Rritja e çmimit të naftës, a do të kemi më pak autobusë në qarkullim nesër?

29 Mars 2026, 21:43Ekonomia TEMA
Rritja e çmimit të naftës, a do të kemi më pak

Rritja e çmimit të karburanteve ka vënë nën një presion të shtuar sektorë të ndryshëm të ekonomisë, por transporti publik duket se po ndjen më shumë efektet. Të dhënat që vijnë nga Shoqata e Transportit Ndërqytetës flasin se vetëm në një muaj, kohë kur çmimi i naftës është shtrenjtuar, operatorët e transportit vetëm në qarkun Tiranës flasin për një faturë shtesë prej 400 mijë eurosh që po e mbajnë nga xhepi i tyre. Dashnor Memaj, gjatë një interviste për “E-ZONE” në Vizion Plus, tha se situata nuk mund të përballohet më nga ana e bizneseve.

Vetëm në qarkun Tiranë, bashkë me bashkitë e tjera të vogla, konsumi mujor për transport publik arrin në afër 650-700 mijë litra naftë në muaj. Ne e blinim naftën me shumicë me 155 lekë për litër, por tashmë ky çmim ka arritur në 200-210 lekë/litër. Me këto shifra, kostoja shtesë gjatë këtij muaji ka arritur në afro 400 mijë euro. Në sektorin tonë, kostoja e blerjes së karburantit zë 40-45% të shpenzimeve,” tha Dashnor Memaj për Vizion Plus.

Por, nisur nga kjo situatë, si dhe nga fakti që qeveria ende s’ka marrë një vendimmarrje për një paketë lehtësuese, operatorët e transportit kanë kërcënuar se ditën e hënë do të reduktojnë flotën e autobusëve në qarkullim. Por çfarë pritet të ndodhë nesër?

Ne kemi bërë thirrje dhe kërcënim, se me këtë realitet, nga java që vjen do të punojmë me 70% të mjeteve. Pra, duam të kufizojmë lëvizjet për të frenuar kostot. Por bashkia ka premtuar se ditën e hënë do të na informojë lidhur me vendimin që do të marrë për të zbutur këto efekte. Pra nesër, të hënë, ne vendosim se sa autobusë do të kufizojmë. Ne jemi në fazën që vendimi i parë dhe i menjëhershëm që nevojitet është kompensimi për litër për naftën, njësoj si mekanizmi që u zbatua pas luftës Rusi-Ukrainë,” tha Memaj.

Një kufizim i mundshëm i transportit publik do të sillte një kolaps në qarkullim, ndaj mbetet për t’u parë se cili do të jetë reagimi i bashkisë ndaj kërkesave të operatorëve që ofrojnë transport publik.

Lini një Përgjigje