Kryeministri Edi Rama njoftoi të enjten se qeveria do të ofrojë një paketë mbështetëse për sektorin e bujqësisë, banesat dhe dëmet e tjera të shkaktuara nga zjarret masive që kanë përfshirë vendin gjatë korrikut.
Sipas tij, për muajin gusht do të rritet gatishmëria dhe do të mobilizohen të gjitha strukturat për menaxhimin e situatës.
“Masat e marra, rritja e gatishmërisë për muajin gusht 2025 dhe mobilizimi i strukturave përkatëse për menaxhimin e situatës së zjarreve në vend, ku qeveria do të ofrojë një paketë mbështetëse për dëmet e shkaktuara në fushën e bujqësisë, banesave apo nevojave të tjera që kanë lindur si pasojë e vatrave të zjarrit”, shkruan kreu i Qeverisë në Facebook.
Gjatë një konference për shtyp, ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu raportoi se deri më tani janë regjistruar 59 vatra zjarri që kanë djegur mbi 29 mijë hektarë.
“Deri në fund të muajit korrik kemi pasur 59 zjarre masive, zjarr që tejkalon sipërfaqen 1 hektar. Në total mbi 29 mijë hektarë sipërfaqje e djegur: 17 mijë e 500 Vlorë; 4 mijë e 524 Dibër; 2 mijë e 425 Tiranë; 1 mijë e 505 Berat; 1 mijë e 235 Shkodër. Rekordi historik në vendin tonë është në vitin 2007, 127 mijë hektarë sipërfaqje e djegur”, u shpreh zyrtari i lartë.
Forcat e angazhuara, duke përfshirë gjithë zinxhirin e Emergjencave Civile, ishin në total: 14 mijë e 200 vetë, 2 mijë mjete të specializuara ose private, 63 operacione ajrore, katër helikopterë të FA-ve, dy helikopterë hungarezë, dy Canadair të Italisë dhe dy Canadair të Greqisë dhe një Canadair nga Kroacia.
“Ne do vijojmë në rinovimin e flotës ajrore. Aktualisht janë të prekura 12 banesa, tre stane, një objekt kulti dhe një nënstacion energjie”, shtoi ministri i Mbrojtjes.
Lini një Përgjigje