Gati dy muaj nga vrasja e Klaudio Prendit, djalit të ish-gjyqtarit Fran Prendi, policia ka shoqëruar ditët e fundit të tjerë persona për t’i marrë në pyetje.
Burime nga grupi hetimor pohojnë disa prej tyre janë të dyshuar të përfshirë në ngjarje, si autorë ose si porositësi të krimit.
Pista kryesore vijon të jetë ajo e konflikteve për çështje borxhi. Personat për të cilët policia dyshon se janë autorë, brenda një viti kanë pasur dy sherre me Prendin, shkruan A2 CNN.
Konfliktin e fundit e kanë pasur një muaj para ngjarjes, ku janë zënë me grushte e sende të forta. Ndërkohë, policia është ende në pritje të përgjigjes nga autoritetet greke pas letërporosisë që u kanë dërguar, pasi targa e mjetit të përdorur në vrasje ishte e vjedhur në Greqi.
Klaudio Prendi u ekzekutua pak pasi kaloi mesnata e 18 nentorit sapo hipi në makinën e tij pranë Xhamllikut në Tiranë, ndërsa më herët kishte qenë në lokal në shoqërinë e miqve të tij, përfshirë disa efektivë policie.
Autorët qëlluan nga një makinë “Audi” dhe iu deshën vetëm 4 sekonda për të shtënë 5 plumba, që i morën jetën në spital 27-vjeçarit.
Babai i tij, gjyqtari Fran Prendi i larguar nga sistemi i drejtësisë me dorëheqje, njihet për dënimin e grupeve të mëdha kriminale, përfshirë Emiljano Shullazin. Gjykoi dhe Salvatore Lettizian, një anëtar i Camorras italiane, për masakrën me tre viktima në bulevardin “Zogu I” në vitin 2015.
Lini një Përgjigje