"Wotergejti i Niksonit çfarë ishte? Vrasja e Aldo Moros çfarë ishte?" - Dritëro Agolli: Pse të kemi frikën e korruptimit politik?

7 Maj 2024, 18:33Dossier TEMA
"Wotergejti i Niksonit çfarë ishte? Vrasja e Aldo Moros

“Korruptime politike kemi pasur në botë sa të duash. Wotergejti i Niksonit çfarë ishte? Vrasja e Aldo Moros çfarë ishte? Këtu do të ndodhin të tilla gjëra, doemos. Krijohet një grup që korrupton kryetarët e partive. Ç’është ky, si do të bëhet?

Kur po miratoheshin ligjet e para demokratike, në parlamentin pluralist 1991, deputetët e atij kuvendi, as e kishin parashikuar se cilat do të ishin përmasat e korrupsionit që do të donominonin qeveritë shqiptare njëra pas tjetrës.  “Korrupsioni politik”, ishte një prej termave që diskutohej në vitin 1991, kur po miratohej ligji “Mbi statusin e deputetit, mbi detyrat dhe të drejtat e tij”. Në një prej seancave parlamentare diskutohej rreth institucioineve të pavarura që do të ngriheshin për të kontrolluar  dhe parandaluar korrupsionin. Në një debat të gjatë deputetë të dy krahëve politik hidhnin ide të ndryshme lidhur me termin “korrupsioni politik”. Kishte deputetë që kërkonin të hiqej nga ligji ky togfjalësh ndërsa në përgjigje të këtij opsioni, vjen citimi i Agollit, i cili flet pa drojë për korrpsionin duke sqaruar se ky fenomen ekziston në gjtihë botën dhe do të ekzistojë edhe në Shqipëri.

Esat Myftari - Unë mendoj se në nenin 2 duhet hequr shprehja korruptimi politik. Ende nuk dimë tani përkufizim të saktë juridik se ç’do të thotë korruptim politik, aq më pak mund të përcaktojmë kufirin se ku fillon korruptimi politik. Unë të paktën me aq sa di nuk njoh që në Europën e qytetëruar ku ekziston një shtet ligjor, të jenë dënuar njerëzit për korrupsion politik. Me qenë se jemi në pluralizëm mendoj se e drejta e secilit për të pasur preferenca politike, bile dhe në veprimtarinë e tij, është e natyrshme. Prandaj them që ky term duhet hequr, aq më pak kur këtu thuhet se parashikohet në Kodin Penal. Te ne ende nuk është hartuar, me sa di unë, Kodi i ri Penal, është kodi i vjetër dhe kam frikë se ky koncept e ka burimin aty, për të mos shtyrë dhe mundësinë e veprimtarisë së këtyre organeve të brendshme.

Për sa i përket nenit të parë, unë jam për ta hequr përsëri fjalën “gjurmues” dhe nuk e kuptoj se si mund të arsyetohet vënia e këtij termi me argumentin se punonjësi ose funksionari përkatës nuk do të stimulohet për një punë të ndërgjegjshme. Argumenti i parimit nuk mund të përmbyset me argumentin pragmatist, me qenë se dihet që një funksionar mund të shkarkohet, nuk është i përjetshëm, aq më tepër kur në nen thuhet se Shërbimi Informativ Kombëtar, për plotësimin e detyrave të tij, bashkëvepron me Ministrinë e Rendit Publik, Ministrinë e Mbrojtjes, organet e drejtësisë, si dhe koordinon me organet dhe institucionet shtetërore, shoqërore e private. Pra, të gjitha këto mund ta furnizojnë me materiale gjurmimi, prandaj them që i lihet një kompetencë tepër e dyshimtë këtij organi.

Aleksandër Meksi - Dritëro Agolli.

Dritëro Agolli - Unë habitem me këtë, pse të kemi frikën e korruptimit politik? Këtu mbaruan të kaluarat për këtë punë. Korruptime politike kemi pasur në botë sa të duash. Uotergejti i Niksonit çfarë ishte? Vrasja e Aldo Moros çfarë ishte? Këtu do të ndodhin të tilla gjëra, doemos. Krijohet një grup që  korrupton kryetarët e partive. Ç’është ky, si do të bëhet?

Gramoz Ruçi - Unë mendoj se nga diskutimet dhe propozimet që janë bërë, katër janë problemet që trajtohen për këto dy nene. E para, titulli, e dyta, ndërtimi i strukturës së këtyre dy neneve, e treta, përmbajtja dhe e katërta, varësia.

