Mësuesit mbeten faktori më i rëndësishëm në cilësinë e arsimit dhe në zhvillimin e brezave të rinj. Në një kohë kur teknologjia, inteligjenca artificiale dhe ndryshimet sociale po transformojnë mënyrën si mësojnë nxënësit, roli i mësuesit është bërë edhe më kompleks dhe më i rëndësishëm se kurrë.
Mësuesi tipik në Shqipëri është rreth 43 vjeç, në shumicën e rasteve grua dhe me një përvojë të konsiderueshme në sistemin arsimor. Kjo është panorama që del nga analiza e “Scan Intel” nisur nga rezultatet e sondazhit ndërkombëtar Teaching and Learning International Survey (TALIS) 2024 të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), një nga studimet më të mëdha globale që analizon profilin dhe kushtet e punës së mësuesve.
Sipas raportit për Shqipërinë, mosha mesatare e mësuesve është 43 vjeç, pak më e ulët se mesatarja e vendeve të OECD që është rreth 45 vjeç. Rreth 32% e mësuesve janë mbi 50 vjeç, ndërsa vetëm 9% janë nën 30 vjeç, çka tregon se sistemi arsimor mbështetet kryesisht te një brez mësuesish me përvojë.
Profesion i dominuar nga gratë
Profesionin e mësuesit në Shqipëri e dominojnë gratë. Sipas sondazhit, 75% e mësuesve janë gra, një përqindje më e lartë se mesatarja e vendeve të OECD, ku gratë përbëjnë rreth 70% të stafit mësimor.
Shumica e kanë zgjedhur mësuesinë si profesion
Raporti tregon gjithashtu se në Shqipëri profesioni i mësuesit vazhdon të jetë një zgjedhje e qëndrueshme për shumë profesionistë. Vetëm 2% e mësuesve kanë hyrë në profesion si karrierë e dytë, ndërsa pjesa dërrmuese e kanë zgjedhur arsimin si profesionin e tyre kryesor.
Në të njëjtën kohë, 85% e mësuesve të rinj deklarojnë se mësuesia ishte zgjedhja e tyre e parë profesionale, një përqindje dukshëm më e lartë se mesatarja e OECD.
Teknologjia dhe inteligjenca artificiale në klasë
Raporti tregon gjithashtu se përdorimi i teknologjisë po bëhet gjithnjë e më i pranishëm në procesin e mësimdhënies. Në Shqipëri, 52% e mësuesve deklarojnë se kanë përdorur inteligjencën artificiale në punën e tyre gjatë vitit të fundit.
Stabiliteti në punë
Sipas të dhënave të TALIS, sistemi arsimor shqiptar karakterizohet edhe nga një nivel i lartë stabiliteti në punë. 87% e mësuesve kanë kontratë të përhershme, ndërsa vetëm 4% punojnë me kohë të pjesshme.
Megjithatë, ndërsa shumica e mësuesve janë të kënaqur me kushtet e punës, vetëm 36% shprehen të kënaqur me pagën, një tregues që mbetet sfidë edhe në shumë sisteme arsimore të tjera.
Lini një Përgjigje