Suedia dhe Finlanda u bëjnë thirrje banorëve: Bëhuni gati për luftë

18 Nëntor 2024, 16:20Bota TEMA
Suedia dhe Finlanda u bëjnë thirrje banorëve: Bëhuni gati

Suedia ka nisur t’iu dërgojë banorëve rreth pesë milionë pamflete, duke iu bërë thirrje që të përgatiten për mundësinë e luftës.

Njëjtë edhe shteti fqinj, Finlanda, ka lansuar një faqe të internetit me thirrje të ngjashme.

Si Suedia, ashtu edhe Finlanda, kanë hequr dorë nga neutraliteti që kanë ruajtur për dekada, dhe i janë bashkuar aleancës ushtarake të NATO-s, pasi Rusia ka nisur luftën në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022.

Prej nisjes së luftës, Stokholmi u ka bërë thirrje vazhdimisht suedezëve që të përgatiten si mendërisht, ashtu edhe në aspektin logjistik për mundësinë e luftës, duke përmendur situatën serioze të sigurisë në afërsi.

Udhëzuesi “Nëse përballemi me krizë apo luftë”, i nisur prej Agjencisë Suedeze të Kontigjencave Civile, përmban informacion se si duhet të përgatiten banorët për emergjenca sikurse lufta, katastrofat natyrore dhe sulmet kibernetike.

Udhëzuesi është një version i përditësuar i pamfletit që Suedia e ka lëshuar pesë herë prej Luftës së Dytë Botërore.

Versioni paraprak, i nisur më 2018, ka qenë i pari që u është dërguar suedezëve prej vitit 1961, periudhë e Luftës së Ftohtë.

“Situata e sigurisë është serioze dhe duhet të forcojmë qëndrueshmërinë për t’u përballur me kriza apo edhe ndonjë luftë”, ka thënë Mikael Frisell nga Agjencia Suedeze e Kontigjencave Civile.

Në udhëzues përmendet edhe se si duhet siguruar edhe ruajtur ushqimi dhe uji.

Agjencia ka thënë se udhëzuesi i përditësuar i vitit 2024 ka në fokus përgatitjen për luftë.

Në dy javët e ardhshme, udhëzuesin pritet ta pranojnë 5.2 milionë shtëpi në Suedi.

Udhëzuesi është përgatitur në gjuhën suedeze dhe në disa gjuhë tjera. Po të hënën, Qeveria në Finlandë, e cila ndan një kufi prej 1.340 kilometrash me Rusinë, e ka lansuar një uebfaqe me informacione për përgatitje të banorëve për kriza të ndryshme.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022. Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./ REL

4 Komente

  1. U
    Unë

    Ç'ia fusni kot me këto lajme. Unë jetoj në Finlandë, në Helsinki. Asnjë lajm i tillë nuk është shpërndarë në media. Si rregull, lajme të tilla dalin në edicionet informative dhe jo në faqe web. Nëse ka ndonjë rrezik lufte, njerëzit njoftohen nëpërmjet sms-ve, që janë më të arritshme te qytetarët. Edhe një ndër mediat më të mëdha informative në Finlandë, www.yle.fi nuk ka nxjerrë asnjë njoftim të tillë. Mos përhapni kot panik ndër njerëz!!! Mund të pajtohem me faktin që keni një numër të caktuar shkrimesh që duhet të publikoni çdo ditë, por minimalisht, nxirrni burimin fillestar, emrin e web-it që pretendoni se e ka krijuar qeveria finlandeze dhe pastaj publikoni lajmin.

    Përgjigjjuni
    1. M
      MYRTO

      ISHALLA SPO TE THERRESIN TE MBROSH ATDHEUN E DYTE

      Përgjigjjuni
      1. U
        Unë

        Finlanda nuk është atdheu im i dytë dhe as i parë, ama është vendi ku kam zgjedhur të shkolloj fëmijët e mi, pa pasur frikë se mund të m'i vrasin në derë të shkollës. Është vendi ku mësuesit nuk e kryejnë profesionin e tyre me letrën e partisë në xhep, mesataren e shkollës së lartë nuk e kanë 6.5, por janë mësues me master dhe doktoraturë. Është vendi ku shërbimi shëndetësor nuk funksionon me lekë në xhep doktorit. Është vendi ku ajri, uji janë ndër më të pastrit në botë, ku punoj dhe mbaj familjen time, por edhe prindërit pensionistë në Shqipëri. Mirëmbetsh!

        Përgjigjjuni
    2. a
      andaluisti

      Mos u merzit or "byrazer" , Mehrua i nxjerr keto "mrekullira" sepse bejne pjese ne planin e luftes kundra imperializmit Rus . Keshtu Mehrua na ben lavazh truri se lufta e trete fillon neser ne ora 7 te mengjezit !!! Direktivat i merr direkt nga komandari yne i madherishem qe po e çon vendin nga fjetorja ne fjetore !!!! Njerezit do merren me "Luften e trete Boterore" dhe do harrojne se nuk kane te hane per neser !!!

      Përgjigjjuni

      Lini një Përgjigje