Vlera e lejeve të ndërtimit arrin në gati 1 miliardë euro

28 Shkurt 2023, 18:06Ekonomia TEMA

Vlera e lejeve të ndërtimit arrin në gati 1 miliardë euro

Autoritetet publike dhanë 1420 leje ndërtimi gjatë vitit 2022 me një sipërfaqe të përgjithshme të planifikuar prej afro 2.7 milionë metrash katrore dhe me një vlerë të llogaritur investimi minimal prej 112 miliardë lekësh (afro 1 miliardë euro), bëri të ditur Instituti i Statistikave të martën në një njoftim për shtyp.

Vlera e llogaritur e investimit nxirret përmes shumëzimit të sipërfaqes së ndërtimit me koston mesatare të ndërtimit, afërsisht 30 mijë lekë për metër katrorë. Nëse supozojmë se çmimi mesatar i shitjes është tre apo katër herë më i lartë se sa kostoja, atëhere vlera e përgjithshme komerciale e lejeve të dhëna arrin në 3 apo 4 miliardë euro.

Viti 2022 ishte i dyti në historinë e re të Shqipërisë për sa i përket lejeve të ndërtimit. Viti rrekord është viti 2010, kur lejet e dhëna arritën në një vlerë të përafërt investimi prej 118 miliardë lekësh.

Shumica dërrmuese e lejeve të ndërtimit të dhëna gjatë vitit të kaluar kanë për destinacion ndërtimin e banesave dhe shumica dërrmuese janë njësi me “tre apo më shumë njësi banimi”, pra pallate. Vetëm 18% e projekteve të miratuara janë ndërtesa joresidenciale, të tilla si hotele.

Vitet para zgjedhjeve për pushtetin vendor në mënyrë tipike shënojnë rritje të numrit të lejeve të ndërtimit të dhëna në një treg ku akuzat për mitëmarrje nga ana e kryebashkiakëve kanë qenë të shpeshta.

Për vitin 2022, 67% e të gjithë volumit të lejeve të ndërtimit të dhëna u dha në Qarkun Tiranë ndërsa 16% në Qarkun Durrës. INSTAT nuk raporton të dhëna në nivel bashkish por në të dyja rastet duket se Bashkia Tiranë dhe ajo e Durrësit kanë dhënë pjesën dërrmuese të lejeve të ndërtimit.(BIRN)

Lini një Përgjigje