
Nga Max Boot
Lufta e nisur nga presidenti rus Vladimir Putinit në Ukrainë do të studiohet për shekuj me radhë nga historianët.
Do të shërbejë si një master class se si të mos luftohet.
Bombardimi i qyteteve ukrainase, taktika e tij më e fundit, është një tjetër lëvizje e dëshpëruar dhe e neveritshme që ka të ngjarë të dështojë.
Lufta nisi më 24 shkurt me nxitim për në Kiev dhe që përfundoi në një bllokim trafiku prej 40 miljesh të automjeteve ruse.
Ushtria ruse u tregua e paaftë për të sinkronizuar operacionet ajrore dhe tokësore me lëvizje të shpejta.
Asnjëherë nuk arriti të siguronte supremacinë ajrore, ndryshe kushti sine qua non i efektivitetit ushtarak që nga viti 1939.
Nga ana tjetër, ukrainasit janë treguar mjeshtër të taktikave të tilla duke përdorur raketa perëndimore si Javelin dhe Stinger.
Putin-i, nga mesi i muajit prill, e braktisi sulmin fatkeq në Kiev dhe i përqendroi forcat në lindje. Çka ishte edhe hera e vetme kur çdo gjë shkoi mirë për rusët.
Ata arritën të vinin në punë avantazhin e tyre në artileri për të shtyrë ngadalë ukrainasit nga provinca e Luhansk-ut deri në fillim të korrikut.
Por më pas ukrainasit filluan të marrin Sistemin Amerikan të Raketave të Artilerisë së Lëvizshmërisë së Lartë (HIMARS) dhe gjithçka ndryshoi.
Ukrainasit ishin në gjendje të ndalonin raketimet e pamëshirshme ruse. Dhe rusët nuk u përshtatën kurrë.
Ata, në fillim të shtatorit, bënë një tjetër gabim të madh.
Pasi i zhvendosën forcat nga lindja për t’u mbrojtur kundër një kundërsulmi ukrainas në jug, ata u kapën të papërgatitur kur ukrainasit filluan një sulm të befasishëm rreth Kharkiv-it.
Ushtria ukrainase çliroi mijëra kilometra katrorë të territorit duke i tronditur forcat ruse.
Putin-i, i dëshpëruar, urdhëroi një “mobilizim të pjesshëm” të fuqisë njerëzore më 21 shtator. Një tjetër fiasko.
Sipas të gjitha gjasave, më shumë rusë kanë ikur nga vendi sesa janë bashkuar me ushtrinë. Qeveria është reduktuar në dërgimin e policisë dhe ushtarëve për të gjetur rekrutë të mundshëm.
Dhe nuk është çudi që më pak rusë duan të shërbejnë.
Tanimë, arkivolet po kthehen në shtëpi me trupa të rekrutëve të patrajnuar të nxituar në vijat e frontit për t’u përballur me ukrainasit e testuar në betejë.
Ngjashëm si me luftën sovjetike në Afganistan, viktimat do të minojnë më tej mbështetjen për “operacionin special ushtarak” dhe diktatorin që e ka urdhëruar atë.
Me sa duket, Putin-i vijon të gabojë.
Ai, më 30 shtator, ka njoftuar aneksimin e katër provincave të Ukrainës që forcat e tij nuk i kontrollojnë plotësisht. Po ashtu ka hedhur poshtë kërcënimet e luftës bërthamore nëse Perëndimi nuk e lë të ikë.
Kjo nuk e ka ndalur ofensivën e Ukrainës apo mbështetjen perëndimore për të.
Më 10 tetor, pas një shpërthimi që dëmtoi rëndë urën që lidh Krimenë me kontinentin rus, Putin-i filloi të përdorë raketa dhe dronë për të sulmuar qytetet e Ukrainës.
Kjo kujton “Luftën e qyteteve” të burrit të fortë irakian Saddam Hussein kundër Iranit që filloi në vitin 1984.
Pasi nisi një luftë agresioni që shkoi keq, Husein iu drejtua bombardimeve të qyteteve me shpresën për të thyer vullnetin e Iranit për të luftuar.
Por “Lufta e Qyteteve” dështoi. Ajo thjesht çoi në hakmarrjen e iranianëve.
Edhe bombardimet gjermane të Londrës në vitet 1940-1941 dhe në vitet 1944-1945 me raketa V-1 dhe V-2, vetëm sa përshpejtuan rënien e Hitler-it.
Nuk ka asnjë provë nga 100 vitet e fundit se bombardimi terrorist ka qenë një taktikë fituese e luftës. Rezultati më i zakonshëm është bashkimi i popullatës në kundërshtim me sulmuesit.
Nëse Putin-i nuk përdor armë bërthamore, do të ketë kufizime se sa shkatërrim mund të shkaktojë, sepse mbrojtja ajrore e Ukrainës mbetet funksionale dhe po forcohet me sisteme perëndimore si IRIS-T gjerman.
Së shpejti, komandanti i ri rus në Ukrainë do të zbulojë se kjo nuk është aq e lehtë sa bombardimi i rebelëve të pafuqishëm sirianë.
Nëse Putin-i dëshpërohet vërtet, ai mund të përdorë armët taktike bërthamore, por ky është një opsion me rrezik të lartë që mund të rezultojë në një përgjigje ushtarake të NATO-s.
Paçka të gjitha pengesave që i kanë dalë para forcave ruse, ende nuk ka asnjë tregues se Putin-i është i gatshëm të tërhiqet.
Pa dyshim, ai ende shpreson se rezistenca do të shkërmoqet gjatë dimrit.
Në një përpjekje për të rritur presionin, ai po synon infrastrukturën elektrike në Ukrainë dhe po ndërpret shitjet e gazit natyror të Rusisë në Evropë.
Por tetë muaj pas luftës, nuk ka pasur asnjë shenjë lëkundjeje as në Ukrainë, as në Perëndim.
Kombinimi i barbarizmit rus dhe suksesit ushtarak ukrainas po e mban të bashkuar koalicionin anti-Putin.
Ushtria ukrainase e ka treguar veten se është shumë më e aftë dhe më e shkathët se ushtria ruse. Dhe kjo nuk do të ndryshojë pavarësisht sa rekrutë dërgon Kremlini në varr.
Askush nuk mund të thotë me siguri se si do të përfundojë kjo luftë.
Ama, çdo ditë që kalon, duket më e mundshme që Putin-i të mos jetë i kënaqur me rezultatin.
“The Washington Post”
Lini një Përgjigje