Presidenti iranian, Masoud Pezeshkian këtë të martë ka deklaruar se vendi i tij është i angazhuar në një luftë në shkallë të plotë që shtrihet në ekonominë e Iranit.
“Realiteti është se sot Republika Islamike e Iranit është e angazhuar në një luftë në shkallë të plotë”, tha ai.
“Lufta e sotme nuk është thjesht një luftë raketash; armiku ka arritur në përfundimin se nuk mund ta detyrojë popullin iranian të dorëzohet përmes sulmeve ushtarake.
Ekonomia dhe mjetet e jetesës së njerëzve janë arena më e rëndësishme e përballjes me armikun”, shtoi Pezeshkian.
Presidenti iranian ka paralajmëruar shpesh për pasojat ekonomike dhe sociale të konfliktit me Shtetet e Bashkuara.
“Është e papranueshme për ne të jetojmë në një shoqëri ku njerëzit përballen me probleme të jetesës, papunësi, varfëri dhe vështirësi.
Nëse presionet ekonomike prodhojnë pakënaqësi sociale dhe kjo pakënaqësi përhapet, kapitali i madh social i krijuar nga njerëzit në mbështetje të sistemit mund të dëmtohet”, tha Pezeshkian.
Në një takim me drejtuesit e mediave muajin e kaluar, Pezeshkian tha se ruajtja e unitetit dhe kohezionit kombëtar është përparësia kryesore e Iranit në rrethanat aktuale.
Që atëherë, SHBA-të kanë rifilluar bllokadën e porteve iraniane dhe kanë bombarduar infrastrukturën kritike si rrugët, hekurudhat, urat dhe tunelet.
Papunësia në Iran është përkeqësuar që nga fillimi i konfliktit dhe monedha e tij ka arritur nivele të reja minimale. Në qershor, norma vjetore e inflacionit ishte 88%, sipas të dhënave zyrtare.
Lini një Përgjigje