Kosova është kthyer në investitorin kryesor të huaj në Shqipëri për vitin 2025, duke shënuar një vit rekord për flukset e kapitalit dhe blerjet strategjike në tregun shqiptar.
Të dhënat e fundit të Bankës së Shqipërisë tregojnë se vetëm për tremujorin e tretë, investimet nga Kosova arritën në 90 milionë euro, një rritje katër herë më e lartë se një vit më parë.
Për të gjithë 9-mujorin e vitit, investimet direkte nga Kosova kapën shifrën e 153 milionë eurove, duke regjistruar një rritje dramatike prej 139 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.
Kjo valë rritjeje lidhet kryesisht me disa lëvizje të rëndësishme të ndërmarrjeve kosovare, që kanë zgjeruar praninë e tyre në Shqipëri.
Në korrik të këtij viti, kompania Viva Fresh, që zotëron rrjetin më të madh të shitjeve me pakicë në Kosovë, mbylli blerjen e Spar Albania, zinxhirit të dytë më të madh të shitjes me pakicë në Shqipëri, në një transaksion me vlerë 36.4 milionë euro. Ky operacion nuk përfaqëson vetëm një zgjerim të markës, por edhe një lëvizje strategjike që e vendos Kosovën në një rol kyç në tregun shqiptar të pakicës.
Më pas, në fillim të shtatorit, ALBI Holding, një kompani me kapital nga Kosova, finalizoi blerjen e Fashion Group Albania, pjesë e grupit Balfin, për një vlerë prej rreth 7.6 milionë euro.
Me këtë blerje, Albi Holding jo vetëm që zgjeron portofolin e vet në fushën e modës, por gjithashtu konsolidon praninë e kompanive kosovare në sektorë me ndikim të lartë ekonomik.
Në tremujorin e fundit të vitit, vëmendja e investitorëve kosovarë u drejtua tek sektori i ushqimit fast food, me kompaninë KAN shpk që bleu Global Fast Food Albania, duke marrë kontrollin e markës KFC për tregun shqiptar. KAN, që ka të drejtën e markës KFC edhe në Kosovë, Maqedoni të Veriut dhe Mal të Zi, tregon se grupet kosovare po shohin Shqipërinë si një hapësirë strategjike për zgjerimin rajonal të bizneseve të tyre.
Stoku i investimeve nga Kosova, që pasqyron kapitalin e akumuluar dhe të vendosur në Shqipëri, arriti në fund të 9-mujorit të vitit 2025 në 550 milionë euro, duke shënuar një rritje me 42 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ky trend tregon qartë se investitorët kosovarë po shohin Shqipërinë jo vetëm si një treg afatshkurtër, por si një hapësirë me potencial të lartë për zhvillim dhe fitim strategjik.
Pas Kosovës, investitorët më të mëdhenj të huaj në Shqipëri për këtë vit janë Italia, me flukse të reja prej 137 milionë eurosh për 9-mujorin dhe Holanda me 130 milionë euro, e cila ka mbajtur vendin e tretë mes investitorëve të huaj.
Edhe pse investimet turke kanë rënë me 37 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, me flukse të reja prej 128 milionë eurosh, stoku i investimeve turke në Shqipëri ka arritur në 1.35 miliardë euro, duke ruajtur një prani të qëndrueshme në sektorët kyç të ekonomisë.
Kosova eshte krahine eshte njesoje sikur te thoshe krahine Laberise investoje ...nuk perben lajmë
Kosova ne...fast food....do na ,,,,mbijne restorantet arabe (hallall)....si,,,,kerpurdhat mas shiut,,,,,,,