VIDEO/ Kur gara e brendshme u shua në PS dhe PD

10 Janar 2026, 17:05Dossier TEMA
VIDEO/ Kur gara e brendshme u shua në PS dhe PD

Partia Socialiste dhe Partia Demokratike e kanë qeverisur Shqipërinë për 35 vite, në një tranzicion të tejzgjatur. Mungesa e demokracisë së brendshme në të dyja forcat politike është reflektuar në vazhdimësi në kriza të përsëritura politike dhe keqqeverisje përmes korrupsionit. Ka pasur momente kur është dukur se elementët e demokracisë po ngrinin krye në këto organizata politike, për paradoks, më të ndjeshme te Partia Socialiste pasuese e PPSH-së sesa te Partia Demokratike, forca politike që lindi nga lëvizja e Dhjetorit ’90.


Rreth 25 vite më parë, të dyja partitë patën ngjarje të rëndësishme që u duk se do të sillnin ndryshim. Por shpejt shpresat u shuan, pasi dominoi elementi i autokracisë, i trashëguar nga e shkuara e errët e raportit me lirinë.


Viti 1999 ishte një moment kthese për politikën shqiptare, një periudhë pas krizës së vitit 1997, e shoqëruar me tensione të forta politike ndërmjet mazhorancës socialiste dhe opozitës demokrate. Ishte një nga momentet më konfliktuale mes palëve kundërshtare, një klimë që do të reflektohej edhe në luftën e brendshme të dy partive, PS dhe PD.


Në vitin 1999, të dyja partitë u përfshinë në gara elektorale të brendshme. Liderët kryesorë, Fatos Nano i PS-së dhe Sali Berisha i PD-së, u përballën me kandidatura të rëndësishme brenda partive të tyre. Përballë Fatos Nanos në garën e Kongresit të vitit 1999 u shfaq Pandeli Majko, i cili në atë kohë ishte një prej drejtuesve më të rëndësishëm politikë të PS-së, edhe për shkak se mbante postin e kryeministrit.


Majko u zgjodh kryeministër pas dorëheqjes së detyruar të Fatos Nanos pas ngjarjeve të vitit 1998, pas vrasjes së deputetit demokrat Azem Hajdari. Pas dorëheqjes nga posti i kryeministrit, Nano dha dorëheqje edhe si kryetar partie dhe hapi garën, në të cilën ai do të ishte padyshim kandidat për të rimarrë drejtimin e PS-së.


Gara ishte e fortë dhe përfundoi me fitoren e Fatos Nanos me 297 vota, kundrejt 261 votave që mori Pandeli Majko. Ky rezultat i ngushtë mes dy rivalëve nuk u përsërit më kurrë në zgjedhjet e brendshme të partive politike, qoftë në PS, por edhe në partitë e tjera.


Pas fitores së ngushtë të Fatos Nanos në Kongresin e PS-së në vitin 1999, balanca e pushtetit brenda së majtës ndryshoi menjëherë. Edhe pse Pandeli Majko dëshmoi mbështetje të konsiderueshme si kryeministër dhe përfaqësues i brezit të ri, rezultati i votimit e rivendosi Nanon si autoritetin kryesor politik të partisë. Brenda pak muajsh, kjo përplasje e pazgjidhur në mënyrë konsensuale u reflektua në qeverisje: në shkurt 2000, Majko u detyrua të japë dorëheqjen, duke hapur rrugën për rikthimin e Ilir Metës si kryeministër.

Gjatë garës, Meta ishte shfaqur si mbështetës i Majkos, por koha tregoi se “pazaret” e fshehta e vunë në dyshim këtë mbështetje.

Në kampin përballë, u zhvillua një skenar i ngjashëm, ku e vjetra përballej me të renë. Sali Berisha, kryetari autoritar i PD-së, u sfidua nga Genc Pollo, i konsideruar në atë kohë si frymë e re brenda Partisë Demokratike. Gara nisi ashpër dhe Pollo artikuloi akuza të forta ndaj Berishës. Por këto qëndrime u pasuan nga sulme të ashpra të Berishës dhe njerëzve të tij në PD, çka përfundoi me tërheqjen e Genc Pollos nga gara për kryetar.

Ai moment përcaktoi fatin e mëtejshëm të Partisë Demokratike, ku askush nuk do të guxonte më të sfidonte kryetarin e fortë.

Përmes fotografive të faqeve të gazetave të kohës, TemA sjell klimën politike dhe qëndrimet e palëve kundërshtare në PS dhe PD më shumë se 25 vite më parë. Sot, në PS nuk ka mbetur thuajse askush nga ata që përbënin forumet drejtuese të partisë. Ish-kryetari u tërhoq nga politika në vitin 2005, pas humbjes së zgjedhjeve, ndërsa Fatos Nano ndërroi jetë pak muaj më parë. Drejtues të tjerë të PS-së janë larguar nga politika dhe partia socialiste e sotme nuk ka asnjë lidhje me atë të 25 viteve më parë. Prej 20 vitesh, PS drejtohet nga Edi Rama dhe askush nuk e sfidon.

Në kampin tjetër, kryetar është ende Sali Berisha. Në krah të tij janë sërish disa prej figurave të hershme të PD-së dhe disa të tjerë “të rinj”, që nuk guxojnë të diskutojnë asnjë vendimmarrje të kryetarit të partisë. Politika mbetet po aq konfliktuale, qeverisja edhe më e korruptuar dhe shpresa për frymë të re në politikë, ende e vakët.

 

2 Komente

  1. P
    Parku Rinia

    Partia Socialiste FATKEQESISHT eshte ndrydhur e katandisur ne 'Omertà' nga ‘Rilindja’ e Don Edvin Kristaq Aneta Rama Koleka, bashkeshorti i 4-et e/o i 5-te i Pronares de facto te ABI Bank, Donna Linda Rama Basha, si Corleone e Sicilise ne vitet ’70-’80 te shekullit te kaluar. ------------------------------------- 'Omertà' = 1. Forma di solidarietà, spec. diffusa tra i membri della criminalità organizzata, diretta a proteggere i colpevoli di azioni illecite nascondendone l’identità o tacendo informazioni utili alle indagini dell’autorità giudiziaria. ------------------------ 2. Riserbo assoluto all’interno di un gruppo o di un ambiente sociale, con cui si coprono le malefatte altrui e allo stesso tempo si salvaguardano i propri interessi.

    Përgjigjjuni
    1. F
      Fatmiri

      Kjo demokracia e brëndëshme varet si e kupton. Rasti i Fatos Nanos që ttregoni më sipër është ANARSHI.Partit kan ca rregulla,të shkruara që duhen zbatuar. Kur kyetari zgjidhet me votë të lirë,nga kongresi,gjithë të tjerët rin"sus" Zgjedjjet të tregojnë sa peshon.Kur fiton dhe zgjedhiet parlamentare,krytari i çimenton pozitat.Tani a ka bir kurve ti dali ti bëj lloqe Edi Ramës,brënda P.S.Asnji! Edi Rama është si puna Mesit,që të rras golin në çdo pozicion.Nuk ka humbur asnjë pal zgjedhie,lokale a komnëtare. Krejt ndryshe janë madhështorët!Rihen si gomari në duhan dhe nuk hap rrugën i biri botës!!!

      Përgjigjjuni

      Lini një Përgjigje