Asambleja Kombëtare e Turqisë u përfshi nga tensione të forta të dielën në mbrëmje, gjatë ditës së fundit të debatit për buxhetin e shtetit, kur deputetë të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) në pushtet dhe Partisë Republikane Popullore (CHP) të opozitës u përleshën fizikisht, duke shkëmbyer grushte në sallën plenare.
Incidenti zgjati rreth dhjetë minuta dhe detyroi Kryetarin e Parlamentit, Numan Kurtulmuş, të pezullojë seancën, pasi forcat e sigurisë patën vështirësi në largimin e deputetëve të përfshirë në përleshje.
Pavarësisht kaosit, Parlamenti miratoi më pas përfundimisht Buxhetin e Qeverisë Qendrore për vitin 2026 me 320 vota pro dhe 249 kundër. Ndërkohë, Akti i Përgjegjshmërisë për vitin 2024 u miratua me 316 vota pro dhe 247 kundër.
Sipas raportimeve, tensioni filloi pas një përballjeje verbale midis deputetit të partisë në pushtet në Bursa, Mustafa Varank, dhe nënkryetarit të grupit parlamentar të CHP-së, Gokan Gunaydin.
Kur nënkryetari i grupit parlamentar të CHP-së, Ali Mahir Başarır, u ngrit në protestë, tensioni u përshkallëzua me shpejtësi. Shkëmbimet verbale fillimisht u shndërruan në shtytje dhe më pas filluan grushte midis deputetëve nga të dyja partitë.
sa i ngjajne skiptarve una rraca una faca