Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, zhvilloi një bisedë telefonike më 11 tetor me presidentin, Donald Trump, gjatë së cilës diskutuan për sulmet e fundit ruse ndaj rrjetit energjetik ukrainas dhe përpjekjet amerikane për paqe në Lindjen e Mesme.
Biseda vjen pas një sulmi të madh me dronë dhe raketa nga Rusia më 10 tetor, i cili shkaktoi ndërprerje të energjisë elektrike në Kiev dhe në disa rajone të tjera të vendit.
“Informova Presidentin Trump për sulmet e Rusisë ndaj sistemit tonë energjetik dhe e vlerësoj gatishmërinë e tij për të na mbështetur”, u shpreh Zelensky në rrjetin social X, duke e cilësuar bisedën si “shumë pozitive dhe produktive”.
Shtëpia e Bardhë ende nuk ka komentuar lidhur me këtë komunikim. Sipas Zelensky-t, gjatë bisedës u diskutuan edhe marrëveshje konkrete për forcimin e mbrojtjes ajrore të Ukrainës.
Muajin e kaluar, administrata Trump miratoi paketën e parë të ndihmës ushtarake për Ukrainën në kuadër të Listës së Kërkesave të Prioritizuara të Ukrainës (PURL), të financuar nga NATO. Paketa përfshinte municion për sistemin Patriot, një armë kyçe në ndërprerjen e raketave balistike ruse që përdoren rregullisht në sulmet ndaj Ukrainës.
Zelensky gjithashtu vlerësoi rolin e Trump në ndërmjetësimin e armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit në Gaza, duke theksuar rëndësinë e diplomacisë për zgjidhjen e konflikteve.
“Nëse një luftë mund të ndalet në një rajon, atëherë edhe luftërat e tjera mund të ndalen përfshirë edhe luftën e Rusisë”, tha ai, duke i bërë thirrje Moskës që të përfshihet në “diplomaci të vërtetë”.
Trump ka përsëritur disa herë se synon të ndërmjetësojë një marrëveshje paqeje mes Kievit dhe Moskës, por përpjekjet janë penguar nga refuzimi i vazhdueshëm i Rusisë për një armëpushim dhe intensifikimi i sulmeve ndaj Ukrainës.
Dy liderët ishin takuar më parë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në New York, më 23 shtator, ku Trump kishte deklaruar se Ukraina është në gjendje të çlirojë të gjithë territorin e saj, një ndryshim i papritur në retorikën e tij.
Si ka mundesi qe koke kuqi 246censure ska filluar te shaje si legen mbas ekranit.Sa degjon emrin e Trumpit i bie tensioni sikur i ka qire familjen.