Policia e Shkodrës ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Hunters”, në kuadër të planit të masave për parandalimin dhe goditjen e rasteve të gjuetisë së paligjshme.
Gjatë një kontrolli të zhvilluar gjatë natës në fshatin Rragam, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër kanë konstatuar pesë shtetas që kryenin gjueti në kundërshtim me moratoriumin e gjuetisë. Në momentin e ndalimit, në automjetin me të cilin lëviznin u gjetën dhe sekuestruan 2 armë zjarri (një pistoletë dhe një pushkë), 2 armë gjahu, municion luftarak, një dron dhe një shpend i vrarë.
Kontrollet u shtrinë më tej edhe në banesat e personave të arrestuar, ku në shtëpinë e shtetasit E. M. u gjet një sasi lënde narkotike e dyshuar si Cannabis Sativa, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Në përfundim të veprimeve hetimore, policia arrestoi shtetasit E. F., 30 vjeç; E. M., 36 vjeç; K. D., 36 vjeç; V. N., 29 vjeç dhe S. S., 23 vjeç, të gjithë banues në Shkodër.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”, “Dëmtimi i specieve të mbrojtura të florës dhe faunës së egër” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Policia e Shkodrës thekson se kontrollet do të vijojnë në të gjithë territorin e qarkut me qëllim parandalimin e gjuetisë së paligjshme dhe çdo aktiviteti tjetër kriminal që dëmton mjedisin dhe sigurinë publike.
Lini një Përgjigje