(VIDEO) Operacioni “Siguria” në Vlorë: Arrestohen 2 persona, sekuestrohen armë, kokainë dhe kanabis

13 Qershor 2026, 10:15Kronika TEMA
(VIDEO) Operacioni “Siguria” në Vlorë: Arrestohen 2

VLORË – Policia e Vlorës ka finalizuar operacionin e koduar “Siguria”, duke goditur tre raste të armëmbajtjes pa leje dhe shitjes së lëndëve narkotike në qytet dhe në zonat bregdetare.

Si rezultat i kontrolleve të intensifikuara në kuadër të masave për garantimin e sigurisë publike dhe mbarëvajtjen e sezonit turistik, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, arrestuan dy shtetas dhe sekuestruan armë, municion luftarak dhe lëndë narkotike.

Në pranga ra T. P., 33 vjeç, banues në Vlorë, me precedent penal për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike. Gjatë kontrollit në automjetin dhe banesën e tij, policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri pistoletë, një krehër arme, 44 fishekë luftarakë të kalibrave të ndryshëm, si dhe një sasi të lëndës së dyshuar narkotike kokainë, të ndarë në doza dhe gati për shitje.

Gjithashtu, u arrestua A. C., 18 vjeç, banues në Vlorë, i cili u kap në Dhërmi në posedim të sasive të kokainës dhe Cannabis Sativa. Sipas policisë, lëndët narkotike dyshohet se ishin destinuar për shitje në zonën bregdetare dhe në qytetin e Vlorës.

Policia bën me dije se kontrollet dhe operacionet në terren do të vijojnë, me fokus goditjen e paligjshmërive dhe rritjen e sigurisë gjatë sezonit turistik.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë për veprime të mëtejshme.

Lini një Përgjigje