''Do të duhen edhe disa javë për të nisur projektin në Shqipëri''. Kështu iu përgjigj kryeministrja Giorgia Meloni pyetjes së gazetarëve në fund të takimit me kryeministrin britanik Keir Starmer, lidhur me qendrën e azilkërkuesve në Shëngjin dhe Gjadër.
Sipas kryeministres Meloni, qeveria italiane po punon mbi këtë projekt me seriozitet të jashtëzakonshëm, pasi theksoi ajo, të gjithë sytë e botës janë fokusuar në këtë nismë
"Ne jemi duke punuar për këtë projekt me seriozitet të jashtëzakonshëm. Do të duhen edhe disa javë që të jetë perfekt. Do të kisha preferuar që të fillonte më herët por ne i kemi sytë e botës të fokusuar tek kjo nismë. Nëse duhen pak më shumë ditë nuk më intereson”.
Kjo nismë, sipas Melonit nuk ishte testuar më parë dhe nëse funksionon do të jetë një gur themeli për parandalimin e kriminelëve.
“Modeli që qeveria italiane ka imagjinuar të qendrave për të përpunuar kërkesat për azil nën juridiksionin italian dhe europian në një vend të huaj nuk ishte testuar, nëse funksionon dhe besoj se do të funksionojë të gjithë e kuptojnë se ka një çelës edhe për elementin e parandalimit të kriminelëve”, u shpreh Meloni.
Shëngjini është pika e parë ku do të mbërrijnë emigrantët, ndërsa qendra do të shërbejë për përpunimin e të gjitha kërkesave për azil
Nga ana tjeter ish-baza ajrore e Gjadrit është pika ku qeveria shqiptare në bashkëpunim me atë italiane do të ngrenë qendrën tjetër. E konceptuar si një zonë me siguri më të lartë këtu do të mbërrijnë të gjithë ata emigrantë të paligjshëm, të cilët do të kthehen në vendet e origjinës.
Marrëveshja e nënshkruar vitin e kaluar nga kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni dhe kryeministri shqiptar Edi Rama do të zgjasë për 5 vite, ndërsa parashikon që Shqipëria të presë mijëra azilkërkues në emër të Italisë, deri në 3 mijë emigrantë të marrë nga Roja Bregdetare Italiane në ujërat ndërkombëtare çdo muaj.
Lini një Përgjigje