Pas disa muajsh lëkundjesh dhe rëniesh të njëpasnjëshme përgjatë vitit të kaluar, tregtia e jashtme e Shqipërisë ka dhënë sinjalet e para të një rikuperimi të lehtë gjatë muajit shkurt 2026. Të dhënat më të fundit nga Instituti i Statistikave (INSTAT) konfirmojnë se si eksportet ashtu edhe importet kanë shënuar rritje, të nxitura kryesisht nga lëndët e para dhe importi i teknologjisë.
Megjithatë, struktura e asaj çfarë shesim dhe çfarë blejmë tregon thellim të sfidave për prodhimin vendas, veçanërisht për industrinë e veshjeve dhe këpucëve.
Zgjerohet volumi, mbetet deficiti
Në muajin e dytë të vitit, ekonomia shqiptare arriti të eksportojë mallra në vlerën e 30,9 miliardë lekëve. Kjo shënon një rritje prej 2,8% në raport me shkurtin e vitit 2025, por një kërcim të fortë prej afro 16% nëse krahasohet me muajin janar të këtij viti.
Nga ana tjetër, makina e konsumit dhe prodhimit të brendshëm ka kërkuar më shumë furnizime nga jashtë. Importet kapën vlerën e 68,0 miliardë lekëve, me një rritje të lehtë vjetore prej 0,8%.
Për shkak se Shqipëria vazhdon të blejë më shumë se dyfishin e asaj që shet, deficiti tregtar (hendeku mes importeve dhe eksporteve) u regjistrua në 37,1 miliardë lekë, duke u thelluar ndjeshëm në raport me muajin paraardhës.
Lëndët e para mbajnë tregun, fasoneria në vështirësi
Rritja e eksporteve nuk ka ardhur nga një zgjerim i përgjithshëm i prodhimit, por është mbajtur “gjallë” nga një sektor i vetëm.
Shitja e mineraleve, lëndëve djegëse dhe energjisë elektrike ishte shpëtimtari i muajit shkurt, duke kontribuar me +6,3% në rritjen totale të eksporteve. Një sinjal pozitiv erdhi edhe nga eksporti i makinerive dhe pajisjeve.
Lajmet e këqija vijnë sërish nga sektori i “Tekstileve dhe Këpucëve” (fasoneria), i cili ka vijuar rënien me -1,1%, i ndjekur nga rënia e eksporteve të industrisë ushqimore (-2,1%).
Në krahun e importeve, vihet re një rritje masive (+5,0%) e blerjes së makinerive dhe pajisjeve nga jashtë, çka mund të përkthehet si një sinjal i rritjes së investimeve kapitale nga bizneset vendase për t’u modernizuar.
Harta e re e tregtisë, sytë nga Kosova dhe Kina
Partneri kryesor i Shqipërisë mbetet Bashkimi Evropian, i cili thith mbi 70% të eksporteve tona. Por brenda kësaj harte, lëvizjet e shkurtit kanë qenë domethënëse.
Eksportet drejt partnerit tonë historik, Italisë, pësuan një tkurrje me 5,1%, duke reflektuar drejtpërdrejt krizën e sektorit fason që punon kryesisht me tregun fqinj. Për të kompensuar këtë rënie, bizneset shqiptare kanë kthyer sytë nga rajoni dhe tregje të tjera. Eksportet drejt Kosovës shënuan një rritje rekord prej 37,1%, ndërsa ato drejt Gjermanisë u rritën me 34,7%.
Për sa i përket mallrave që hyjnë në vendin tonë, Kina po forcon ndjeshëm pozitat. Importet nga shteti aziatik shënuan një rritje “agresive” prej 53,9% brenda një viti, duke zëvendësuar një pjesë të produkteve që më herët bliheshin në Itali apo Turqi.
Lini një Përgjigje