
Gramoz Pashko, Koha Jonë, 14 gusht 1992
PD midis së djeshmes dhe së sotmes
Demokracia në Shqipëri lindi në një truall që i ngjante atyre tokave të përvëluara e të thara nga shkretëtira 46-vjeçare e komunizmit. Kjo tokë nuk priste veçse një shi, pas së cilit jeta të shpërthente me një vrull të jashtëzakonshëm. Pikërisht në këtë furi historie ne u mblodhëm dhe formuam PD-në. Asokohe ideali ishte i thjeshtë: të formonim një parti që nuk duhej të ishte një shëmbëlltyrë e komunistes, por nuk dinim se ç’duhej të ishte kjo. Hapëm themelet e një sistemi antiktaturë, e quajtëm atë demokraci, por pa projekte dhe vetëm me ideale çdo orë e çdo ditë ndërtesën e re. Dhe dihej që në nisëm çdo gjë ishte e hapur, e zbuluar, pa stërhollime, jo vetëm për të gjithë ne, por edhe për publikun.
Por demokracia është një sistem dhe ky nuk përcaktohet nga emri i forcës politike që e drejton, por nga ajo se sa garanton kjo forcë liritë e individit. Një regjim nuk është i mirë ose i keq jo ngaqë në krye të vendit ka njerëz të mirë ose të këqinj. Ai është i mirë ose i keq në varësi të institucioneve që ndërton për t’u garantuar njerëzve liritë, sa di regjimi të vendosë balancën e duhur midis jetës dhe shpresës, sa u premton dhe sa u kërkon njerëzve të hipotekojnë nga e sotmja për të ardhmen e tyre.
Demokracia është një sistem i hapur i njerëzve të lirë, që kanë të drejtë të besojnë kë të duan, të mendojnë si të duan e të shprehen si të duan. Asnjë parti s’ka të drejtë të mburret se ka monopolin e së vërtetës.
Dhe pikërisht e tillë ishte PD në fillimet e saj. Asnjëri nga ne nuk pretendonte se ishte e vërteta e personifikuar. Pak rëndësi kishte kush gabonte e kush kishte të drejtë. Armiku, diktatura, ishte përballë. Lufta brenda partisë zhvillohej në radhë të parë për çështje idesh, që duhej bërë për të shembur diktaturën. Rëndësi kishte që kjo luftë të mos shndërrohej në luftë personash, ku toleranca fillon të shterojë dhe shpirtin e njerëzve fillojnë ta dominojnë cmira, pasionet, instinktet e hakmarrjes, arketipet e liderizimit.
PD humbi zgjedhjet e para të 31 marsit 1991, por demonstroi se në Shqipëri ishte krijuar një forcë politike jo vetëm e aftë të shkallmonte komunizmin, por edhe të jepte shpresë se mund të luante rol në drejtimin e vendit, të ndërtonte ngrehinën e demokracisë që ishte filluar në dhjetor 1990.
PD, megjithëse humbi votat, arriti fitoren më të madhe në historinë moderne të Shqipërisë: shkallmoi frikën dhe hapi siparin e lirisë. Pas kësaj, me të drejtë, PD filloi të kërkojë marrjen e pushtetit, pra të vinte në provë atë që kishte premtuar se ishte e aftë dhe kishte në dorë projektin të ndërtonte ngrehinën. Studentët u kthyen nëpër shkolla dhe na dhanë mandatin t’i drejtonim e t’u siguronim të ardhmen.
Por këtu historia të ngarkon me përgjegjësi të tjera. Opinioni publik të jep shansin të vihesh në provë për atë që ke premtuar dhe të vëzhgon e gjykon. Këtu ai të vë në provë sa di ti të ndërtosh ngrehinën e premtuar. Vjen koha, jo më e idealeve, por e ideve konkrete, programeve, strategjive dhe, më tepër akoma, e përgjegjësive të aplikimit të tyre.
Në këtë sfidë me historinë filloi edhe shkallmimi i brendshëm i PD-së. Demokracia, nga një qëllim i pushtetit, u zëvendësua në mjet të tij, dmth nga objektiv për t’u arritur nëpërmjet pushtetit u zëvendësua me një mjet për të siguruar pushtetin.
