Dhanë “Metadon” në kundërshtim me protokollin mjekësor, Prokuroria çon në gjyq mjekun dhe infermierin në Fier

26 Prill 2025, 11:22Kronika TEMA
Dhanë “Metadon” në kundërshtim me protokollin

Prokuroria e Fierit ka përfunduar hetimet dhe ka çuar për gjykim mjekun toksikolog Lulzim Banushaj bashkë me infermierin E.M, të cilët akuzohen për “korrupsion pasiv” dhe “shpërdorim detyre”.

Sipas hetimeve, ata kanë dhënë në mënyrë të paligjshme ilaçin “Metadon”, në kundërshtim me protokollin mjekësor.

Dy bluzat e bardha dyshohet se kanë vepruar kundrejt përfitimeve monetare, duke rrezikuar shëndetin e pacientit edhe pse ky i fundit i ka thënë se ka qenë përdorues i lëndëve narkotike.

Njoftimi i Prokurorisë së Fierit:  

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Fier përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasit L.B. dhe E.M. për veprat penale ‘Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, të parashikuara nga nenet 259 prg. 1 dhe 248 të Kodit Penal.

Në përfundim të hetimeve mbi procedimin penal nr.1599, të vitit 2023, prokuroria mori të pandehur shtetasin L.B., mjek toksikolog dhe kërkoi dërgimin e çështjes në gjyq, pasi nga hetimet u provua se ky shtetas ka lëshuar recetë për marrjen e medikamentit “Metadon” një shtetasi që ka pretenduar se është përdorues i lëndëve narkotike, pa pasur analizat e tij dhe pa rekomandimin e mjekut të familjes, përkundrejt përfitimit material.

Gjithashtu, është marrë i pandehur edhe shtetasi E.M., infermier i Sektorit të Shërbimit Parësor në NJVKSH Fier, pasi u provua se, në kundërshtim me detyrën e tij dhe protokollin mjekësor, i ka dhënë një shtetasi medikamentin “Metadon” në dyfishin e sasisë së përcaktuar, duke u mjaftuar vetëm me një recetë mjekësore, pa pasur kartelë mjekësore të pacientit që do të trajtohet me këtë medikament, përkundrejt përfitimit material.

Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier shpreh angazhimin e plotë dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të të gjithë personave që gjatë ushtrimit të funksioneve publike kryejnë veprime në kundërshtim me ligjin kundrejt marrjes së përfitimeve të parrgullta.

1 Komente

  1. J
    Jorgo

    Metadoni dihet qe u jepet perdoruesve per te anashkaluar nevojen per lende narkotike...cfare paskerkan shkelur keta?

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje