“Na jep 1000 euro që të fshijmë fotot në TikTok” - Kërcënoi 33-vjeçarin, arrestohet i riu në Tiranë

31 Mars 2025, 09:54Kronika TEMA
“Na jep 1000 euro që të fshijmë fotot në TikTok”

Policia ka vendosur në pranga një 27-vjeçar, i cili në bashkëpunim me një shtetase tjetër, kërcënuan një 33-vjeçar që t’iu jepte 1000 euro për të fshirë foto/shkrime mbi jetën private të tij, nga rrjeti social Tik Tok.

Policia ka ndaluar gjithashtu edhe shtetasin Leonard Haxhiu, 21-vjeç, për shtrëngimin me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë, ndodhur me datë 14.03.2024, bazuar në kallëzimin e bërë nga një person.

Njoftimi i policisë:

Seksioni për Hetimin e Krimeve ndaj Pronës në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive në çdo formë të shfaqjes së tyre, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Imazhi”.

Si rezultat i operacionit u arrestua shtetasi F. T., 27 vjeç, si dhe u procedua penalisht shtetasja L. M., 25 vjeçe, pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kanosur një 33-vjeçar, për dhënien e shumës 1000 euro, që të fshinin disa foto/shkrime të jetës së tij private, nga rrjeti social “Tik Tok”.

Po në kuadër të operacionit “Imazhi” u ndalua shtetasi L. H., 21 vjeç, për shtrëngimin me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë, ndodhur me datë 14.03.2024, bazuar në kallëzimin e bërë nga një shtetas.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Lini një Përgjigje