Udhëheqja e PD-së dhe Sali Berisha filluan të mendojnë se ai ishte partia dhe, ngaqë partia quhej demokratike, ai ishte i vetmi që personifikonte demokracinë, të vërtetën, lirinë. Çdo mendim ndryshe quhej herezi; çdo njeri që kritikon quhet armik, agjent, i korruptuar etj. Njëlloj si në Mesjetë, kur thuhej se nuk ka të vërtetë jashtë kishës. Ashtu siç digjeshin kundërshtarët në turrën e druve, në prani të turmave, ashtu edhe PD filloi të linçojë publikisht kundërshtarët e brendshëm të saj me anë të turmave.
Udhëheqja e PD-së filloi të kërkojë unitet rreth kryetarit të saj dhe, po ashtu, duke synuar 100% të votave, filloi të kërkojë edhe unitetin e popullit rreth PD-së. E pra, nga ky moment ideologjia pushon së qeni ajo e fillimit, pushon së qeni ajo ku njerëzit respektojnë të tjerët dhe u lejojnë atyre liritë edhe pse mund t’i kenë kundërshtarë.
Demokracia e brendshme e partisë
Që pas zgjedhjeve të 31 marsit, udhëheqja e PD-së, por edhe shumë “Sanco Panco” që na vinin rrotull, kuptuan se pushteti nuk ishte larg dhe pikërisht në këto momente personat zëvendësuan idetë.
Edhe Frrok Çupi edhe Mitro Çela, në momentet e shkarkimit, pjesë e pretendencës së tyre ka qenë: keni botuar shkrime “armiqsh”, nuk keni reflektuar siç duhet veprimtarinë e kryetarit të partisë, Sali Berisha, e të tjera si këto.
Lufta e personave që kishte filluar kërkonte sa më pak argumente për të eliminuar rivalët dhe sa më shumë mbështetje kur të ngjisnin sa më kollaj shpifjet ndaj personave, si agjentë të Ramizit, kriptokomunistë, të korruptuar etj. Fatmirësisht, të tilla trillime besohen si të vërteta vetëm nga injorantët.
Lexoni shkrimet e botuara kundër “armiqve” dhe do të shikoni se në asnjë prej tyre nuk sillen argumente për të provuar se pse janë armiq, por vetëm sulme personash dhe fyerje. Kështu, sipas stilit enverian, figurat izoloheshin derisa u bëhej jeta e vështirë dhe pastaj largoheshin vetë. Ata që rezistonin pak, fillonin të kritikoheshin sipas të njëjtave skema, derisa më rezistentët shpalleshin “armiq”. Por asnjëherë sulmi nuk bëhej si sulm ideologjik.
Gjeni gjëkundi të analizuar të ashtuquajturat veprimtari armiqësore të atyre që janë eliminuar në rrugë e sipër?! Cilat ishin gabimet e tyre në vijë? Mjaftonte epiteti agjent i Sigurimit, mik apo shok i filanit, kushëri i filanit apo i korruptuar me thashetheme. Asnjëherë PD nuk ka qenë e qartë dhe transparente në këtë gjë, pasi gjithnjë e më shpesh, dhe sidomos të hyrë rishtas në parti, baza e re e partisë nuk kishte idenë e idealit.
Revanshi i të vonuarve të devotshëm ndaj rrogëdhënësit ishte arma më e mirë për në klimën antidemokratike. Në inkoshientin e të vonuarve rëndon mëkati i hezitimit, mëkati komunist i biografisë, obsesioni se si do t’i përgjigjen ata pyetjes: ku ishe ti, Adam? Dhe ata që do të thonë se ne kishim frikë të dilnim në shesh. Kurajon e dikujt që doli në shesh të burrave e quajnë të pamundur dhe, me siguri, sipas tyre, të nxitur nga dikush, nga Ramiz Alia.
Pa dashje ose me dashje i bëjnë Alisë shërbimin e ri, i japin atij meritën se ka formuar opozitën. Dhe deklarata të tilla janë shprehur hapur nga deputetë të PD-së, madje edhe nga njerëz që sot kanë poste të rëndësishme. Devotshmëria e këtyre shërbëtorëve bëhet ekstreme, duke u vënë si ushtarë sulmi për spastrime, dhe ajo është përdorur si një casus belli.
