Kadri Hazbiu na kërkoi helme me veprim të ngadaltë, se donte t’i përdorte kundër Leka Zogut

20 Tetor 2025, 18:08Dossier TEMA

Kadri Hazbiu na kërkoi helme me veprim të ngadaltë, se donte

Nga Dashnor Kaloçi

Diku nga fillimi i vitit 1945, vetëm disa muaj pas mbarimit të Luftës, Qeveria shqiptare e kryesuar nga gjeneral-kolonel Enver Hoxha, hartoi dhe publikoi një listë të gjatë emrash, të cilët ishin arratisur nga Shqipëria kryesisht në periudhën tetor – dhjetor 1944, ku pjesa më e madhe e tyre ishin ish-eksponentë të lartë të organizatës nacionaliste ‘Balli Kombëtar’ dhe asaj të Legalitetit’, si dhe ish-funksionarë të lartë të qeverive shqiptare që nga koha e Mbretërisë apo atyre nën pushtimin italian e gjerman në vitet 1939-1944, si kryetarë komunash e bashkish, shefa policie e xhandarmërie, ushtarakë të lartë, prefektë, deputetë, senatorë, ministra, kryeministra etj., etj., të cilëve u ndalohej kthimi në atdhe. Këtë listë që mbante firmën e ministrit të Drejtësisë së asaj kohe, Manol Konomi, (një nga shokët dhe miqtë më afërt të Enver Hoxhës që nga vitet Liceut francez të Korçës, ku ata ishin nxënës dhe më pas pedagogë), jo thjesht për koincidencë të rendit alfabetik, e kryesonte Ahmet Zogu dhe Abaz Kupi.

Sipas vendimit të qeverisë shqiptare të asaj kohe, të gjithë personat që ishin në atë listë, shpalleshin “kriminelë dhe armiq të popullit”, pasi akuzoheshin se kishin bërë krime dhe atyre jo vetëm që u ndalohej kthimi në Shqipëri, duke mos përfituar nga amnistitë e ndryshme që jepte herë pas here regjimi komunist i Enver Hoxhës, kryesisht në raste përvjetorësh të çlirimit të vendit, apo shpalljes së Pavarësisë, etj., siç ishte ai i vitit 1958, ku me dekret të Presidiumit të Kuvendit Popullor, (firmosur nga sekretari Sami Baholli dhe kryetari Haxhi Lleshi), nga amnistia e gjerë për të arratisurit që të ktheheshin në Shqipëri, nuk përfitonin 208 persona, të kryesuar nga Ahmet Zogu dhe Abaz Kupi.

Madje ndaj Abaz Kupit, qeveria shqiptare kishte bërë kërkesë në organizmat ndërkombëtare dhe kërkonte ekstradimin e tij në Shqipëri; “për të dalë para gjyqit të popullit dhe për të marrë dënimin e merituar”! Që nga ajo periudhë kur u publikua për herë të parë ajo listë, pra që nga viti 1945 e në vijim, madje deri në vitin 1990, lista pësonte ndryshime, pasi një pjesë prej tyre kishin ndërruar jetë, apo ishin shtuar të tjerë që ishin arratisur nga Shqipëria ndër vite, por emrat që e kryesonin atë, si Ahmet Zogu dhe Abaz Kupi, nuk ndryshuan deri sa ata ndërruan jetë, përkatësisht në 11 prill 1961 dhe 9 janar 1976.

Jo vetëm kaq, por për Mbretin Zog dhe Abaz Kupin, si dhe gjithë “emigracionin reaksionar”, (siç i cilësonte ata regjimi komunist i Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia), që pas vitit 1945, ku pjesa më e madhe e tyre ishte në kampet e Italisë që ishin hapur nga IRO (Organizta Ndërkombëtare për Refugjatët), kishte filluar ndjekja dhe survejimi nga ana e Degës dhe më pas Drejtorisë së Zbulimit pranë Ministrisë së Brendshme (e atashuar në godinën e Ministrisë së Punëve të Jashtme, pasi kishte varësi edhe nga ajo), me anë të oficerëve të Zbulimit që ishin kamufluar si diplomatë në të gjitha përfaqësitë diplomatike të shtetit shqiptar, të akredituar në vende të ndryshme të botës, apo dhe me anë të agjentëve të ndryshëm të dërguar enkas nga Shqipëria me misione sekrete, për kontrollin, survejimin dhe ndjekjen e tyre.

