuelës po bëhet gjithnjë e më e ashpër.

Në një konferencë për shtyp të hënën, Presidenti i SHBA-së Donald Trump sugjeroi që Presidenti i Venezuelës, Nicolás Maduro të japë dorëheqjen: "Varet tërësisht nga ai se çfarë dëshiron të bëjë. Mendoj se do të ishte e mençur nga ana e tij ta bënte këtë", u përgjigj Trump kur u pyet nëse qeveria amerikane kishte ndërmend ta detyronte Maduron të jepte dorëheqjen duke ushtruar presion mbi Venezuelën. Trump shtoi, se "nëse ai dëshiron të bëjë diçka - nëse sillet ashpër, do të jetë hera e fundit që do të sillet ashpër.”

Pak më parë edhe Sekretarja e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Kristi Noem kishte kërkuar dorëheqjen e Maduros. "Ne nuk kufizohemi vetëm në kapjen e këtyre anijeve, por gjithashtu po i dërgojmë botës një mesazh se aktivitetet e paligjshme të Maduros janë të patolerueshme dhe se ai duhet të largohet", tha Noem për Fox News. Anijet për të cilat e ka fjalën Noem janë dy cisterna nafte që SHBA-të i sekuestruan së fundmi në brigjet e Venezuelës.  Një anije e tretë mallrash thuhet se është ende duke u gjurmuar nga Roja Bregdetare e SHBA-së.

Trump: "Do të mbajmë anijet"

Sipas Trump, cisternat e naftës të sekuestruara do të mbeten në pronësi të Shteteve të Bashkuara. Duke iu referuar cisternës së parë të naftës të sekuestruar më 10 dhjetor, republikani tha për naftën: "Ne do ta mbajmë atë". Ai shtoi se ajo mund të përdoret për rezerva strategjike. Trump vazhdoi: "Ne do i mbajmë edhe anijet".

Qeveria e Venezuelës e dënoi ashpër sekuestrimin. Eksportet e naftës bruto të Venezuelës kanë rënë ndjeshëm që atëherë. Anijet e ngarkuara mbeten në ujërat e Venezuelës nnga frika se rrezikojnë konfiskimin. Në fillim të viteve 2000, Venezuela shtetëzoi fushat e naftës, duke prekur kompanitë e huaja, përfshirë ato nga SHBA-ja. Kjo u pasua nga një mosmarrëveshje për kompensimin.

Fushata kërcënuese e Trump kundër Maduros përfshin praninë ushtarake në rritje në rajonin e Amerikës së Jugut. Përpara operacioneve kundër cisternave të naftës, ushtria amerikane kishte sulmuar vazhdimisht anije në Karaibe dhe në Paqësorin lindor në javët e fundit, duke pretenduar se ato kontrabandonin drogë drejt Shteteve të Bashkuara. Dhjetëra njerëz humbën jetën në këto sulme. (DW)

2 Komente

  1. 7
    777

    Z. Tramp, ti Venezuelen e ke akuzu për drogë që gjoja vjen nga Venezuela dhe futet në SH.B.A . po me naften e saj çfar ke. Edbe për drogen që pretendon ti se futet në shtetin tënd, atëhere ti paske probleme me Ministrinë e Mbrojtjes tande që nuk qenkeni në gjendje të ruani kufitë tuaj.. Kujdes mos u hap b..... se Venezuela ka me vehte Rusi dhe Kinë dhe gjithë shtetet e amerikës jugut. Me thënë të drejten të gjithë botës ja keni prurë në majë të hundës dhe po ju urrejnë. Se jeni ju që qysh mbas Luftës dytë botrore nuk i keni pushuar luftrat në çdo cep të botës, nën protekstin se jeni supërfuqi e parë botrore. Prandaj mos bridhni hu më hu se ndonjë ditë do ju ngulet huri si në Vietnam, Afganistan etj.

    Përgjigjjuni
    1. 3
      333

      Edhe në ukrain është dora e angloamerikanëvet me vasalët e perendimit, qe ndezën konfliktin thjesht për pasurit e sajë! Droga për venezuelën është preteksi! A ju kujtohet qe europa perendimore nuk i njohu zgjedhjet në venezuel gjoja të vjedhura nga Maduro! Po çmimi nobël kush ja dha opozitares të Moduros?! Çdo gjë në këtë botë është gënjshtër!

      Përgjigjjuni

      Lini një Përgjigje