Në nëntor numri i vizitorëve u rrit me 30 %

17 Janar 2026, 21:10Ekonomia TEMA
Në nëntor numri i vizitorëve u rrit me 30 %

Turistët italianë vijojnë të kenë një peshë të konsiderueshme në fluksin e të huajve që vizitojnë Shqipërinë gjatë gjithë vitit, sipas të dhënave zyrtare të INSTAT. Në raportin më të fundit, që lidhet me muajin nëntor të vitit të kaluar, shumica e vizitorëve jorezidentë të cilët u akomoduan në strukturat pritëse në vendin tonë, rreth 19% e tyre janë nga Italia, 18% nga Kosova dhe 9% nga Gjermania, sipas INSTAT.

Gjithashtu, edhe Franca dhe Mbretëria e Bashkuar kontribuan përkatësisht me 6% dhe 5% të vizitorëve gjatë nëntorit të 2025, të dhëna këto që reflektojnë prirjen e rritjes së turizmit hyrës nga tregjet kryesore të rajonit dhe Evropës.


Referuar të dhënave zyrtare, në muajin nëntor të vitit të kaluar, vizitorët gjithsej u rritën me 30%, ku ata jorezidentë shënuan një rritje prej 31% dhe rezidentët 28,0%. Nga ana tjetër, një tregues tjetër i rëndësishëm janë edhe netëqëndrimet, të cilat gjithsej u rritën me 29,8%, ku ato të vizitorëve të huaj u rritën me 32,5%, nënvizon INSTAT.

Gjatë nëntorit, vizitorët jorezidentë shënuan rritje në zonat jobregdetare me +21,6%, ndërsa në hotelet apo akomodimet e ngjashme rritja ishte +29,8%. Norma e shfrytëzimit të dhomave në hotele arriti në 22,2%, krahasuar me 19,5% në nëntorin e vitit 2024.

Lini një Përgjigje