Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku ka mbledhur strukturat vendore të 12 qarqeve të vendit.
Gjatë këtij takimi, Rrumbullaku ka dhënë disa porosi, kryesisht ka kërkuar rritje të shërbimit të policisë gjatë sezonit turistik.
Për çdo shkelje që do të bëhet nga punonjësit e policisë do të jetë përgjegjësi edhe e drejtuesit të qarkut përkatës.
Sa i përket gjobave, Rrumbullaku është shprehur se policia nuk është strukturë vetëm për të vendosur gjoba, por ka mision rritjen e sigurisë.
“Çdo shkelje e etikës nga punonjësit e policisë, në kontakt me turistët, nuk do të trajtohet vetëm si përgjegjësi individuale, por edhe si përgjegjësi e drejtuesve përkatës.
Policia e Shtetit nuk është një strukturë për vendosjen e gjobave dhe mbledhjen e tyre, por është në shërbim të qytetarëve, vendas dhe të huaj, duke dëshmuar etikë dhe profesionalizëm.
Këshillimi dhe ndihma për qytetarët duhet të jenë parësore në punën e punonjësit të policisë”, ka thënë Rrumbullaku.
Gjithashtu, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit u kërkoi drejtuesve të policisë vendore që të marrin masa për parandalimin dhe luftimin e krimit, me fokus të veçantë luftimin e kultivimit të bimëve narkotike dhe prioritizimin e drejtësisë për personat e kërkuar.
Lini një Përgjigje