Balluku përgjigje opozitës: Shkatërruat sistemin energjetik, ëndërronit që të kishit TEC-in e Vlorës...

21 Prill 2022, 12:20Ekonomia TEMA

Balluku përgjigje opozitës: Shkatërruat sistemin energjetik,

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, u ka kthyer përgjigje të gjitha akuzave të Partisë Demokratike të ngritura  pas tryezës së zhvilluar të mërkurën për krizën në sistemin energjetik.

Ministrja foli për kaskadat ujore, TEC-in e Vlorës, gazsjellësin e TAP e për projektin e Skavicës. Në fund ajo tha se qeverisja e shkuar shkatërroi sistemin energjetik, ndërsa qeveria Rama ka diversfikuar burimet.  

“Duke folur për energjinë elektrike dje jemi bërë dëshmitarë të një tryeze që dje mori përsipër të bënte një analizë të sektorit energjetik dhe në atë tryezë fatkeqësisht ishin të gjithë aktorët që kanë dërrmuar dhe shkatërruar sektorin energjetik të Shqipërisë.

Të dëgjosh nga ata të thuhet nga ata që Republika e Shqipërisë prodhon 98% të energjisë elektrike nga basenet ujore dhe është e turpshme që sot të mos ketë energji elektrike të lirë për të thënë të drejtën është shumë e turpshme pasi në vitin 2013 para se të iknin nga pushteti pasi kishin plaçkitur gjithçka vendosën që të plaçkisin edhe kaskadat ujore.

Morën kaskadën e Matit dhe e privatizuan në shkëmbim të kompensimit të TVSH sepse këto janë gjëra që janë harruar dhe duhet t’i themi se kush janë këta që ulen dhe na japin mend për energjinë. Më pas nuk u mjaftuan me kaq, por privatizuan edhe kaskadën e Bistricës duke shkatërruar sistemin elektro-energjetik shqiptar duke e bërë që të kemi atë mungesë që kemi sot e kësaj dite.

Të dëgjosh autorin e gjithçkaje të shkuar mbrapsht në këtë vend në sistemin energjetik që të flasë për projektin e Vlorës, dhe të tregojë që ky projekt u desh bërë prej kohësh, ku sot e kësaj dite atje paguhet një kredi pasi ai TEC u dizejnua gabim. Ndërkohë që prej dy vjetësh jemi duke përfunduar një nga projektet më të mëdha, jo vetëm për prodhimin e energjisë përmes TEC, por edhe të gazifikimit të vendit.

Unë e di që ndoshta nuk ju pëlqen ky fakt pasi bëhet me kompanitë më të mëdha të tregut dhe ju këtë fjalën “amerikane” e keni shumë shqetësim kohët e fundit. Me shumë keqardhje ju them dhe ju informoj që ExxonMobil dhe Açelerate Poëer janë angazhuar për ta përfunduar këtë projekt në kohë rekord dhe jo më ndezjen e TEC me LNG, atë TEC që ju e mbanit atje si fantazmë ndërkohë që paguhej kredia, por ndërtimin e tubit gazsjellës nga porti i lundrueshëm i Vlorës, në drejtim të exit point të TAP-it. E dini çfarë do ndodhë?

Do ndodhë injektimi i gazit nga porti i Vlorës në drejtim të tubit të TAP për t’u shpërndarë qoftë në Itali, qoftë në vendet e veriut siç është Bullgaria. Kemi avancuar në këtë projekt duke pasur në krahë një nga partnerët tanë strategjikë, nga partnerët tanë që nisin nga mbrojtja e vendit tek zhvillimi ekonomik. Ju ëndërronit që të kishit TEC-in e Vlorës, por nuk e bëtë dot siç ëndërronit për Skavicën që e quani sot një krim ambiental. Skavicën që po t’i kthehemi fjalimeve të tua nuk keni lënë ditë pa e lëvduar dhe pa e kthyer në kalë beteje, por që nuk e përdorët kurrë.

Qeveria Rama ka nisur nga puna dhe sot në terren ndodhen grupet e Bechtel, sërish amerikan që po punojnë për studimin gjeologjik. Po dizejnohet një paketë e përgjegjësisë sociale që ju as e kishit imagjinuar ndonjëherë. Tek ju dëgjojmë të thoni përralla dhe të na thoni se çfarë është e vërteta për sistemin energjetik ju lutem kini parasysh që do t’ju kujtojmë se çfarë keni bërë me sistemin energjetik.

Sesi e latë këtë vend me 45% humbje në sistemin e shpërndarjes. Ju mbahet mend se 50% e prodhimit nga këto kaskada para se të privatizoheshin shkonin dhe humbeshin në rrjet. E mbani mend kur dilnit në fushata dhe thonit që s’ka nevojë të paguani këto 3 muajt e fundit se ua bëjmë ne dhuratë. Ato fatura qëndronin aty dhe ktheheshin në borxhe të këqija. Këta jeni ju. Ju jeni ata që nuk arrinit të mblidhnit as 56% të faturimit të rrjetit të shpërndarjes. Ju jeni ata që privatizuat kaskadat shtetërore.

Ju jeni ata që shkatërruat sistemin energjetik. Ne jemi ata që do të ndërtojmë Skavicën, ne jemi ata që kemi diversifikuar burimet. Ne jemi ata që do ta kthejmë Vlorën, por sipas kushteve dhe kritereve europiane dhe botërore për mbrojtjen e ambientit meqenëse juve ju dhemb shpirti për Vlorën dhe e latë që të vuante pa rrugë dhe me bregdetin e zënë nga ndërtimet informale ju siguroj që si anijet pra bargjet që do parkohen aty për të prodhuar energji më të lirë, si tubi gazsjellësit që do të lidhë Vlorën me Fierin, ashtu edhe TEC, janë të dizejnuara sipas parametrave të BE. Anijet janë të pajisura me kritere sipas Bankës Botërore”, tha Balluku.

Lini një Përgjigje