Kryeministri britanik Andy Burnham ka deklaruar se është i gatshëm të kundërshtojë dhe kritikojë presidentin amerikan Donald Trump, nëse kjo është në interesin kombëtar të Britanisë.
Në intervistën e tij të parë të madhe si kryeministër për BBC, Burnham tha se pati një takim të parë pozitiv me Trumpin, të cilin e përshkroi si “shumë të ngrohtë”. Megjithatë, i pyetur nëse i beson presidentit amerikan, ai shmangu një përgjigje të drejtpërdrejtë. “Nuk mund të them se nuk do të kem mendime të ndryshme nga ai. Nëse është e drejtë për Britaninë, do t’i shpreh ato,” tha Burnham.
Ai theksoi se “interesi kombëtar duhet të jetë mbi gjithçka”, duke shtuar se nuk do të hezitojë ta kritikojë Trumpin nëse e konsideron të nevojshme. Burnham shprehu gjithashtu shqetësim për mënyrën se si presidenti amerikan menaxhoi përshkallëzimin e konfliktit me Iranin, duke theksuar se do të flasë hapur sa herë që e sheh të nevojshme.
Sa i përket mbrojtjes, kryeministri britanik nuk dha një afat se kur shpenzimet ushtarake do të arrijnë në 3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, por u shpreh se qeveria do të punojë për ta realizuar këtë objektiv.
Burnham përjashtoi gjithashtu mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme, duke deklaruar se qeveria e tij është e fokusuar te qeverisja dhe rikthimi i vendit “aty ku duhet të jetë”.
Lini një Përgjigje