Ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës, Enea Karakaçi, ka theksuar se reformat në sektorin energjetik po japin rezultate konkrete dhe projekti i radhës është ndërtimi i nënstacionit të ri në qendër të Tiranës.
Financimi prej 22.5 milionë euro do të bëhet nga OSHEE dhe BERZH për financimin e ndërtimit të një nënstacioni të ri energjetik 110/20kV nëntokë, duke garantuar siguri dhe furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike për të ardhmen.
“Reforma në sektorin energjetik po jep rezultate konkrete, duke rritur besimin e partnerëve ndërkombëtarë ndaj institucioneve tona publike. Shembulli më i fundit është marrëveshja mes OSHEE Group dhe BERZH për financimin e ndërtimit të nënstacionit të ri në qendër të Tiranës.
Ky projekt energjetik 110/20kV është unik në llojin e tij, pasi do të ndërtohet në nëntokë, duke garantuar siguri dhe furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike për të ardhmen. Me një investim prej 22.5 milionë euro, projekti është në përputhje me Planin e Masave për Qytetin e Gjelbër të Tiranës (GCAP), në kuadër të programit “Green Cities” të BERZH-it”, shkruan Karakaçi.
Ky investim pritet të sjellë një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të infrastrukturës energjetike dhe zhvillimit të qëndrueshëm të Tiranës, duke e pozicionuar kryeqytetin si një model të transformimit të gjelbër në rajon.
Lini një Përgjigje