Kapën me armë zjarri dhe lëndë narkotike në makinë, arrestohen pesë persona në Durrës

27 Shkurt 2026, 14:06Kronika TEMA
Kapën me armë zjarri dhe lëndë narkotike në

Policia e Durrësit mbrëmjen e djeshme ka vënë në pranga pesë persona, pasi u kapën me armë zjarri, lëndë narkotike, si dhe me armë të ftohta.

Në kuadër të operacionit të koduar “Siguria”, në pranga ka rënë S. M., 29 vjeç, si dhe 2 pasagjerët, shtetasit F. S., 25 vjeç dhe B. B., 25 vjeç, të dy banues në Sukth. Gjithashtu, janë arrestuar shtetasi J. H., 31 vjeç, banues në Kuçovë, dhe Z. K., 20 vjeç banues në Durrës.

“Në vijim të kontrolleve për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Narkotikëve të DVP Durrës dhe Patrullat e Përgjithshme të komisariateve në varësi të DVP Durrës, bazuar në informacionet e siguruara për disa shtetas që posedonin armë zjarri, armë të ftohta dhe lëndë narkotike, në zbatim të detyrave të planit operacional “Siguria”, zhvilluan një sërë kontrollesh të befasishme.

Gjatë kontrolleve, shërbimet e Policisë kanë ndaluar në Sukth automjetin me të cilin qarkullonin 3 shtetas. Gjatë kontrollit në automjet u gjetën 1 armë zjarri kallashnikov, 3 karikatorë dhe 17 fishekë, ndërsa drejtuesit të automjetit, shtetasit S. M., gjatë kontrollit fizik iu gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis.

Në kuadër të hetimeve për këtë rast, u krye kontroll në banesën e shtetasit J. H., ku u gjetën 3 armë të ftohta (2 mjete prerëse dhe 1 dorezë metalike).

Në vijim të veprimeve, u arrestuan në flagrancë drejtuesi i automjetit, shtetasi S. M., 29 vjeç; 2 pasagjerët, shtetasit F. S., 25 vjeç dhe B. B., 25 vjeç, të dy banues në Sukth, si dhe shtetasi J. H., 31 vjeç, banues në Kuçovë.

Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të veprimtarisë penale të këtyre shtetasve.

Po gjatë kontrolleve të befasishme, në lagjen nr. 14, shërbimet e Policisë kanë ndaluar për kontroll automjetin me drejtues shtetasin Z. K., të cilit iu gjet një armë zjarri pistoletë me krehër me 6 fishekë, si dhe u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin M. B., 23 vjeç, banues në Shkozet, pasi dyshohet se ka pasur dijeni për këtë rast, por nuk ka kallëzuar”, thuhet në njoftimin e policisë.

Materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.

Lini një Përgjigje