Në demokraci nuk ka përfaqësues idesh të vonuara. Ke ide të reja? Mirëseardhje, qoftë edhe me vonesë. Të gjykohet nga idetë që sjell dhe jo nga biografia personale apo e familjes. Persona të vonuar ka, sidomos kur këta vijnë e nuk sjellin asnjë ide, asgjë tjetër veç pranisë së tyre fizike, numrit të votës dhe, më keq akoma, kur shtojnë radhët me farefisin dhe kushërinjtë e tyre. Me këtë ata duan të justifikojnë praninë e vonuar.
Frika e ditëve të fillimit tashmë iu doli, ndërsa ne akuzohemi pse kishim kurajë të shpreheshim, të ngrinim popullin nëpër mitingje. Kujt iu njerëve pak se kush ngriti popullin në mitingjet e para në Tiranë, Shkodër, Elbasan, Vlorë, Berat, Pogradec, Korçë etj.
Po për këto mitingje ishim vallë kuajt e Trojës, ndërsa zotërinjtë që e kanë filluar sot fshiheshin atëherë, ishin trimat tropojanë. Sipas tyre, ne tradhtuam këta parvenu, ne filluam në dhjetor kur ata fshiheshin sepse, si Adami pasi kishte rënë në mëkat, u vinte turp të dilnin në shesh, sepse ishin lakuriq.
Absurditeti fillon në atë që ne e paskemi filluar lëvizjen e dhjetorit me paramendim që të tradhtonim ata të cilët në dhjetor e shkurt ne nuk i njihnim fare, që u futën muajt e fundit në lëvizje dhe u futën jo për ideal, por sepse merrnin rrogën te PD-ja. Sipas kësaj, ne jemi tradhtarë të nëpunësve që ne vetë emëruam.
Legjitimimi i një diktature të re
Ajo që më shqetëson është vulgarizimi i kuptimit të demokracisë nga ky grup njerëzish, është reduktimi i saj deri atje sa u duket se e drejta e shumicës është absolute, se nuk ka të drejta jashtë tyre. Janë kaq pa parim sa mendojnë se me votë fshijnë të drejtat e patjetërsueshme. Mund të kesh shumicën në një forum, mund të kesh edhe numrin më të madh të votave, por kjo kurrsesi nuk të jep të drejtën të quash të ligjshme shkeljen e të drejtave të pakicës duke votuar. Këtë mundësi unë e quaj prologun e legjitimimit të një diktature të re.
Le të kujtojmë pak legjitimitetin e diktaturës së Enver Hoxhës. Edhe Enveri e Ramizi flisnin në emër të demokracisë proletare, në emër të pushtetit të klasës punëtore e të aleancës së saj me fshatarësinë, në emër të shumicës. Por lind pyetja: a ishin të ligjshme veprimet që kryente Enveri apo jo? Ato ishin të ligjshme sipas konceptit të tij të ligjit, pra siç e mendonte ai ligjin, dhe ligji i tij ishte diktatura.
Së dyti, për ligjin që ai propozonte, edhe pse e shkelte me të dyja këmbët të drejtat e individit, ai merrte në dyzet vjet me radhë shumicën absolute të votave që mbështesnin pushtetin e tij, qoftë partiak, qoftë shtetëror. Sekreti i dhunimit të demokracisë nuk qëndron në faktin që atij ndonjëherë i munguan votat (pavarësisht nga frika, manipulimet etj.). Diktatura e tij lindi që nga momenti që ai, nëpërmjet delegimit të pushtetit tek një grup njerëzish servilë, lakej – quajini çfarë të doni – këta njerëz që votonin në bllok sipas orientimeve të Enverit, me vota dhunohej liria e asaj pakice që nuk e mendonte si Enveri.
