Si u bë franga shqiptare në vitet ’30 monedha më e fuqishme e Europës?! Kolapsi global i Kursit të Këmbimit që prodhoi ‘paradoks’ në vendin më të varfër të Evropës

19 Maj 2023, 22:00Dossier TEMA

Si u bë franga shqiptare në vitet ’30 monedha më e fuqishme

Nga Kreshnik Kuçaj

Gjatë Depresionit të Madh që pasoi kolapsin e Wall Street, ndër të tjera, bota u prek edhe nga kolapsi i sistemit monetar ndërkombëtar. Politika monetare e njohur si “Standardi i Arit”, parashikonte që paratë në qarkullim të korrespondonin me një sasi ari të caktuar. Praktikisht, skema mundësonte përhapjen e parave letër për të rritur fuqinë blerëse duke krijuar instrumente krediti 3 herë më tepër sesa rezervat e arit të grumbulluara nëpër bankat që emetonin kartëmonedhat. Kjo skemë në thelb synonte zhvillimin e ekonomisë përmes mobilizimit të forcave prodhuese të vendit.

Por ajo që ndodhi pas kolapsit të Wall Street dhe gjatë Depresionit të Madh bëri që shumë vende të përballeshin më vështirësi të shumta ekonomike dhe qeveritë të mos mund të ndërhynin me politika monetare për shkak të rregullave strikte që parashikonte “Standardi i Arit”.

Praktikisht, kriza kishte prodhuar monedha shumë të forta dhe çmime shumë të ulëta të produkteve duke rrezikuar mbylljen e shumë sektorëve të rëndësishëm të ekonomisë, sikurse ishte bujqësia.

Në këto kushte, hapin e parë e ndërmerr Britani e Madhe në vitin 1931 që vendos të mos zbatojë më sistemin monetar ndërkombëtar të arit, e ndjekur në vitin 1933 nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo lëvizje në thelb u mundësoi qeverive që të ndërmerrnin politika monetare të zhvlerësimit të monedhave respektive, me qëllim që të ulnin barrën e kamatave të borxhit të brendshëm dhe të nxisnin eksportet duke stimuluar zhvillimin e ekonomive kombëtare.

Kjo praktikë u ndjek edhe nga vende të tjera. Praktikisht Stërlina dhe Dollari amerikan u zhvlerësuan përmes ndërhyrjeve qeveritare deri në 40 %, duke mundësuar që me të njëjtën sasi parash, të bliheshin aq produkte sa bliheshin para krizës. Pra, vendet që më parë ishin pjesë e ‘Standardit të Arit’, u detyruan që të zhvlerësojnë monedhat e tyre kombëtare me qëllim që kartëmonedhat letër të kishin në treg të njëjtën vlerë që kishin pasur më parë.

Kjo lëvizje prodhoi më pak kamatë për borxhet e brendshme, zhvillim të eksporteve dhe fuqizim të ekonomive kombëtare. Shumë studiues të ndryshëm mendojnë se vendte që dolën më shpejt nga ‘Standardi i Arit’ patën rikuperim më të shpejtë ekonomik në periudhën e Depresionit të Madh.

Çfarë ndodhi në Shqipëri? Franga shqiptare, monedha më e fortë e Europës!

Janë pak të studiuara zhvillimet monetare që kanë ndodhur në Shqipërinë e viteve ’30, kur vendi përballej me pasojat e krizës globale ekonomike. Megjithatë, një panoramë sado të vogël, e jep një analizë e Tajar Zavalanit e publikuar në revistën “Përpjekja Shqiptare” të Branko Merxhanit. Në analizën e titulluar “Sistemi ynë monetar” të publikuar në numrin e nëntorit 1936,  Zavalani bën një analizë se pse po zhvlerësoheshin monedhat e fuqishme të botës si dollari apo stërlina dhe ngre pyetjen: A duhet të zhvlerësohet edhe frangu shqiptar?

Në analizën e tij, Zavalani evidenton menjëherë se pas daljes së Francës nga Standardi i Arit dhe zhvlerësimit të frangës franceze, praktikisht vetëm Frangu Shqiptar ishte monedha e vetme në të gjithë Europën që kishte vlerë të barabartë me arin.

