Starmer riorganizon qeverinë, David Lammy emërohet zv.kryeministër pas dorëheqjes së Angela Rayner

5 Shtator 2025, 20:50Bota TEMA
Starmer riorganizon qeverinë, David Lammy emërohet

Kryeministri britanik Keir Starmer po riorganizon qeverinë e tij pas dorëheqjes së zëvendëskryetares së Partisë Laburiste, Angela Rayner, për shkak të një skandali financiar.

Rayner dha dorëheqjen, dy ditë pasi pranoi se pagoi më pak taksë prone për blerjen e një apartamenti, një goditje e re për qeverinë Laburiste. Sipas BBC-së, sekretari i Jashtëm Britanik, David Lamy, është emëruar zëvendëskryeministër i ri, duke zëvendësuar Rayner-in.

Ministrja e re e Jashtme do të jetë Yvette Cooper, ndërsa ministrja e Drejtësisë, Shabana Mahmood, u emërua ministre e Brendshme.

Starmer shpreson që këto ndryshime të guximshme do t’i japin atij mundësinë ta rimarrë kontrollin e agjendës politike pas ditësh të tëra spekulimesh për të ardhmen e Raynerit dhe muajsh trazirash për administratën e tij.

Qeveria e tij ka pësuar një rënie të fortë të mbështetjes që prej fitores së madhe në zgjedhjet e vitit të kaluar, pas një vargu gabimesh në reformën e mirëqenies dhe rritjes së shqetësimeve publike për emigracionin.

Lini një Përgjigje