Me anë të Degës dhe më pas Drejtorisë së Zbulimit Politik (të drejtuar nga Myftar Tare në 1945-1947, Vaskë Koleci 1947-1948, Nesti Kopali 1948-1949, Hilmi Seiti 1949-1951, Raqi Duri 1952-1954, Zoi Themeli 1955-1966, Jonuz Mersini 1966-1976, Mehmet Çaka 1976-1980, Perlat Çaushi 1980-1983 dhe Sefer Ramaj 1983-1991), Tirana zyrtare kishte nën kontroll dhe survejim të plotë “emigracionit reaksionar”, madje ajo arriti të kishte nën kontroll edhe vetë Mbretin Zog, gjatë periudhës që ai së bashku me Oborrin Mbretëror, u vendos me banim në Kanë të Francës, (ku dhe ndërroi jetë në 11 prill të vitit 1961), me anë të agjentit të Zbulimit shqiptar, Isuf Mullai, i cili u bë pjesë e Oborrit Mbretëror dhe më pas arriti edhe të drejtojë një degë të Lëvizjes së Legalitetit në Belgjikë.

Gjë e cila tashmë është mjaft e njohur, edhe pse eksponentë të lartë të Legalitetit dhe vetë Mbreti Leka Zogu i Parë, pas viteve ’90-të, e kanë mohuar një gjë të tillë, apo kanë pohuar se ata (Familja Mbretërore dhe vetë Mbreti Zog), e dinin misionin e Isuf Mullajt, por ai nuk përbënte asnjë rrezik për ta. Gjithsesi, ajo që është më kryesorja dhe që është tema kryesore e këtij shkrimi, ka të bëjë me faktin se; a janë rrezikuar ndonjëherë, apo më saktë, a ka pasur tentativa nga ana e regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij Ramiz Alia, për eliminimin fizik të Mbretit Zog dhe më pas, Leka Zogut, nëpërmjet Zbulimit shqiptar dhe agjentëve të tyre, gjatë kohës që ata kanë qenë në emigrim, si në Francë, Spanjë, SHBA-ës, e deri në Afrikën e Jugut?

Ndërsa për Mbretin Zog, ka pasur dëshmi publike nga pas viteve ’90-të, (si p.sh., ish-zbuluesi L.H., i diplomuar në Shkollën e KGB-së në Moskë në fundin e viteve ’50-të, që për vite me radhë ka shërbyer në disa nga përfaqësitë diplomatike shqiptare të Perëndimit, si Francë, Itali, misioni në O.K.B., etj.), që kanë pohuar se fillimisht ka pasur një urdhër nga Tirana për ta eliminuar fizikisht Mbretin Zog, gjë e cila më pas është anuluar! Sepse, Tirana zyrtare u druhej një hakmarrje të mundshme të “emigracionit reaksionar shqiptar” apo “kriminelëve të luftës”, ndaj personelit të trupit diplomatik shqiptar, në të gjitha përfaqësitë ku ata ishin akredituar, në vende të ndryshme të botës, me të cilat shteti shqiptar kishte dhe mbante marrëdhënie diplomatike.

Ndërsa për Mbretin Zog, kjo gjë deri më sot ka ardhur dhe është bërë e ditur vetëm me anë të dëshmive, (si ajo e sipërcituar e ish-zbuluesit L.H.), për Mbretin Leka Zogu, kjo gjë bëhet e ditur nga dokumentet arkivore, ku rezulton se ndaj tij ka pasur një tentativë për ta helmuar në vitin 1970! Po kush ishte personi, që dha urdhrin apo porosinë për eliminimin fizik të Leka Zogut, nga ç’arsye u mor ai vendim, si do kryhej vrasja e tij dhe përse u anullua ai urdhër?!