Stuhija e çvleftësimit të monedhave kaloi nga orizonti i kthiellët shqiptar pa shkaktuar tronditjen e pares sonë kombëtare. Pas alarmit të ditëve të para, opinion publik u qetësua me deklaratat zyrtare se frangu shqiptar ishte i pamvarun dhe nuk do të pësonte fatin e monedhave që u çkëputën nga një pjesë e vleftës së tyre. Kësisoj u krijua një rekord: Shqipëria, vendi ekonomikisht më i varfër i Evropës, mbeti i vetmi shtet me monedhë të plot-vlertë në bazë ari, domethënë me monedhën më të shtrenjtë. Është mirë a keq që paraja jonë vazhdon të ketë për bazë vleftën e arit?” e nis analizën e tij Zavalani, duke u ndaluar në disa elemente shpjegues para se të japë përfundimin e analizës së tij për këtë pyetje që ngre.

Zavalani evidentonte se Shqipëria kishte 10 vite që përdorte një monedhë kombëtare, pasi më herët nuk kishte një bankë për emetimin e saj. Pas krijimit të Bankës Kombëtare, kartëmonedhat zëvëndësuan arin dhe shkëmbeheshin lirisht me ar. Vendi në atë kohë kishte një strukturë primitive ekonomike por të shëndoshë. Kjo sepse rezervat e arit ishin shumë të mëdha në Shqipëri dhe vendi nuk kishte borxh publik. Disbalancën tregtare mes importeve dhe eksporteve e kompensonin dërgesat e emigrantëve. Një nga efektet që u ndje në Shqipëri ishte se disa shqiptarë që kishin depozituar para në bankat e huaja, sidomos në Zvicër, ishin prekur nga zhvlerësimi i valutave të huaja.

Më tej, Zavalani shpjegon se arsyet që i detyruan vendet e tjera që të zhvlerësojnë monedhat e tyre, nuk kishin vlerë për Shqipërinë.

Në zhvlerësimin e monedhave, vendet e tjera morën për bazë dy faktorë; kamatat e borxheve dhe konkurrencën në tregtinë e jashtme mes vendeve eksportuese.  E sipas Zavalanit, këto dy arsye nuk ishin të vlefshme për Shqipërinë e për këtë jep dhe arsyet përkatëse.

Në Shqipëri asnjëri nga këta dy faktorë nuk ësht’ aq’ i fortë sa të përligjë një çvleftësim të frangut t’ onë. Vërtet çështja e borxheve të brëndëshme kishte marrë një formë kritike edhe ndër neve. Por me moratoriumin e borxheve të qytetit që u dekretua dhe me konvertimin e borxheve të katundit, që pritet me sot me nesër, kjo çështje humbet ashpërsin e saj të dikurshme dhe hyn në një fazë regullimi. Sa për konkurencën në tregjet e jashtme ne nuk kemi një prodhim industrial që mund të rëndohet nga shtrenjtësia e monedhës. Të vetmet produkte që eksportojmë ne janë disa lëndë të para bujqësore dhe disa sende ushqimore.

Në prodhimin e tyre elemente si interes kapitali, amortizim, rrogë punëtorësh nuk lozin asnjë rol. Çmimet e këtyre produkteve do të ndjekin pjacën ndërkombëtare dhe do të caktohen në bazë të një monedhe stabile, sikundër është dollari sot. Që tani u vërtetua se çmimet e lëkurëve të Shqipërisë në lireta të sotme kanë hipur në mënyrë që çmimi i tyre në fr. ari mbetet po ay që ishte para çvleftësimit.

Por duke pranuar se frangu shqiptar nuk ka nevojë të çvleftësohet kjo nuk domethënë se jemi të mëndjes të vazhdonjë gjëndja e sotme pa u marrë asnjë masë. Ne po rrojmë me dyer hapur. Kemi një deficit të ballancës tregëtare që u stabilizua rrotull 8 milioneve. Ky deficit nuk po plotësohet as me dërgesat e emigrantëve, as me eksportime të padukëshme, as me nonjë të ardhur tjetër. Deri sot nuk kemi marrë nonjë masë serioze për të kufizuar importimet as për të kontrolluar daljen e të hollave jashtë kufirit.

Pra duhet një përpjekje heroike për të nxjerrë qerren e ekonomis shqiptare nga lluca e krizës kronike ku është zhytur sot” shkruante ndër të tjera Zavalani.