Parrullat “të shpronësojmë me tatime të pasurit” dhe, në histerinë e revolucioneve (ku i yni ishte minor nga përmasat në krahasim me të tjerët që ndodhnin në vendet e Lindjes), masat e mbështesnin. Të pasurit janë një pakicë në shoqëri, atëherë prona e tyre konfiskohej. Ja pra legjitimiteti i një vendimi të marrë në emër të shumicës kundër pakicës. Pakicë pas pakice, dhunim pas dhunimi, shoqëria privohej nga liritë e saj, ajo binte në diktaturë.
Boshllëku ideologjik i sotshëm mbisundues në Shqipëri
Shpeshherë të lind pyetja: mbi ç’program apo strategji po ecën Shqipëria e sotme, për ç’të ardhme po votojnë njerëzit, cilat rrugë ofrohen për të dalë nga kaosi i sotëm? Përgjigjet mbeten në të shumtën në vakum, pasi elektorati po kaq shumë sikur ecën në mjegull.
Por po të vihet re me kujdes, shihet se as partitë politike, veç ideve të përgjithshme, nuk po ofrojnë programe të përcaktuara dhe të qarta me formulat e së ardhmes. Dhe nga kjo e metë sot nuk bëjnë përjashtim as dy partitë më të mëdha të vendit, PD dhe PS. PD mbetet ende në formulën e spastrimit të vendit nga komunizmi; PS shprehet se është e majtë europiane, por se cilat janë programet e së majtës nuk po shprehet gjëkundi.
PS shprehet si parti e shtresave të paprivilegjuara të shoqërisë. Por cilat janë sot këto shtresa të paprivilegjuara nuk dihet. (Në Shqipëri e paprivilegjuar ka qenë e gjithë shoqëria, me përjashtim të një grupi bllokmenësh.) Sot problemet e rritjes së çmimit, të energjitikës, të ushqimit etj. i kanë të gjithë.
PD e sotme mbetet në definicionin e vetvetes si parti e të gjithë popullit, definicion që vlente shumë para 22 marsit si modul i rrëzimit të komunizmit, por që është krejt jashtë realitetit të ri.
Në fakt, çdo parti pozicionohet në mbështetje të një grupi të caktuar njerëzish dhe ndërton programet e saj në raport me interesat e këtij grupi njerëzish. Absolutisht asnjë parti nuk mbron interesat e të gjithëve. Këto interesa brenda një shoqërie janë të ndryshme, pavarësisht kush përbën një shumicë e kush një pakicë.
Nga mungesa e pozicionimit social kanë lindur edhe paradokset edhe demagogjitë në politikën e sotme. Baza sociale e një partie është esenciale për programin e saj, por edhe për të tërhequr votuesit rreth vetes. Cilat shtresa do të favorizojë zbatimi i programit të partisë: pronarët e mëdhenj apo të mesëm, apo punëtorët?
Në rast se luftohet për të ndërtuar kapitalizmin nga një shoqëri ku të gjithë konsideroheshin të barabartë karshi pronës, vetëkuptohet se një pjesë e shoqërisë duhet të sakrifikojë derisa pronarët e rinj të krijuar të shndërrohen në kapitalistë të vërtetë. Që këta të shndërrohen në kapitalistë të mirëfilltë, në rast se nuk ndihmohen dot nga shteti, së paku të pengohen sa më pak. Atëherë shteti, që të mos i pengojë, bën reformë: heq dorë nga kontrolli i tij mbi mjedisin e punës së tyre dhe mbi tregun; liberalizon çmimet; lejon fitimin dhe e garanton atë; u merr gjithnjë e më pak të ardhura atyre që investojnë sa më shumë e që hapin punë për të papunët.
Me pak fjalë, në rast se shteti heq dorë nga parimi i rishpërndarjes së kontrolluar, që do të thotë t’i merret atij që prodhon e t’i jepet atij që nuk prodhon. Shteti nuk financon më ndërmarrje që nuk prodhojnë, edhe pse pasoja është asistenca sociale. Megjithatë, që të ndihmojë njerëzit e goditur nga reforma, nxit privatizimin, të ecë sa më shpejt në mënyrë që të paprivilegjuarit të gjejnë punë. Pra, nga reforma e privatizimi favorizohen pronarët dhe e pësojnë fillimisht pikërisht punëtorët, të paprivilegjuarit.
