
Teksa qeveria ka vendosur një objektiv të qartë për të shkuar më tej me digjitalizimin dhe reformimin e shërbimeve të administratës publike, edhe sektori privat po përpiqet të kapë me shpejtësi hapat.
Mund të keni dëgjuar shpesh për zhvillimet e vrullshme në sektorin e Fin-Tech dhe pagesat e shpejta digjitale, por sektori i mikrofinancës po bën revolucion në sjelljen e nevojës për financim, një klik larg qytetarëve.
Metoda e miratimit të kredive të reja në sektorin e mikrofinancës zgjat jo më shumë se 30 minuta, ndërsa një sistem kompleks algoritmik, por edhe metodat më të fundit bashkëkohore të njohjes së fytyrës dhe të dhënave të tjera biometrike ka bërë që klientët të kursejnë kohë dhe t’i japin zgjidhje kërkesave të tyre urgjente për para, gjithçka vetëm nëpërmjet telefonit.
Inovacioni i nxitur në këtë sektor ka kulmuar me krijimin e aplikacioneve për të gjithë përdoruesit e telefonit. Vetëm nëpërmjet identifikimit me numrin personal, klienti merr në kohë reale të gjitha njoftimet, afatet dhe pagesat që duhet të bëjë për kredinë e marrë.
Një staf i tërë, i quajtur si reparti digjital i kompanisë, bën verifikimin e të gjitha këtyre të dhënave, privatësia e të cilave ruhet sipas ligjeve të brendshme të kompanisë, por edhe ligjeve të shtetit shqiptar. Një tjetër inovacion i rëndësishëm i arritur nga këto institucione është nënshkrimi digjital.
Në këtë aspekt, një punë e rëndësishme ligjore është bërë edhe në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë. Më pas qytetarët lehtësisht mund t’i tërheqin paratë në shumë institucione të tjera financiare të cilat kanë mijëra pika të shpërndara nëpër territorin e Shqipërisë, duke e bërë shumë më të aksesueshme për pjesën e pashërbyer të popullsisë nga bankat. Shoqata Evropiane e Mikrofinancës ka vlerësuar se transformimi i digjital është çelësi për përfshirjen e qytetarëve në shërbime financiare dhe eliminimin e burokracirave, që nxit rritjen ekonomike dhe zbut varfërinë.
Këto aplikacione arrijnë të japin edhe shërbimin e nevojshëm të portofolit digjital ku lehtësisht mund të fusësh apo tërheqësh para, ndërsa në të njëjtën kohë një sërë kompanish dhe biznesesh të vogla janë të lidhura me aplikacionin duke i mundësuar reklamim efektiv një shumëllojshmërie biznesesh.
Shoqata e Mikrofinancës Shqiptare ka përllogaritur se janë 13.34 milion euro të investuara për t’i transformuar Institucionet Financiare Jo Banka në rrugën drejt teknologjisë dhe inovacionit duke filluar nga 2017-ta. Sipas Shoqatës Evropiane të Mikrofinancës, 95% e Institucioneve Financiare Jo Banka e shikojnë transformimin digjital si mjaft të rëndësishëm duke e integruar në planet e tyre strategjike 3 – 5 vjeçare.
Në një anketim të kryer prej shoqatës në raportin vjetor të 2022-shit, vërehet se Institucionet e Mikrokredisë në Evropën Lindore, ku bëjmë pjesë dhe ne, kanë prioritet kryesor rritjen e kënaqësisë së klientit, si dhe interes më të madh për të prezantuar produkte të reja, ndryshe nga simotrat në Evropën Veriperëndimore që kërkojnë të rrisin efikasitetin.
Këto investime mundësojnë ngritjen e stafeve të specializuara dhe trajtimit korrekt të shqetësimeve të klientëve, duke u bërë pararojë e zhvillimeve në sektorin e financës. Shoqata e Mikrofinancës detajon se janë 32 831 trajnime të kryera gjatë kësaj periudhe për stafin, përafërsisht tre trajnime për staf në vit, duke i dhënë një tjetër rëndësi kualifikimit të punonjësve. Ndërkohë jo më kot, në statistikat e pagave mesatare të publikuara nga INSTAT punonjësit në grupin e Aktiviteteve Financiare vijojnë të kenë paga më të larta se mesatarja kombëtare, ku kontribut të rëndësishëm jep dhe sektori jobankar.
Inovacioni në këtë sektor kontribuon edhe në menaxhimin më mirë të riskut të portofolit. Nëpërmjet zgjidhjeve digjitale, institucionet e Mikrofinancës mund të gjurmojnë llogaritë e debitorëve, ndërsa klientët lehtësisht mund të kontrollojnë të dhënat e kredisë së papaguar. Më pas një sistem i automatizuar bën përditësimin e menjëhershëm të ripagimit të kredisë. Gjithashtu, nëpërmjet këtyre sistemeve mund të gjurmohet menjëherë pozicioni financiar i kredimarrësit dhe në kohën e duhur mund t’i bëhet rikujtesë për të shlyer kredinë e mbetur.
Tanimë mbetet detyrë e Bankës së Shqipërisë për të ndjekur me rregullore zhvillimin e vrullshëm të këtij sektori që po revolucionarizon mënyrën se si qytetarët përfshihen në sektorin financiar në përditshmërinë e tyre.
Lini një Përgjigje