Sulmi i Iranit ngadalëson aeroportin, por fluturimet nuk ndalojnë!

10 Shtator 2022, 16:10Kronika TEMA

 

Sulmi i Iranit ngadalëson aeroportin, por fluturimet nuk ndalojnë!

Një sulm i radhës kibernetik ka ardhur nga ana e disa hacker-ëve iranianë, të njohur si grupimi “Homeland Justice” në Shqipëri, i cili ka shkaktuar edhe avari në sistemin TIMS, i cili monitoron lëvizjet e qytetarëve në pikat kufitare të vendit.

Pas një reagimi të Ministrisë së Brendshme shqiptare, në të cilin theksohej se shërbimi do të rikthehej shpejt, ka ardhur edhe një njoftim nga autoriteti aeroportual i Rinasit, në të cilin garantohet se fluturimet nuk do të ndërpriten, pas një paniku momental të qytetarëve.

“Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës njofton të gjithë pasagjerët se pavarësisht problemeve momentale me sistemin TIMS, operimet vazhdojnë pa vonesa në aeroport. Fluturimet vazhdojnë sipas planit, megjithatë, ju lutemi të jeni të pranishëm në TIA 2:30 orë përpara fluturimit për të shmangur çdo shqetësim”.

Kështu thuhet në reagim, teksa rikthimi i sistemit ende pritet të ndodhë.

Mbrëmjen e kaluar sistemet e ruajtjes dhe transmetimit të të dhënave në Policinë e Shtetit janë gjendur nën një sulm kibernetik të ngjashëm me atë që pësoi e-Albania në muajin korrik.

Kryeministri i vendit, Edi Rama, tha se nga të dhënat paraprake rezulton që sulmi të jetë kryer nga e njëjta dorë, pra Irani.

“Ekspertët tanë bashkë me ata të vendeve tona partnere kanë punuar intensivisht prej momentit të parë kur është detektuar sulmi, për të garantuar së pari pacenueshmërinë e të dhënave dhe më pas neutralizimin e këtij akti kriminal”.

Sistemi i menaxhuar i kontrollit të kufijve, TIMS, prej vitesh po përdoret në Shqipëri.

Ai bën të mundur që asnjë person me precedentë penal, apo i dënuar nga autoritete shqiptare dhe të huaja të depërtojë në Shqipëri dhe të dalë jashtë saj.

Kjo pasi të gjitha pasaportat përpunohen në këtë sistem që ka të integruar databazën për të gjithë shtetasit si dhe të gjitha informacionin e sistemit të Interpolit.

Lini një Përgjigje