Por në fakt është mjaft paradoksal pozicionimi i partive të sotme. Si PD edhe PS janë dakord me thelbin e reformës ekonomike, dakord që Shqipëria të transformohet në një vend kapitalist. Kjo është shprehur si në periudhën pas 31 marsit 1991, kur shumicën në parlament e kishin socialistët, ashtu edhe pas 22 marsit, kur shumicën e ka PD. Ndryshimi në parim dhe vetëm në parim ka qenë që PD fillimisht ishte për reforma të thella, radikale, ristrukturim dhe privatizim të shpejtë, ndërsa PS ishte për hapa më të kujdesshëm, gradualë. Me gradualitet PS kërkonte një shpërndarje të të ardhurave të tillë që shteti të mbante çelësat sa më gjatë.
Me fjalë të tjera, në një Shqipëri ku nuk prodhohet asgjë nga sektori shtetëror, veç asaj që prodhojnë fshatarët dhe privatët në qytet, PS kërkon që të ardhurat që krijohen nga këta të fundit të merren e t’u rishpërndahen të paprivilegjuarve në fshat e në qytet. Por këta të fundit nuk janë kurrsesi pronarë të rinj. Paradoksi është se kur vjen puna në praktikë, PS është për një politikë më liberale taksash, për një mekanizëm bankar më shtrëngues, për shpejtimin e privatizimit, në dallim nga grupi parlamentar i PD-së, që në fakt duhet t’i përmbahet një programi më radikal.
PD angazhohet se do të ngrejë Shqipërinë e njerëzve të lirë, të punës dhe të pronës së lirë, dhe shndërrohet në një parti-shtet me pretekstin e luftës kundër komunizmit, vonon privatizimin, rrit kontrollin shtetëror dhe ricentralizimin e ekonomisë, bën në praktikë atë gjë që kanë në program socialistët e sotëm apo që kanë pasur në plan ata në fazat fillestare të tranzicionit antikapitalist.
Paradoksi është se PD merr vota në qytetet kryesore, ku ende reforma nuk ka filluar dhe ku pasojat do të jenë të rënda me asistencën sociale dhe ku liberalizimi i çmimit do të godasë rëndë fuqinë blerëse të popullatës. Krejt në të kundërt, PS merr vota në fshat, ku është krijuar një shtresë e re pronarësh të mesëm dhe ku s’ka probleme madhore asistence dhe liberalizimi i çmimeve sjell avantazhe për fshatarët.
Ky vlerësim i elektoratit shqiptar tregon se asnjë program ekonomik nuk ka zënë vend stabil në opinionin shqiptar, asnjë parti nuk ka arritur të bindë një pjesë të qëndrueshme të elektoratit dhe në këtë mënyrë çdo parti të thotë: këta janë votuesit e mi dhe programi im do të jetë për ta.
Kjo do të thotë njëkohësisht se loja elektorale ka mbetur në primitivizmin e një lufte grupe njerëzish: socialistët duan të rikthehen atje ku ishin, te rritja e shtetit kujdestar, por duke mbajtur apo rikthyer njerëzit e tyre; demokratët që kanë në dorë pushtetin duan të forcojnë kujdestarinë e shtetit, por duke futur sa më shpejt njerëzit e tyre. Socialistët trembin elektoratin me spastrime që bën PD; demokratët luajnë kartën e populizmit duke trembur tej mase me gogolin e komunizmit, në një kohë që të gjithë e dinë që komunizmi vdiq në të gjithë Europën dhe tashmë Shqipëria është e hapur e po shkon drejt saj, duke mos lënë objektivisht vrima boshe për komunizëm.
Dhe pikërisht nga këto luftëra që më shumë i referohen të kaluarës dhe jo të ardhmes, elektorati lodhet aq sa një e treta e popullsisë nuk voton më, ose voton në mënyrë të paqëndrueshme dhe, më keq akoma, të pasigurt. Dyshoj shumë se njerëzit në 26 korrik nuk votuan e bënë se nuk donin t’i jepnin votën e tyre PS-së. Por dyshoj se po të bëheshin votime në dimër, kur mungonte energjia elektrike, karburanti, të shtohej mungesa e ushqimeve, problemet e asistencës, numri i atyre që s’do të votonin do të ishte më i madh, me të gjitha konsekuencat që kjo sjell.