Lidhur me këtë dhe të tjera, na njeh dokumenti sekret që po publikojmë ekskluzivisht në këtë shkrim, (tashmë i de klasifikuar), i cili është nxjerrë nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme (tashmë prej vitesh, pjesë e fondit të Autoritetit për Informimin e Dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit), që botohet për herë të parë dhe me faksimilet përkatëse, nga Memorie.al

DOKUMENTI ARKIVOR ME LETRËN JONUZ ÇIRAKUT, ISH-SHIFRANT PRANË MISIONIT SHQIPTAR NË OKB NË VITET 1970 – 1972, DËRGUAR MINISTRIT TË BRENDSHËM HEKURAN ISAI, NË JANAR TË VITIT 1983

MINISTRIT TË PUNËVE TË BRENDSHME                                                                   

                     SHOKUT HEKURAN ISAI

                                TIRANË

Në vitin 1970, deri në korrik 1972, kam punuar si shifrant pranë misionit tonë në New York. Gjatë kësaj kohe kam deshifruar një telegram drejtuar Drejtorisë së Zbulimit, i firmosur me sa më kujtohet nga ish – Drejtori i Zbulimit Jonuz Mersini, apo nga zëvendësit e tij A.Ç. e S.K.

Telegrami në fjalë kërkonte që rezidenti atje (në New York), sipas porosisë së këtij telegram të siguronte helme me afat të gjatë veprimi. Po kështu me sa më kujtohet, telegrami kërkonte edhe pajisje armatimesh të ndryshme të diversantëve.

Mendoj për saktësinë e këtij informacioni, të kontrollohen telegramet e kësaj periudhe.

Përgjigje për kërkesën e mësipërme nëpërmjet shifrës, nuk i është bërë.

                                        Me nderime

1.3.1983                        Jonuz Çiraku

DOKUMENTI ARKIVOR ME PËRGJIGJEN E ISH-OFICERIT TË ZBULIMIT PRANË MISIONIT SHQIPTAR NË OKB, KOZMA MOJA, PËR HELMIN DHE ARMËT E PAJISJET E TJERA QË U KISHTE KËRKUAR KADRI HAZBIU

                                            Sekret

                                          12.3.1983

                                            Tiranë

                   Shënim Operativ

Lidhur me informacionin e Jonuz Çirakut, mbi një kërkesë të Qendrës (Drejtorisë së Zbulimit), dërguar Rezidenturës së New Yorkut, për helme me afat të gjatë dhe pajisje për diversantë, theksoj se një Radiogram të tillë, nuk kam marrë.

Për këtë bisedova dhe me shokun Sokol Shehu, Punëtor Operativ në atë kohë në New York, dhe atij nuk i kujtohet një Radiogram i tillë, ose të jenë bërë përpjekje nga Rezidentura për të gjetur në treg apo nëpërmjet B. p. (bashkëpunëtorëve), materiale të tilla.

Një gjë e tillë nuk i kujtohet as shokut S. Ç., që erdhi pas meje në korrik 1972, për të më zëvendësuar.

Shoku Sefer Ramaj thotë se Jonuz Mersini u pyet e e mban mënd, se në atë kohë, janë harxhuar mjete të tilla.

DOKUMENTI ARKIVOR ME LETRËN E ISH-DREJTORIT TË ZBULIMIT JONUZ MERSINI, PËR BISEDËN E BËRË NGA AI ME DREJTORIN E ZBULIMIT SEFER RAMAJ, LIDHUR ME RADIOGRAMIN E VITIT 1970, ME KËRKESAT E KADRI HAZBIUT PËR HELME, ARMË DHE PAJISJE TË TJERA

Nga informacioni i Jonuz Mersinit, datë 16.5.1983

Në një bisedë me shokun Sefer Ramaj, Drejtor i Drejtorisë së III-të, ai më pyeti nëse mund të jepja ndonjë skjarim, lidhur me një radiogram që i qenka bërë rezidenturës sonë në New York në vitin 1970, për të siguruar doza helmi me veprim të ngadalshëm. Kjo nuk më kujtohet, se nga ajo kohë kanë kaluar 13 vjet dhe nuk mbaj mënd, nëse është bërë apo jo një radiogram i tillë.

Po mbaj mënd se në këtë kohë, renegati Leka Zogu u vet shpall “Mbret i Shqiptarëve”, dhe filloi një aktivitet të gjerë kundër vendit tonë dhe për bashkimin rreth tij të emigracionit reaksionar. Në këtë kohë Kadri Hazbiu na shtroi detyrën e asgjësimit fizik të Leka Zogut, nëpërmjet vrasjes ose helmimit. Për këtë na dha udhëzime të siguronim edhe mjetet përkatëse, si armë pa zë dhe helme me veprim të ngadalshëm.

Ne studiuam mundësitë tona për këtë veprim dhe gjetëm të përshtatshëm një agjent, apo mik tonin (nuk më kujtohet ekzakt), në Francë, që kish punuar si kuzhinier i Leka Zogut dhe sido që tani ai ishte në pension. Gerlandina e mbante afër dhe ky shpesh shkonte në Spanjë ku banonte Leka Zogu. Këtë variant, ia raportuam Kadri Hazbiut, ai e miratoi dhe na tha të përpiqeshim të siguronim helmin që veprimin ta bënim në këtë rrugë.

Më vonë Kadri Hazbiu na tha që ta linim këtë çështje, sepse veprimet nëpërmjet zhdukjes me terror fizik, nuk janë metodë e punës së zbulimit tonë, por të vazhdojë ndjekja dhe përpunimi i Leka Zogut. Problemi u mbyll me kaq dhe për kohën sa jeshë unë në Drejtori, nuk u sigura as helm me veprim të ngadalshëm, as armë pa zë dhe as mjete të tjera të teknikës operative.

Nuk e di nëse ky rast i radiogramit të New Yorkut, në qoftë se është bërë, mund të ketë pasur lidhje me këtë problem. Por di dhe këtë e them me kompetencë, që asokohe kam qenë unë, doza helmi nuk janë siguruar asnjëherë nga rezidenturat. / Memorie.al

                              Jonuz Mersini

                   Ish-Drejtor i Drejtorisë së Zbulimit

3 Komente

  1. Z
    Zbuluesi

    Kjo deshmi e Jonuz Mersinit, ne cilesine e ish Drejtorit te Zbulimit Politik, rrezon katerciperisht nje interviste te tij te viteve 2000, ku ai per shkak te memorjes detyren e ngarkuar nga Kadri Hazbiu per te eleminuar fizikisht Leka Zogun e ngaterron me eleminimin fizik te Ahmet Zogut, kur ky ne ate periudhe kishte 10 vjet qe ishte ndare nga jeta. Ne Platformen e Sigurimit te Shtetit, te miratuar nga Byroja Politike, ishte e ndaluar kategorikisht eleminimi fizik i te arratisurve poltik. Ne kete kuader, detyra e dhene nga Kadri Hazbiu ka qene e palishme, dhe miratimi ne parim nga Jonuzi, tregon miopi politike te tij dhe perkulje para shefit. Reflektimi i Kadri Hazbiut per kete ceshtje me pas, te con ne logjiken se kthesen nuk e ka marre vet, por i diktuar nga eproret e tij Kapo, Shehu dhe padyshim Enver Hoxha. Ky dokument , tregon se nuk ka pasur kurre urdher per eleminimin e Ahmet Zogut, por behet fjale per te birin e tij, trafikantin Leka Zogu.

