E ftuar në episodin e fundit të Apostrof Podcast, Vjosa Musliu – studiuese e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe Profesore e Asociuar pranë Universitetit të Lirë të Brukselit – heq një paralele të frikshme rreth gjuhës së përdorur dikur për Kosovën në fund të luftës dhe mënyrës se si diskutohet sot rreth genocidit në Gaza. Një krahasim, që ajo e cilëson si të pashmangshëm dhe sheqtësues.
E pyetur nëse logjika e pasluftës e aplikuar në Kosovë rezonon me debatet aktuale rreth asaj që ndodh në Gaza dhe Palestinë, Musliu u shpreh: “Po sigurisht që vërej ngjashmëri të frikshme, siç vërej edhe dallime të frikshme po ashtu, duke filluar nga vetë fakti që genocidi në Gaza vazhdon po ashtu të quhet si konflikt edhe nga qarqe të respektuara akademike, mediatike, sidomos në Perëndim.”
Sipas Musliut, retorika dhe fjalët e përzgjedhura nuk janë neutrale, ndërsa argumenton se etiketimi i një genocidi si “konflikt” shërben i shërben si një formë sterilizimi moral e politik.
“Këtu e vëren edhe atë ngjashmërinë e parë me njëfarë neutralizimi dhe teknikalizimi të një dhune të paprecedentë historike në fakt, që ndodh edhe ndodh në kohë reale. Është dhunë të cilën ne e shohim sapo zgjohemi në mëngjes edhe hapim telefonin tonë.”
Por, ajo e shtrin kritikën përtej institucioneve Perëndimore, duke vënë në pah edhe atë çka ajo e sheh si një apati në rritje që ka pushtuar shoqërinë shqiptare në Shqipëri dhe Kosovë, vende që e kanë ende mjaft të freskët kujtimin e dhunës së përmasave masive.
“Shoh një ngjashmëri po ashtu të frikshme në raport me apatinë politike dhe njerëzore, jo vetëm në Perëndim, po edhe në shoqëritë tona, fatkeqësisht. Pamundësia për ta parë veten te tjetri, edhe kur ky tjetër ka një ngjyrë tjetër të lëkurës ,ose është racalizues i padëshirueshëm për kulturën homogjene evropiane të krishterë, të bardhë, të iluminuar, të civilizuar. Edhe kjo pamundësi për ta parë tragjedinë e tjetrit si tënden, edhe kjo më ka ardhur në fakt shumë shpesh në mendje përgjatë debateve për genocidin në Gaza. Përgjatë diskutimeve, jo vetëm në Perëndim, ku duket pak më qartësisht, po edhe në, në vende si tonat, të cilat një lloj tragjedie të përmasave biblike e kanë shumë më të afërt në kuptimin historik.”
Ndërsa pranon se rasti i Kosovës dhe Gazas nuk janë identikë, Musliu thekson dallimi kryesor qëndron tek mënyra se si opinioni publik Perëndimor u formësua në vitet ’90-të.
“Në raport me Kosovën, fatmirësisht ndërroi shpejt dhe kjo kishte të bënte shumë me faktin që shteti serb, politika në Beograd dhe jo vetëm, tashmë kishte orkestruar me sukses një varg luftërash të tjera. Domethënë ishte parë puna tyre gjerësisht në Kroaci dhe në Bosnje-Hercegovinë. Edhe derisa erdhi në Kosovë, edhe opinioni publik perëndimor ishte përgatitur, ndryshe ishte "marinuar" me këto pamje, të cilat servireshin në atë kohë, edhe që mbanin një lloj përgjegjësie të qartë në Beograd edhe në strukturat qeverisëse në Serbi.”
Nga ana tjetër, e pyetur rreth faktit se sa herë që dikush kritikon genocidin në Gaza, sulmohet si tradhëtar ndaj çështjes së Kosovës (duke qenë se autoritetet qeverisëse palestineze nuk e njohin Kosovën si shtet), Musliu tha se: “Ndoshta intervenimi i parë është intervenim njerëzor, a ke aftësi kur sheh atë lloj, atë lloj dhune, prindër që mledhin kockat e fëmijëve të tyre, të cilët janë literalisht, janë masakruar, edhe janë ndarë në copa. Ose Hind Rajab, një vajzë, e moshës së vajzës time, e cila vritet brenda në makinë kur kërkon ndihmë me 300 plumba. Nëse këtu nuk arrijmë ta shohim veten tonë edhe vuajtjen njerëzore, pa dalë pastaj te kuptime politike, nëse këta arrijmë ta arsyetojmë në bazë të disa interesave politike që shpeshherë janë interesa po ashtu edhe banale, frikshmëria për mua është këtu.”
Musliu nuk i mohon realitetet politike rreth njohjes së pavarësisë së Kosovës dhe as nuk e justifikon pozicionin e autoriteteve qeverisëse palestineze. Megjithatë, ajo shprehet qartë se këto fakte nuk mund të shërbejnë si mburojë morale.
“Në aspektin politik, është e vërtetë që Palestina nuk e njeh Kosovën si shtet. Autoritetet palestineze, qeveria palestineze nuk e njeh Kosovën si shtet, sepse në fakt edhe gjatë viteve '90-të, intelektualë palestinezë si Ghada Karmi kanë shkruar në vazhdimësi për atë se si në fakt shqiptarët e Kosovës, janë ekuivalenti i palestinezëve brenda shtetit të Izraelit. Pra, barazohej dhuna e aparatit shtetëror serb ndaj shqiptarëve të Kosovës me dhunën e aparatit shtetëror izraelit ndaj palestinezëve, sepse genocidi në Gaza nuk ka filluar pas 7 tetorit. Dhe këto qëndrime intelektuale edhe politike nuk është se nuk kanë ekzistuar, edhe nuk ekzistojnë edhe sot, në Palestinë. Kjo krejt në kuptimin ose në rrafshin politik. Pastaj në rrafshin historik edhe kulturor, duke qenë pjesë të një perandorie, sigurisht që shqiptarët, ashtu si dhe boshnjakët, ashtu si dhe popujt e tjerë brenda, subjekte të Perandorisë Osmane, kanë marë e kanë dhënë me popullin palestinez, me subjekte tjera brenda Perandorisë Osmane në vazhdimësi edhe këto janë të vërteta kulturore, historike, të cilat është e vështirë me ju mshu sikur asgjë nuk ka ndodhur.”
“Neve nuk na konvenon, edhe nuk na pëlqen fakti që konjunkturat globale janë kështu si janë, po kjo, nëse flasim ose nuk flaim, nëse reagojmë ose nuk reagojmë kundër genocidit në Gaza, kjo nuk e ndryshon raportin ndërmjet këtyre, këtyre shteteve, por tregon diçka shumë më problematike, jo vetëm për formimin tonë politik, intelektual, po para së gjithash edhe për atë njerëzor.”
Ndiq episodin e plotë të Apostrof Podcast: Kujtimet e një fëmije përballë “paqes” së të rriturve | Vjosa Musliu | Apostrof #49