Elektorati ynë mbetet antikomunist. Liderët e sotëm të PD-së mund të akuzojnë kë të duan, por faji u mbetet atyre se ishin ata të paaftë të ndërtonin programet që duheshin dhe të tërhiqnin pas vetes elektoratin e humbur.
Pra, në rast se PS nuk ka ndërtuar ende ideologjinë e saj për t’u paraqitur bindshëm si një parti e së majtës europiane – dhe mendoj se për sa kohë tranzicioni të jetë në proces ajo do ta ketë shumë të vështirë ta arrijë këtë gjë – PD, duke mbetur te formulat e vjetra opozitare e me shterpësi idesh të reja, përsëri përpiqet të luajë kartën populiste, kartën që gjithnjë në politikë është boomerang.
Populizmi si ideologji nuk le reformën të shkojë përpara
Prej mjaft kohësh, në mjaft shkrime, intervista e diskutime jam përpjekur të vë rrezikun që krijon ekzagjerimi i përdorimit të populizmit. Fushata antikomuniste e kishte këtë armë të domosdoshme, por ajo nuk mund të zgjatej tej mase, pasi një ditë kthehet në boomerang. Gjithmonë kam pasur bindjen se njerëzit mund t’i ngresh në rrugë një herë apo disa herë, por jo përherë dhe pa i bindur pse.
Në Kuvendin e parë të PD-së, në shtator 1991, pata paralajmëruar domosdoshmërinë e një përgatitjeje serioze me programe të gatshme në eventualitetin e marrjes së pushtetit pas zgjedhjeve. Pikërisht për nevojën e kësaj parapërgatitjeje jam shprehur për frenimin e valës populiste, që zgjedhjet të mos shpejtoheshin për në nëntor apo dhjetor, por të zhvilloheshin në fillim të pranverës.
Pikërisht ethet e fushatës elektorale, që zgjati gjithë vjeshtës e dimrit, nuk ua dhanë mundësinë të përpunonin këto programe, madje, si zakonisht, kjo gjë nuk u mor në konsideratë. Mjaftoi triumfi populist kundër qeverisë së stabilitetit dhe veçanërisht kundër Çekës që t’u krijonte përshtypjen frymëzuesve të populizmit se mund të përdornin përjetësisht armën e ngritjes së njerëzve në rrugë.
Nuk kuptohej se njerëzit nuk ngriheshin në rrugë për shkak të fytyrave tona “të bukura” apo deklamacioneve tona, por sepse urrenin pushtetin e deriatëhershëm. Njerëzit e thjeshtë e duan armikun konkret – diktaturën dhe shërbëtorët e saj – përballë. Por askund nuk duhej menduar se njerëzit do të rrinin gjithë kohës në rrugë. Një ditë ata do të kërkonin ndryshime nga ata që do të zëvendësonin pushtetmbajtësit e diktaturës.
Fytyrat tona të paszgjedhjeve janë ato të shembjes së diktaturës, por përbëjnë përsëri simbolin e pushtetit dhe këtu fillon efekti i boomerangut. Njerëzit tani thonë: të dhamë pushtetin, por edhe përgjegjësinë. Pas kësaj ata duan të shohin çfarë do t’u sjellë ai për të cilin ata dolën në rrugë. Këtu pushon ndjekja në turmë dhe fillon periudha e pyetjeve dhe përgjigjeve.
Pas 22 marsit, e angazhuar me marrjen në dorë të pushtetit, PD nuk diti të kapë ndryshimin thelbësor të këtij roli të saj si parti në pushtet. Kjo u gjend e papërgatitur, pa paketa të gatshme me programe dhe reforma ekonomike e institucionale, pa ide të reja dhe me pak intelektualë rreth saj, të trembur nga lëvizjet e rrugës.
