Një 47-vjeçar me origjinë moldave është arrestuar në Ivrea të Torinos, Itali, me akuzën e tentativës për vrasje, pasi dyshohet se tentoi t’i vinte flakën bashkëjetueses së tij gjatë një konflikti në banesë.
Ngjarja ndodhi në zonën e San Bernardos. Sipas autoriteteve italiane, burri, i cili ndodhej në gjendje të rënduar psikofizike si pasojë e konsumimit të alkoolit, në kulmin e një debati të dhunshëm e spërkati gruan me naftë, me qëllim që t’i vinte zjarrin.
Tragjedia u shmang falë ndërhyrjes së menjëhershme të një miku të çiftit, i cili ndodhej në banesë në momentin e ngjarjes. Ai u vendos mes tyre dhe arriti t’i mbante krahun agresorit, duke e penguar të ndizte çakmakun deri në mbërritjen e karabinierëve.
Ndërkohë, vetë viktima kishte njoftuar forcat e rendit, të cilat mbërritën menjëherë në vendngjarje. Karabinierët neutralizuan 47-vjeçarin dhe i sekuestruan çakmakun, duke parandaluar një ngjarje me pasoja tragjike.
Fatmirësisht, nga incidenti nuk pati persona të lënduar. Me urdhër të Prokurorisë së Ivreas, e cila po drejton hetimet, i arrestuari u dërgua në institucionin e paraburgimit, ku do të qëndrojë në dispozicion të drejtësisë.
Lini një Përgjigje