“Basti i fundit” godet në Fushë-Krujë, në pranga edhe një efektiv policie

8 Korrik 2026, 11:10Kronika TEMA
“Basti i fundit” godet në Fushë-Krujë, në pranga

Një punonjës policie dhe dy shtetas janë arrestuar në kuadër të operacionit të koduar “Basti i fundit”, pas një hetimi për veprimtari të paligjshme të lojërave të fatit dhe shpërndarje të lëndëve narkotike.

Sipas Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, në pranga ka rënë efektivi i policisë Lutfi Dervishi, me detyrë Ndihmës Specialist i Policimit në Komunitet në Fushë-Krujë. Ai dyshohet për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”.

Gjatë kontrollit në banesën e tij, policia gjeti dhe sekuestroi 119 fishekë model 9 mm.

Gjithashtu u arrestuan edhe Sabah Stafuga dhe Fatmir Stafuga, banues në Arrameras të Fushë-Krujës. Ata dyshohen për organizim të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin, si dhe për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike.

Gjatë kontrolleve në ambientet e hetuara, autoritetet sekuestruan katër pajisje elektronike të dyshuara për lojëra fati, dy serverë ose njësi kompjuterike që dyshohet se përdoreshin për aktivitetin e paligjshëm, një pajisje DVR, tre telefona celularë dhe lëndë të dyshuar narkotike.

Sipas policisë, u gjetën disa qese me lëndë të dyshuar narkotike me peshë totale rreth 6.6 gramë.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka deklaruar se do të vijojë kontrollet ndaj çdo punonjësi që dyshohet se shkel detyrën dhe përfshihet në aktivitete të paligjshme.

Lini një Përgjigje