Ndërkohë, populizmi e arriti qëllimin, e kreu misionin e vet dhe forca e tij u zbeh, jo sepse e komanduam ne, por pikërisht sepse njerëzit e thjeshtë arsyetonin se tashmë ata donin të shihnin ndryshime konkrete që do të kryheshin nga ata që kishin brohoritur.
Duhet ta kesh filluar ne 1992 dhe rrezik akoma nuk do e kesh mbaruar se lezuari , aq te gjate e paska bere.Vete sterstersterzgjatja per te thene dicka tregon se i ndjeri nuk kishte brumin e nje politikani por te nje teknicieni.
GOTA E PD - SE JO VETEM QE ESHTE MBUSHUR , POR KA KOHE QE PO DERDHET NE PERRUA ! Partine e re te se djathtes shqiptare mund ta krijojne vetem te djathtet , te arsimuar e formuar si duhet , largpames e atdhetare te vertetete , te mos shohin gjer te pragu i shtepise se tyre , por te perkushtohen per te vene ne shina Shqiperine dhe kombin shqiptar .
Do themelojmë një parti të re me kryetar revolucionarin NON GRATA UNIVERSAL dhe sekretar Dokt.nokun.Shqiperia eshte shtet i vdekur nën goditjen e drogës,vjedhjes dhe korrupsionit. Këmbët e lehta ,faqja e bardhë.Duhet braktisur nga të gjithë dhe të mbesin vetëm drogaxhijtë ,politikanët,hajdutët,degjeneratat me pallatet e tyre lluksoze. Ai vend është i mallkuar nga zoti dhe robi.
Koha eshte te formohet nje Parti Socialiste se kjo e tashmja shume emer-nderruara qe nga 8 nentori i 1941 vajti 85 vjece tashme...
Ps eshte 85 vjecare por ramizi ka vdekur qe te formoj nje parti per sigurimsat dhe komunistat si saliu qe zbatuan pike per pike porosite byros politike dhe e ben vendin lesh e li dhe komunistet u bene milionere
Nje parti demokratike me urdher te Ramiz Alise ,me djemte e xha Sulos,kurre mos u krijofte!
Ju jeni madheshtore ne propaganden Ramisto-Sorosiano-Narkotiste qe i qani hallin opozites dhe nuk thoni nje fjale per shperberjen e se majtes Shqiptare nga Ripjellja narko-shtet
Karkatina e mbetur e Sali Berishës që quhet PD,e ka mbyllur ciklin e saj qysh në vitin 1996.Simotrat e saj në Europën Lindore nuk ekzistojnë fare në ish kampin socialist.Këtl gërmadhë te sajuar nga Ramiz Alia,Berisha po e përdor si mburojë para drejtësisë.Dihet tashmë përdorimi i saj nga Berisha dhe tërë aludimet dhe llustrst për këtë barake politike të rrënuar janë llogje kot.
Mire e kishte ky po s’te lënë ata që e ndanë bajgën më dysh që në 91-shin…
Te shperndahet PD dhe te riformohet sa me pare nje parti e re demokratike, me struktura te reja, drejtues te rinj dhe program te ri. Te quhet Partia e Re Demokratike. Te vihet si kusht qe asnje nga drejtuesit aktuale te mos jete ne drejtimin dhe perberjen e saj.
I ndjeri Gramoz ishte nje njeri i lexuar por fluturak.Ky ekspert ekonomie beri thirje per shkaterimin e ekonomise si"komuniste" dhe "ceku i bardhe" do te sillte begatine.Ky shkrim ne themel tregon se sa te pa orientuar ishin ata qe "krijuan" Partine Demokratike.Edhe sot partite shqiptare populiste ecin kuturu pa ide,pa program dhe pa ideal.Te gjitha partit dhe elementet drejtues te tyre jane thjesht njerez grabitqare,te ethshem per psuri me cdo cmim.Qellimi i vetem i tyre dhe i ketij te ndjerit nuk ishte Shqiperia por pasuria.Shqiperia dhe perparimi i saj jane pika e fundit (prapa liste).Me vjen keq per kete gazete te nderuar qe kerkon tu mbushe mendjen shqiptareve me kete qe bashke me kupolen e PD-s e PS-s i vune kazmen vendit dhe e detyruan popullin te braktis trojet e tij.Mjaft me te tilla hipokrizi.
