Aksion antidrogë te 'Myslym Shyri', sekuestrohet 1 kg kokainë, pranga 3 të rinjve

26 Qershor 2024, 09:08Kronika TEMA
Aksion antidrogë te 'Myslym Shyri', sekuestrohet 1 kg

Një aksion i policisë dhe prokurorisë së Tiranës, ka sjellë sekuestrimin e një sasie prej 1 kg kokainë në zonën e “Myslym Shyrit” në kryeqytet.

Policia ka arrestuar në zonën e “Myslym Shyrit”, të rinjtë, Paulo Shyti, Xhelo Ajasllari dhe Ervin Rakipi.

Rasti është zbuluar përmes një agjenti të infiltruar të policisë, i cili është prezantuar si blerës i lëndës narkotike.

Për momentin tre autorët e arrestuar Paulo Shyti, Xhelo Ajasllari dhe Ervin Rakipi, akuzohen për “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike” kryer në formën e bashkëpunimit.

Ndërkohë hetimet janë duke vijuar me qëllim identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale, atë të tregtimit të sasive të kokainës në zona të ndryshme të Tiranës.

Njoftimi i Policisë:

DVP Tiranë

Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, operacioni policor i koduar "Collaboration 3".

Sekuestrohen 1 kg e 130 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë.

Vihen në pranga 3 shtetas.

Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, të mbështetura nga inteligjenca operative, dhe në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional "Tempulli 3", në kuadër të një procedimi penal ndjekur me metoda proaktive, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kanë organizuar dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar "Collaboration 3".

Si rezultat i këtij operacioni u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve: P. Sh., 35 vjeç, Xh. A., 23 vjeç, dhe E. R., 43 vjeç, të tre banues në Tiranë.

Shërbimet e Policisë kanë lokalizuar në rrugën "Myslym Shyri", shtetasit e lartpërmendur, dhe gjatë kontrollit fizik ndaj shtetasit P. Sh., shërbimet e Policisë i gjetën 1 kg e 130 gramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë. Gjatë ndërhyrjes, shtetasi E. R. nuk i është bindur urdhrave të punonjësve të Policisë.

Lënda narkotike, së bashku me një automjet dhe celularët e shtetasve të arrestuar, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Lini një Përgjigje