Unë them që për të katër këto probleme është bërë punë e mirë që nga komisioni që ka hartuar këtë projektligj, ashtu dhe nga Qeveria që e ka miratuar. Prandaj shpreh mendimin që të katërta këto t’i hedhim në propozim? me titullin jam dakord me ndryshimin e bërë; përsëri dhe me ndërtimin e strukturës së të dy neneve, me atë propozim që ka bërë Komisioni i Ligjeve; për përmbajtjen unë mendoj se s’ka nevojë të bëjmë ndryshim, përjashto ndonjë ndryshim brenda këtyre radhëve, siç është fjala vjen te paragrafi i parë i nenit të parë në varësi të Këshillit të Ministrave, sipas atij propozimi, kurse për varësinë unë kam një vërejtje.

Shikoj që nga të dy krahët po diskutohet me nostalgji, hidhet në tavolinë nostalgjia e së kaluarës, diku paramendime. Unë do të thosha që asnjë nga këto të tria nuk qëndron. Duhet të binden punonjësit e këtij shërbimi, se ndryshe nga e kaluara, ky shërbim nuk do t’u shërbejë më as partisë, e theksoj as partisë sonë, as partive dhe as qeverive. Do t’i shërbejë shtetit, do t’i shërbejë kombit shqiptar. Prandaj ne duhet të marrim atë vendim se si t’i shërbejë të gjithëve, jo qeverisë dhe partive, por si t’i shërbejë kombit nga vetë emri që ka, duke hequr çdo nostalgji, çdo prapamendim, ndryshe nuk e ndërtojmë...

Lidhur me varësinë, unë do të mbështesja propozimin që bëri deputeti Ismail Lleshi. Problemi i varësisë është i diskutueshëm. Nuk bëhet asnjë gabim si të lihet në varësi të Presidentit dhe në varësi të Kryetarit të Këshillit të Ministrave, po të mos gabojmë se do të jetë një organ i varur nga Këshilli i Ministrave, si të gjitha organet e tjera, por kur themi jo nga kryetari, por nga dy zëvendësit e tij, këto janë gabime. Me një do të ketë lidhje, me kryetarin e Qeverisë ose me Presidentin.

Nisur nga detyrimet që ka ky shërbim, nga struktura e tij, nga drejtimet e punës së tij, njëri nga drejtimet është i detyrueshëm, po e theksoj i detyrueshëm që duhet ta ketë kompetencë Presidenti, nisur nga kompetencat, të drejtat dhe detyrat që i kemi lënë Presidentit. Gjysma tjetër e shërbimit është e detyrueshme që ta ketë kryetari i Këshillit të Ministrave. Ja pse është një problem për diskutim; megjithatë unë them që të katërta këto probleme që janë për ndryshime për strukturën, për përmbajtjen e dekretit dhe për varësinë t’i hedhim në votë një nga një dhe ta mbyllim këtë diskutim.

1 Komente

  1. B
    Bislimi

    Debati ne parliament ka qene dhe mbetet I nevojshem vetem ne kuptimin estetik te fjales si dicka qe te kujton rendesine e vendimmarjes ne group Ne kuptimin permbajtsor keto debate nuk do te kishin dhe nuk Kane vlere ,nese qe ne diten e pare te demokracise ne Shqiperia te mo's kishte nje consensus qe ta realizonim qofte edhe me referendum ,ATE qe:Shqiperia do te ndjeke organizimin shteteror dhe legjislacionin e njerit prej shteteve model ne demokracise ne Bote,Ashtu Po them ...Finlanda.Nga ky moment nuk do te kishte asnje kuptim te ndertoje Demokracise "sui generis" me ligje alla Shqiptare ,qe shikohen dhe rishikohen,me gabime edhe faje nga politikane djallezore qe iu qepen pushtetit dhe vazhdojne akoma ta perdorin ,nderkohe qe ne keto vende kampione te Demokracise,shoqeria e Ka bere progresin te dukshem pikerisht se ka ndertuar sisteme super te sigurta politike ,me garanca te plota per qytetarin dhe shoqerine,kurse keta ketu ndertojne Qerre demokratik,ia hipin vet siper dhe krekosen mbi Qerren duke bere debate idiote te tipit....Ku ta lyejme me graso ,Apo ku ta ngulim gozhden,Zoteri je shume I Vogel per ta zhvilluar demokracise,thjesht kopjoje dhe zbatoje,Tek e fundit çfarë gjeje te sofistikuar, pervec rremujes dhe sherit Jemi te afte te prodhojme si Shoqeri....Asgje,perderisa nuk prodhojme asgje ne cdo fushe te jetes,te pakten ta heqim NGA mendja se mund te prodhojme demokraci cilesore,Por nese nuk e prodhojme dot te pakten ta marrim Gati dhe tua veme ne perdorim qytetareve duke ua bere jeten me te mire

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje