Rusia nis një sulm 'masiv' ndaj Ukrainës, ndërsa Kievi godet rafineritë e naftës

30 Gusht 2025, 17:49Bota TEMA
Rusia nis një sulm 'masiv' ndaj Ukrainës, ndërsa Kievi

Rusia nisi një sulm “masiv” gjatë natës së djeshme në rajonet jugore dhe qendrore të Ukrainës, thanë autoritetet, ndërsa Kievi goditi rafineritë ruse të naftës.

Një grua u vra në Zaporizhzhia dhe 28 persona u plagosën – përfshirë tre fëmijë – sipas zyrtarëve lokalë.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se Moska nisi mbi 500 dronë dhe 45 raketa, duke goditur 14 rajone në të gjithë vendin.

Pas sulmit, ministria e mbrojtjes e Rusisë tha në një deklaratë se të gjitha “objektivat e sulmit janë arritur” dhe “objektet e përcaktuara janë goditur”.

Kjo vjen mes përpjekjeve të vazhdueshme ndërkombëtare për të siguruar paqen – dhe disa ditë pasi Ukraina u përball me sulmin e dytë më të madh ajror të luftës deri më tani, me të paktën 23 të vrarë të enjten.

Në Dnipropetrovsk, Guvernatori Serhiy Lysak tha gjatë natës se rajoni ishte “nën sulm masiv” ndërsa paralajmëroi njerëzit të strehoheshin.

Është nata e dytë radhazi që Dnipropetrovsk është shënjestruar. Më herët këtë javë, Kievi pranoi se ushtria ruse kishte hyrë në rajon dhe po përpiqet të krijojë një pikëmbështetje.

Infrastruktura hekurudhore u dëmtua pranë Kievit, por ishte Ukraina qendrore dhe juglindore që mbajti peshën kryesore të sulmeve të fundit.

Shërbimet e emergjencës u panë duke shuar zjarre në Zaporizhzia, ndërsa shpërthime u dëgjuan në rajonet qendrore lindore të Dnipro dhe Pavlohrad.

Ndërkohë, ushtria e Ukrainës tha se goditi rafineritë e naftës Krasnodar dhe Syzran të Rusisë gjatë natës. Të dyja rafineritë janë shënjestruar më parë.

Ushtria ukrainase tha se pati “shpërthime të shumta dhe zjarre të regjistruara në objekt”, i cili, sipas tyre, prodhon një vëllim prej tre milionë tonësh në vit.

Autoritetet ruse në Krasnodar pranuan se sulmet me dronë nga Kievi goditën rafinerinë e tyre të naftës. Ata thanë se një nga njësitë e procesit u dëmtua dhe një zjarr ndodhi në zonë. Tha se nuk pati viktima.

Ministria ruse e mbrojtjes shtoi se kishte rrëzuar 20 dronë ukrainas gjatë natës, përfshirë 18 mbi Krimenë e aneksuar nga Moska.

Ushtria ruse tha gjithashtu se pushtoi një vendbanim rural në Donetsk – Komyshevakha të shtunën në mëngjes. Ukraina nuk e ka konfirmuar këtë.

Sulmet midis palëve ndërluftuese vijnë pas përpjekjeve diplomatike të udhëhequra nga SHBA-të që synojnë t’i japin fund luftës, të cilat deri më tani mbeten në një ngërç.

Zelensky tha se sulmet e fundit treguan “mosrespektimin e fjalëve” nga Rusia, duke shtuar se e vetmja mënyrë për t’u marrë me Rusinë është vendosja e sanksioneve.

“Ne presim veprime nga SHBA-të, Evropa dhe e gjithë bota”, tha ai.

Ministrat e jashtëm evropianë ndodhen në Danimarkë këtë fundjavë për të diskutuar zhvillimet ndërkombëtare – përfshirë luftën në Ukrainë.

Një nga çështjet kryesore është mundësia e ngrirjes së aseteve ruse me vlerë afërsisht 210 miliardë euro (181.7 miliardë paund).

Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, e cila është në takim, tha se është e qartë se “Rusia nuk dëshiron paqe” pavarësisht përpjekjeve diplomatike.

Franca tha se do ta përdorë takimin për të paraqitur propozime të reja për sanksione kundër Rusisë, me qëllim që të shterojë “burimet që Rusia po investon në këtë luftë”, citohet të ketë thënë ministri i jashtëm Jean-Noel Barrot nga agjencia shtetërore e lajmeve Tass.

Lini një Përgjigje