“Ku fillon drejtësia?” Gogu: Jo në sallën e gjyqit, por në Shkollën e Magjistraturës

4 Qershor 2026, 12:30Politika TEMA
“Ku fillon drejtësia?” Gogu: Jo në sallën e gjyqit,

Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, deklaroi sot se reforma në drejtësi po hyn në një fazë të re, ku vëmendja nuk përqendrohet më vetëm te ngritja e institucioneve, por te konsolidimi i tyre përmes formimit profesional dhe etik të brezit të ri të magjistratëve.

Në Konferencën Përmbyllëse të Projektit të Binjakëzimit për forcimin e Shkollës së Magjistraturës, ministri theksoi se cilësia e drejtësisë varet jo vetëm nga ligjet dhe institucionet, por edhe nga njerëzit që i zbatojnë ato.

“Ku fillon drejtësia? Shumë do të thoshin në sallën e gjyqit. Të tjerë në Kushtetutë. Por drejtësia fillon shumë më herët: në auditorin ku formohet gjyqtari i ardhshëm dhe në klasën ku trajnohet prokurori i ardhshëm”, u shpreh Gogu.

Duke iu referuar zhvillimeve të fundit në procesin e integrimit europian, ministri vlerësoi se konfirmimi i IBAR-it për Shqipërinë përbën një dëshmi se reformat në drejtësi kanë prodhuar rezultate konkrete dhe të verifikueshme.

“Po kalojmë nga një fazë e reformimit të sistemit në një fazë të konsolidimit të tij; nga ndërtimi i institucioneve tek forcimi i kulturës së tyre profesionale”, deklaroi ai.

Ministri vlerësoi kontributin e Bashkimit Europian, të partnerëve nga Franca, Italia dhe Holanda, si dhe të vetë Shkollës së Magjistraturës në modernizimin e sistemit të trajnimit të magjistratëve.

Sipas tij, suksesi i projektit nuk matet vetëm me ndryshimet procedurale apo akademike, por me ndikimin afatgjatë që ai do të ketë në cilësinë e drejtësisë shqiptare.

Në përmbyllje, Gogu theksoi se besimi i qytetarëve te drejtësia ndërtohet përmes njerëzve që do ta administrojnë atë në vitet që vijnë.

“Institucionet ndërtohen me ligje. Por besimi ndërtohet me njerëz. Dhe njerëzit që do të mbajnë mbi supe drejtësinë shqiptare të viteve që vijnë po formohen pikërisht këtu, në Shkollën e Magjistraturës.”

2 Komente

  1. G
    Gjyqtarij

    Po ato qe japin mesim per drejtesi ne magjistrature i keni NONGRATA mo Toni???.Çfar drejtesie prisni???

    Përgjigjjuni
    1. E
      Ehhhh thuaj

      Jo Toni Jooo,fillon nga çerdhja e IMPONOHET nga drejtuesit- qeveritarët dhe zbatohet nga shoqëria. Në shkollën e magjistraturës MESOHET drejtësi ligjore ejo drejtësi njerzore . Nuk fillon aty....mjer ai popull që drejtësinë nuk e ka parim shoqeror

      Përgjigjjuni

      Lini një Përgjigje