QatarEnergy: Sulmet iraniane po dëmtojnë impiantet, rrezikohen furnizimet ndërkombëtare

19 Mars 2026, 17:35Bota TEMA
QatarEnergy: Sulmet iraniane po dëmtojnë impiantet, rrezikohen

Sulmet e Iranit ndaj Katarit kanë shkaktuar dëme të mëdha në impiantet e QatarEnergy, duke prekur rreth 17% të kapacitetit të eksportit të gazit natyror të lëngshëm (LNG) të kompanisë.

CEO i saj, Saad al-Kaabi, deklaroi për Reuters se riparimet do të zgjasin nga tre deri në pesë vite.

Al-Kaabi tha se dy nga 14 impiantet e LNG-së dhe një nga dy impiantet e gazit në lëng (GTL) janë dëmtuar, duke sjellë humbje prej 12.8 milionë tonësh LNG në vit, që përkthehet në rreth 20 miliardë dollarë të ardhura të humbura.

“Nuk do ta kisha imagjinuar kurrë, as në ëndrrat e mia më të çmendura, që Katari dhe rajoni mund të bëheshin objekt i një sulmi të tillë, veçanërisht nga një vend mysliman vëlla gjatë muajit të Ramazanit”, u shpreh ai.

Pasojat e sulmeve:

-Eksportet e kondensatit (lëng hidrokarbur i ngjashëm me naftën shumë të lehtë) pritet të bien me 24%.

-Eksportet e GPL me 13%.

-Eksportet e naftës dhe squfurit me 6%.

-Eksportet e helium-it me 14%.

Kompania paralajmëroi se mund të shpallë “forcë madhore” për kontratat afatgjata të furnizimit me LNG për Italinë, Belgjikën, Korenë e Jugut dhe Kinën.

Al-Kaabi theksoi se impiantet e ndërtuara me një kosto prej 26 miliardë dollarësh nuk duhet të jenë objekt sulmesh, duke shtuar se partner në këto impiante është edhe ExxonMobil, me pjesë prej 34% në GTL s4 dhe 30% në LNG s6.

“Për të rifilluar prodhimin, duhet së pari të ndalen armiqësitë,” përfundoi Al-Kaabi.

Lini një Përgjigje