Rusia: 50 dronë ukrainas u rrëzuan gjatë natës

20 Prill 2024, 14:06Bota TEMA
Rusia: 50 dronë ukrainas u rrëzuan gjatë natës

Ministria ruse e Mbrojtjes tha se sistemet e mbrojtjes ajrore kanë rrëzuar gjatë natës 50 dronë ukrainas që fluturuan në qiellin e tetë rajoneve ruse.

Mbi rajonin e Belgorodit, sipas ministrisë, u rrëzuan 26 dronë, dhjetë të tjerë u shkatërruan në rajonin e Brijanskut, tetë në Kursk, dy në Tula dhe nga një dron u rrëzua në rajonet Smolensk, Riazan, Kaluga dhe Moskë.

Në një fshat në Belgorod, dy persona u vranë në zjarrin që shpërtheu nga rënia e fragmenteve të dronëve, shkroi në Telegram guvernatori i Belgorodit, Vyacheslav Gladkov.

Ukraina, që përballet me pushtimin e paprovokuar të nisur nga Moska më 2022, nuk ka komentuar për këto pretendime ruse, të cilat nuk kanë mundur të konfirmohen në mënyrë të pavarur.

Ndërkaq, Kievi tha se trupat ruse kanë lëshuar shtatë raketa nga rajoni i Belgorodit dhe Detit të Zi në drejtim të caqeve brenda Ukrainës.

Sipas njoftimit të 20 prillit të bërë nga Forcat Ajrore ukrainase, dy raketa Kinzhal u shkatërruan nga sistemet ukrainase të mbrojtjes ajrore.

Ushtria ukrainase shtoi se ka rrëzuar edhe tre dronë vëzhgues rusë.

Në javët e fundit, Rusia ka intensifikuar në mënyrë dramatike sulmet me dronë dhe raketa ndaj infrastrukturës së energjisë ruse, duke shkaktuar dëme të mëdha në infrastrukturë dhe numër të madh të viktimave civile, teksa forcat ukrainase po përballen me mungesë të municioneve dhe të sistemeve të mbrojtjes ajrore.

Lini një Përgjigje