
Më 16 gusht, ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, i është vjedhur vetura zyrtare në oborrin e ministrisë.
Policia e Kosovës përmes raportit 24 orësh ka dalur me detaje rreth kësaj ngjarje, ndërsa është thënë se rasti po vazhdon të hetohet.
“Prishtinë 16-17.08.2022 – 22:30-04:30. Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se me datë 16.08.2022 ka parkuar veturën zyrtare ndërsa me datë 17.08.2022 nga zyrtarët policorë nga pika kufitare në Qafë Morinë është njoftuar se e njëjta veturë është ndaluar në pikë kufitare pasi që është dyshuar në vozitësin e veturës. Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit. Rasti vazhdon të hetohet”.
Dokumenti për vjedhjen e veturës zyrtare të ministrit Aliu u publikua të mërkurën nga mediumi Demokracia.
Pas publikimit të dokumentit në të njëjtën ditë zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Bajram Krasniqi deklaroi për mediat se janë kontaktuar nga autoritetet e Shqipërisë pasi kanë pasur dyshime se vetura është e vjedhur.
“Sot, më 17.08. 2022 rreth orës 04:30 në Pikën e Kalimit Kufitar- Qafë Morinë, në dalje ka shkuar automjeti i markës Audi ngjyrë e zezë. Veturat në dalje kontrollohen nga autoritetet e Republikës së Shqipërisë. Gjatë kontrollit ata kanë pasur dyshime dhe kanë kërkuar bashkëpunim nga zyrtarë policorë të PK-së”.
“Gjatë verifikimeve është vërejtur se vetura është vjedhur. Vetura i përket Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, vetura drejtohej nga një mashkull, i cili kishte mungesë të dokumenteve dhe është prezantuar si: B.S., (viti i lindjes 1979, mashkull kosovar)”, deklaroi Krasniqi.
Ai shtoi se rastin janë duke e trajtuar autoritetet e Shqipërisë.
“Kurse, në Stacionin Policor ‘Qendra Prishtinë në ora 08:50 nga B.C., si ankues, është iniciuar rasti ‘Vjedhje’. Vlen të ceket se vetura kishte qenë e parkuar në parkingun e MMPHI-së në Prishtinë”.
Edhe, Policia e Shqipërisë kishte informuar përmes raportit për vjedhjen e veturës së Aliut.
“Në PKK Qafë Morinë, në hyrje të RSH, shërbimet e Policisë Kufitare, në vijim të punës për goditjen e krimeve ndërkufitare, si rezultat i kontrolleve me përzgjedhje, kanë kaluar në vijë të dytë për kontroll më të imtësishëm, automjetin tip “Audi A3”, me drejtues shtetasin B. S., banues në Obiliq, Kosovë”.
“Gjatë verifikimit ka rezultuar se automjeti që drejtonte 43-vjeçari, ishte i vjedhur në Kosovë dhe ishte në pronësi të një institucioni shtetëror”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Tropojës.
Nga policia është bërë e ditur se i njëjti është arrestuar për veprën penale “Trafikim i mjeteve motorike”.
Lini një Përgjigje