    Përgjigjjuni
    1. a
      astrit

      Republika Popullore e Shqipërisë Ministria e Punëve të Jashtëme Dega e Shtypit Referenca: Turke- 3 Janar Buletini Informativ i Brëndshmi Viti VII-të nr 2 ( 402) datë 7.1.1960 Mbi kujtimet që po shkruan Mbreti Zog Gazeta “Sefer” e datës 3.1.1960, boton artikullin me titullin “Mbreti i Shqipërisë së vjetër shkruan kujtimet” me përmbajtje: Këtu e disa kohë më parë, kur kryeministri i Bashkimit Sovjetik Nikita Hurshov, nga Shqipëria lëshoi fjalimet e tij kërcënonjëse kundër Greqisë dhe Italisë, mbreti i Shqipërisë Ahmet Zogu në vilën e tij në Cannes (Kanë Francë), punonte ditë e natë, në mënyrë intensive për t’ju dhënë fund përshkrimit të kujtimeve të tij. Shpresohet se gjatë këtij viti do të bëjë botimin e tyre. Mbreti i vjetër mendon të nxjerrë në shesh gjithë çështjet që kanë mbetur sekret, lidhur me vitin 1939, të cilat ishin shkak i fatkeqësive që ranë mbi Shqipërinë. Zogu dhe gruaja e tij shumë e sjedhshme, mbretëresha Geraldinë jetojnë së bashku me mbretin në vilën e Cannes. Mbreti i ka të hapura dyert për secilin do, duke ruajtur zakonet shqiptare, pret me bujari dhe nuk kursehet të bëjë ç’të vijë për dore, për të kënaqur mysafirët. Për këtë pritje bujare nuk bie poshtë edhe mbretëresha e vjetër. Në atë vilë të madhe, sallonet e të cilës janë të shtruar allaturke për secilin nga musafirët që pritet gjëja e parë është pregaditja e kafesë allaturke dhe plot shkumë. Musafiri e haron veten se është i huaj, ambienti që e rrethon bëhet i afërt. Mbreti Zog gruaja Mbretëresha Geraldinë dhe djali, princi trashigimtarë Leka kalojnë një jetë të thjeshtë dhe pa zhurmë. Vila e Cannes është e bollshme dhe e shtruar mirë, por luksi dhe sulltanetet brënda derës së saj nuk kanë hyrë. Familja sunduese e Shqipërisë nuk është në gjëndje të bëjë ballë lluksit, për shkak të të ardhurave të pakta dhe të pasigurta, të cilat përbëhen nga ndihmat e shqiptarëve. Ndihma e shqiptarëve është burim i jetesës. Një burrë me shtat të gjatë, Zogu kërkon të publikojë mbi kujtimet e tij të vjetra dhe ngjarjet më të rëndësishme të viteve të fundit, por jeta e tij është e mbushur me një mijë e një ngjarje. Për shembull, kur akoma Shqipëria nuk ishte Monarki, në Republikën e parë, ishte presidenti i parë i saj. Kjo kohë gjatë së cilës ishte president vazhdoi prej vitit 1925-1928. Para kësaj kohe Mbreti Zog, mbante titullin Ahmet Bej Zogolli dhe në imperatorinë Osmane asht përzjerë në shumë ngjarje, dhe ka shquar shumë veten e tij. Në 1928 hypi në fron me emërin Ahmet Zogu. Deri në vitin 1939 ishte mbret dhe ka ruajtur fronin e tij. Një vit më parë ay, d.m.th. në vitin 1938 u martua me Konteshën Geraldina Aponny, një nga vajzat e familjes Hungareze Aponny, që është nga familjet më të shquara të Hungarisë. Në vitin 1939 disa ditë para pashkëve, ushtria e diktatorit Musolin sulmuan Shqipërinë. Mbreti Zog donte të bënte qëndresë, por forcat e vogla dhe të dobtë të Shqipërisë para forcave të mëdha dhe me armë modern të ushtrive sulmuese italiane, nuk mundën të rezistonin dhe sunduesi së bashku me familjen e tijë u detyrua të ikte nga atdheu. Vendi i parë ku ata erdhën ishte Turqia. Përfundimin e kujtimeve nga ana e Mbretit shqiptar, ka mundësi ta çmojë çdo njeri dhe këto shkrime politike i presin me padurim. Duke patur dhe ndihmën e Mbretëreshës, Ahmet Zogu ka përfunduar dhe vëllimin e tetë. Këto kujtime, duke i shkruar me dorë, po i përkthejnë në gjashtë gjuhë, shokë të afërt të mbretëreshës Kontrolloi P. Mezezi Dakt. M. Gjonça K.40 Dt 8.1.1960

      Përgjigjjuni
      1. K
        Km

        Plan per helmimin ka qene per Ahmet Zogun. Kadri kete plan ia paraqiti Enver Hoxhes dhe KY e ndali me njehere Duke I thene:KY eshte veprim terrorist. Sigurimit I shtetit nuk merret me veprimtari terroriste. Dhe plan me njehere eshte anulluar. Se dyti, helmi me veprim te ngadalshem eshte futur ne Shqiperi nga Fiqerete shehu, e Kane mbajtur ne shtepine e tyre. E Ka marre ne France nga nje officer zbulimit I UDB me sy I'm helmimin e ENVERIT. Kete e shpjegon fare mire ne deponimet ne hetuesit nga vete Fiqerete Shehu, madje edhe ku e zhdukur kadri Hazbiut ate nate qe Mehmetit vrau vehten.

        Përgjigjjuni

        Lini një Përgjigje