Pika e Kalimit Kufitar Kapshticë do të ndërpresë përkohësisht funksionimin të hënën, më 27 korrik, për shkak të grevës së punonjësve të doganës greke.
Autoritetet shqiptare bëjnë me dije se ndërprerja e përkohshme e qarkullimit vjen pas njoftimit të autoriteteve doganore greke për zhvillimin e grevës, e cila do të ndikojë në funksionimin normal të pikës kufitare.
Drejtoria e Përgjithshme e Doganave u bën thirrje qytetarëve dhe bizneseve që planifikojnë të udhëtojnë drejt Greqisë ose nga Greqia në drejtim të Shqipërisë, të shmangin kalimin nëpërmjet Pikës së Kalimit Kufitar Kapshticë gjatë intervalit 05:00–10:00 të ditës së hënë, 27 korrik, dhe të planifikojnë udhëtimet e tyre jashtë këtij orari për të shmangur vonesat.
Ndërkohë fluksi i mjeteve gjatë ditës së sotme në këtë pikë të kalimit kufitar ka qenë normal, ndërsa nuk janë regjistruar radhë e pritje të gjata të qytetarëve në palën shqiptare.
Sipas burimeve zyrtare nga Drejtoria e Kufirit dhe Migracionit në Korçë gjatë 24 orëve të kaluara në Kapshticë ka patur në hyrje 3939 shtetas me 1259 mjete dhe 2904 shtetas në dalje me 987 mjete.
Lini një Përgjigje