Përtej asaj që shkruan Zavalani në analizën e vitit 1936, studiuesit e ekonomisë gjatë periudhës së regjimit komunist kan evidentuar se Shqipëria nuk ka përdorur një sistem klasik të standardit të arit dhe se duke qenë se Banka Kombëtare ishte në kontrollin e shtetit italian, në politikën monetare që ka aplikuar në Shqipëri ka pasur në fokus rritjen artificiale të fuqisë blerëse të frangut. Kjo lëvizje monetare, sikurse shkruan studiuesi Aleko Haxhi te ‘Studime Historike’ të vitit 1964, kishte si qëllim “të nxisë dhe më tej procesin e dithesarizimit të arit”.

Një nxitje e tillë u bë edhe më tepër e domosdoshme si pasojë e falimentimit të plotë të Bllokut të Arit në periudhën 1934-1936, në gë cilin bënte pjesë edhe Italia.

Rezervat e arit të Italisë në këtë periudhë pësuan një rënie të madhe prandaj ajo ndërmori aksione të reja që të kompensonte humbjet duke e zgjeruar politikën e grabitjeve koloniale. Çështja e dithesarizimit të arit ka qenë në qendrën e vëmendjes së politikës monetare që ndoqi Banka Kombëtare. Pikërisht kjo politikë kushtëzoi edhe vetë nivelin e qarkullimit monetar gjatë gjithë periudhës 14 vjeçare të veprimtarisë së saj me regjimin e Zogut…

Nën dritën e fakteve të mësipërme, nuk është e vështirë që të arrihet në përfundimin se duke mbajtur në mënyrë artificiale në një nivel të lartë fuqinë blerëse të frangut nëpërmjet urisë së parasë, kjo ishte në dobi të atyre klasave të pasura që ishin bartësit e vërtetë të kapitaleve në para dhe që merreshin me tregtimin e tyre….

Ndonëse vendi ynë gjatë gjithë periudhës së sundimit zogist dhe në mënyrë të veçantë gjatë viteve 1929-1935 ndodhej në një krizë të thellë sociale dhe ekonomike dhe sistemi monetar po shkiste gjithmonë e më tepër në binarët e standardit të cunguar divizional të arit, fuqia blerëse e frangut në raport me paritetin e tij, si në tregun e brendshëm ashtu edhe në atë të jashtëm, nuk pësoi ndonjë zhvlerësim dhe shkembehej me diviza të huaja pa asnjë kufizim. Mbajtja e fuqisë blerëse të frangut në një nivel relativisht të lartë në një kohë kur lireta italiane dhe valutat e vendeve të tjera evropiane po zhvlerësohehin nga viti në vit, pati pasoja të rënda për vendin tonë.

Në rrethanat e krizës botërore të mbiprodhimit kur kurset zyrtare të valutave të huaja nuk i përgjigjeshin kursit real të frangut u krijua një gjendje e difavorshme për vendin tonë në marrëdhëniet e tregtisë së jashtme” shkruante studiuesi Haxhi, ndërsa e konsideronte mosdaljen e Shqipërisë nga ‘Standardi i Arit’ si një kundër-operacion monetar.

5 Komente

  1. J
    Ja kaqe

    Po po. Titull idiot. Te bazosh monedhen tek ari nuk e ben ate me te forte. E ben joreale.

    1. p
      posho o loqe

      Ja edhe financieri i kafeneve

    2. L
      Leka I Madh

      Pordhe me rigon. Salepxhinjte e Tirones me shallvare paskan mbajtur frangen shqiptare te forte.

      1. G
        GjonBalta

        Zotëri, Jeni dhe spécialisation e mbani veten të tillë, si mund t'i référaient një ekonimisti komunist për të gjetur të vërtetë!.. C'mund të na thotë ky Harxhi ne lidhje me ditën e punës 4 leke sa një bukë, është më shumë, më pak apo barabar me pagen e sklleverve në Romen e Lashte.. Sa për krizen e 1929, mbetet mister për publikun e gjerë...

        1. e
          emigranti

          E megjithate eshte fakt dhe merite e shtetit te atehershem shqiptar qe kriza e madhe boterore 1029 - 1932 , nuk influencoi shume ne Shqiperi, nderkohe qe gjunjezoi boten.

          Lini një Përgjigje