Partitë duhet të krijohen si bashkim vullnetar i njerëzve me formim, kauza dhe ideologji të njëjtë. Në të kundërt nuk kemi të bëjmë më me 'parti' (parti=pjesë e së tërës, në këtë rast e shoqërisë), por me 'fronte' (kujtoni Frontin Demokratik të kaluar). Aq më pak kur këto parti krijohen të diktuara nga faktorë jashtë saj, që kanë si qëllim axhendat e tyre. Për fat të keq historia e Shqipërisë ka dy momente të tilla. E para është formimi i Partisë Komuniste nën thirrjen e Kominternit që udhëhiqej nga Stalini dhe zbatuar nga Tito me emisarët e tij M.Popoviç dhe D.Mugosha, të cilët kooptuan në krye të saj një aventurier si Enveri, që as komunist nuk ishte. Se ç'u bë menjëherë pas lufte me atë parti dhe shtet, nën udhëheqjen e tij, tashmë shqiptarët e njohin mirë. Këtu mjafton sa të kujtoj një thënie të Çurçillit: "Se ç'ishte komunizmi më mirë e dinë ata që e hoqën në kurriz!". Si shkak i ndryshimeve gjeopolitike në Europë, një ditë dhe asaj do t'i vinte fundi, por jo siç njerëzit do donin. Reminishencat 45 vjeçare nën drejtimin e PPSH, nuk mund të zhdukeshin me një të rënë të lapsit. Rrënjët ishin të thella, njerëzit po ata, indoktrinimi dhe hipokrizia e "njeriut të ri" në maksimum, ndaj nomenklatura e kohës me në krye diktatorin e rradhës, nuk mund të ditëzohej kollaj. Mendoi që ta trashëgonte pushtetin politik dhe ekonomik te shartesat e regjimit të tij, sipas platformës ramiziste të "Katovicës". Kështu, mbasi lejoi pluralizmin politik, ai mentë besuarit e tij, ideoi dhe mbështeti krijimin e dy partive të reja, të cilat me të drejtë Dritëro Agolli (të paktën atij thuhet se i atribuohet) i quajti ato "dy gjysmat e bajgës PP, ndarë në mes nga rrota e qerres së historisë". Dërgoi atje dy emisarët e tij, tek PS, që u krijua me atë në lloxhë, dërgoi Fatos Nanon tashmë kryetar i saj, ndërsa në të dytën, pra te PD e krijuar rishtas si formacion politik, dërgoi Sali Berishën. Të dy këta dhe shpura e tyre ishin ose vetë komunistë, ose pinjollë të nomenklaturës së lartë komuniste. Si vijoi historia më vonë deri në ditët e sotme përsëri shqiptarët e njohin mirë, hequr nga kurrizi i tyre. Kërkuan "liri-demokraci", por ndërsa të parën e fituan me pashë, deri në tepërim, demokracinë e morrën në formën e demokraturës apo demonkraturës. Ndaj formimi i një partie të re demokratike me kontigjentin e 'gjysmës' së PPSh, një konglomarat tmerrësisht berishist, Shqipëria nuk do kishte asnjë të mirë. Kufoma nuk ngjallet. Ajo varroset dhe jeta vazhdon me të gjallët, të cilët nëse duan dhe u konvenojnë interesat, siç citova në fillim, krijojnë një parti tjetër, të re sigurisht po jo me shtojcën 'demokratike', tashmë arkaike. Në një sistem demokratik parti 'antidemokratike' nuk ka dhe nuk mund të ketë, sepse nuk i lejon ligji. Kështu sepse pas lejimit të pluralizmit në 1990 ky emërtim për partinë e parë, është shpërdoruar aq keq nga pronari i saj, sot "non grata", sa rrezikon të mos ndjellë më besim e shpresë, përkundrazi tek ata që do duan të afrohen të ndjellë pasiguri, pra distancim. Gjithsesi, një parti nuk është e mirë dhe e fortë nga numrat, por nga besimi dhe shpresa që ndjell në kuptimin më të plitë të tyre. Një parti e tillë i mungon sot Shqipërisë.