Turistët francezë në pritje për t’u larguar nga Omani

7 Mars 2026, 21:45Bota TEMA
Turistët francezë në pritje për t’u larguar nga Omani

Mbyllja e hapësirës ajrore në Lindjen e Mesme si pasojë e përshkallëzimit të konfliktit me Iranin ka lënë qindra turistë perëndimorë në pritje të dëshpëruar për riatdhesim.

Në Muscat të Omanit, një grup prej 12 shtetasish francezë po përballen me pasigurinë dhe mungesën e koordinimit nga autoritetet diplomatike.


Ata shprehen se komunikimi me ambasadën ka qenë i paqartë, ndërsa agjencitë e udhëtimit nuk po ofrojnë zgjidhje konkrete.

“Po presim një përgjigje, kemi kontaktuar ambasadën franceze të mërkurën e kaluar dhe duhet ta pranoj se jam e surprizuar nga mungesa e koordinimit brenda atij departamenti. Një herë na pyesin nëse duam të kthehemi, herën tjetër na thonë se kemi një fluturim drejt Budapestit, të cilin e kemi pranuar, por që atëherë nuk kemi dëgjuar asgjë”, tha Brigitte Buisine, turiste franceze.


Ankthi shtohet ndërsa turistët shohin se si grupe të tjera arrijnë të largohen, ndërkohë që fluturimet drejt nyjeve kryesore si Dubai mbeten të pezulluara për të shtatën ditë radhazi. Ky është bllokimi më i madh i trafikut ajror në rajon që prej periudhës së pandemisë.

“Ndërsa shohim njerëz që vijnë e ikin sepse kanë avionë dhe ne ende jo, na shtohet ankthi. Duam thjesht të kthehemi në Francë ku ndihemi më të sigurt. Do të doja të dërgonin avionë specialë për riatdhesim, qofshin edhe ushtarakë”, pohoi Catherine Cheze, një tjetër turiste nga Franca.


Ndërsa lufta në Iran hyn në javën e dytë, qindra udhëtarë ndihen të rrezikuar për riatdhesimin e tyre.

 

Lini një Përgjigje